E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetet në fuqi vendimi për heqjen e shqipes

Shkup
Ministri Todorov: Për këtë do të flasin ekspertët

Ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, theksoi se ekspertët do të thonë fjalën e fundit rreth vendimit të tij të mëparshëm që maqedonishtja të mësohet nga klasa e parë edhe për nxënësit shqiptarë. Todorov ka deklaruar se për kushtetutshmërinë e këtij vendimi do të kërkojë mendim nga ekspertë juridikë. “Në periudhën e ardhshme do të bisedojmë edhe në nivel të ekspertëve, përfshirë këtu edhe çështjen e ngarkesës nga mësimi i gjuhëve, por edhe do t’i shohim normat juridike për pengesa të mundshme kushtetuese për fillim të mësimit të gjuhës maqedonase nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë”, deklaroi Todorov. Vendimi i ministrit të Arsimit për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë, vazhdon të shkaktojë reagime në Shkup. OJQ-të shqiptare kërkojnë dorëheqjen e ministrit Nikolla Todorov, ndërsa për vendimin e tij ka polemika edhe mes partive politike. Disa ditë më parë, në të gjitha shkollat fillore shqipe në Maqedoni, të mërkurën u bojkotua vendimi i Ministrisë së Arsimit, që mësimi i gjuhës maqedonase të fillojë që në klasën e parë nga gjysmëvjetori i këtij viti. Vendimin për bojkot të maqedonishtes për nxënësit e fillores e morën të gjithë kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, pasi arsimi fillor është në kompetenca të pushtetit vendor. “Në shkollat fillore nuk zbatohet vendimi i Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonase, që nga klasa e parë”. “Arsyet janë të shumta: Së pari nuk janë respektuar proceduat e ligjit për arsim fillor. Së dyti bëhet një diskriminim i nxënësve shqiptarë në raport me ata maqedonas. Së treti, është ngarkesë e nxënësve shqiptarë për të mësuar dhe një lëndë plus”, thekson Shefket Zekolli, drejtues i Departamentit të Arsimit në Komunën e çairit të Shkupit. Ndërkohë, ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, në një konferencë për shtyp theksoi se mësimi i gjuhës maqedonase në shkollat shqipe nuk po bojkotohet në atë masë siç ishte paralajmëruar. Ai, me këtë rast, kërkoi që të mos politizohet procesi arsimor. Ndërkaq, ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti, aktualisht deputet i partisë shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, vlerëson se me vendimin e qeverisë për të mësuar nxënësit shqiptarë gjuhën maqedonase nga klasa e parë, rrënohet funksionimi i shtetit multietnik. “Vendimi i qeverisë që fëmijët shqiptarë, që në klasën e parë të mësojnë gjuhën maqedonase, është një mesazh që u jepet shqiptarëve se gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë nuk është gjuhë zyrtare”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›