Bashkia e Tiranës bën gati axhendën e festimeve
Shpallja e pavarësisë së Kosovës do të mbledhë të gjithë shqiptarët të festojnë në sheshin kryesor të kryeqytetit. Në një ditë historike për Kosovën dhe shqiptarët, Bashkia e Tiranës ka organizuar mënyrën se si do të festohet pavarësia në të njëjtën mënyrë siç do të festohet edhe në Kosovë. Festimet do të fillojnë në orën 10:00 deri në orën 18:00, ku gjithçka do të shoqërohet me atmosferë festive dhe nën tingujt e muzikës. Në këtë hark prej 8 orësh, Bashkia ka ftuar të gjithë këngëtarët apo instrumentistët që të gjejnë një kënd për të luajtur muzikën e tyre. Një kënd i veçantë përgjatë rrugës do të jetë për shitësit e produkteve ushqimore e të pijeve freskuese që të ofrojnë produktet e tyre. Gjatë kësaj kohe në rrugët kryesore do të ndërpritet qarkullimi i makinave.
Atmosfera në mbarë vendin
Qytetet kryesore në Republikën e Shqipërisë janë përfshirë në një atmosferë unikale, e cila ngjan me pavarësinë e saj mbi 90 vite më parë. Dita e shumëpritur prej mëse një shekulli, ajo e lirë në tokat e vëllezërve kosovarë, ka prekur ndjenjat më fisnike të shqiptarëve, ndjenjat kombëtare.
Elbasan
Bashkia e qytetit të lashtë Skampa ka nisur përgatitjet për 17 shkurtin. Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, u shpreh dje se në këtë ditë të shënuar janë përcaktuar një sërë aktivitetesh. Mesditën e së shtunës banda frymore “Afërdita” ekzekutoi një sërë pjesësh patriotike në sheshin “Aqif Pasha” të qytetit. Gjithashtu, shumë flamuj kombëtarë janë ngritur në të gjitha ballkonet në qendër të qytetit si dhe në çdo institucion shtetëror. Më së shumti këtë ditë duket se e përjetojnë 250 familjet kosovare në lagjen “Fushë Mbret”, e cila njihet si “Kosova e vogël” në qytetin e Elbasanit.
Korça
Korça po ndien të njëjtat emocione si në kohën kur patrioti Themistokli Gërmenji e shpalli këtë qytet autonom dhe të lirë. Në qytetin e Korçës kanë filluar aktivitetet festive me rastin e ngjarjes historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Bashkia e Korçës ka parashikuar një sërë aktivitetesh artistike duke filluar nga dita e sotme. Banda e qytetit, ndonëse në një mot me klimë të ftohtë nga rënia e reshjeve të dëborës, ka përshkuar bulevardet kryesore të Korçës për disa orë duke interpretuar këngë dhe pjesë patriotike. Në qytetin e Korçës, atmosfera festive është ndier edhe me vendosjen e banderolave dhe flamujve kombëtarë në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Shkodra
Qyteti i lashtë verior shqiptar ka vendosur dy ditë festë për nder të pavarësisë së shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Programi u përcaktua në një mbledhje të organizuar në bashkinë e qytetit në veri të vendit. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, u shpreh se në kuadër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës Bashkia e Shkodrës ka përcaktuar një sërë aktivitetesh, të cilat nisën që mesditën e djeshem, ku banda e qytetit ekzekutoi pjesë patriotike në sheshin e lagjes ‘Parrucë’. Ai u bëri thirrje të gjithë bashkëqytetarëve shkodranë që së bashku të festojnë siç duhet një eveniment të tillë, një ngjarje me rëndësi historike për shqiptarët.
Gjirokastër
Ethet e pavarësisë së Kosovës kanë prekur edhe qytetin e Gjirokastrës. Tashmë minutat po numërohen mbrapsht dhe shumë shpejt Kosova do të zyrtarizojë pavarësinë e saj. Lidhur me këtë ngjarje historike për mbarë shqiptarët, Bashkia e Gjirokastrës ka përgatitur një sërë aktivitetesh kulturore që do të kulmojnë 10 minuta pas shpalljes zyrtare të pavarësisë. Flamur Bime, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, u shpreh se pushteti vendor, në bashkëpunim me Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, do të mbështetë të gjitha aktivitetet kulturore që do të organizohen në qytetin e gurtë.
Fier
Qyteti i Fierit është në një atmosferë festive. Kryebashkiaku Baftjar Zeqo, prefekti i Qarkut Shahin Bejdaj, kryetari i Qarkut Luan Muçaj, si dhe drejtuesit e institucioneve arsimore dhe social-kulturore, u mblodhën në një takim ku vendosën edhe programin e festimeve. Kryebashkiaku Zeqo u shpreh se janë marrë të gjitha masat për ta shndërruar plotësimin e ëndrrës dhe aspiratës shekullore të kosovarëve në një festë popullore. Nëpër lagjet e qytetit dhe në periferi lëvizin makina të pajisura me altoparlante për të përcjellë atmosferën festive në çdo skaj të qytetit. Gjithashtu krerët më të lartë dhe një përfaqësi e qytetit do të jenë të pranishëm në Kosovë.
Has
Hasjanët po i përjetojnë në mënyrë të veçantë këto momente në prag të shpalljes së pavarësisë, pasi janë një krahinë, janë të afërm e kanë miqësi të shumta me njëri-tjetrin, por që historia i ka ndarë për afro 100 vjet. Në kohën e krizës kosovare, 6 banorë nga rrethi i Hasit u vranë nga ushtria serbe, ndërsa 13 djem hasjanë dhanë jetën në radhët e UÇK-së. Rrugët e Krumës janë zbukuruar për këtë ditë të shënuar në të cilën hasjanët ndihen më të emocionuar se kurrë në këtë ditë kombëtare të veçantë për kombin shqiptar.
Kukësi
Qyteti verior shqiptar pret me një atmosferë festive ditën e pavarësisë së Kosovës. Gjatë periudhës së krizës kosovare, mbi 450 mijë banorë u strehuan në këtë qytet. Falë bujarisë së familjeve të këtij rajoni dhe angazhimit të institucioneve qendrore dhe lokale në Kukës, gjithçka - ardhja, qëndrimi dhe rikthimi në trojet e tyre i mijëra shqiptarëve të Kosovës - u administrua në mënyrë perfekte. Kryetari i Këshilli të Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, i cili në atë periudhë ka qenë kryetar i Këshillit të Rrethit, i ka cilësuar ato ditë si ditë të një eksodi biblik.
18 Shkurt 2008