E Shtunë, 31 Tetor 2026

“United State of Albania”

Gjithmonë kanë qenë të parët. Janë dhe do të mbeten kuqezinj. Qofshin nga Shqipëria, Kosova dhe trojet shqiptare të Maqedonisë, atë që tifozët shqiptarë e quajnë Iliridë.
Kanë paralajmëruar “PAVARËSIN˔ brenda stadiumeve të mbarë Europës, atje ku ka luajtur përfaqësuesja e të gjithë shqiptarëve, por dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kur kanë festuar fitoren e madhe kundër Greqisë. Kanë kënduar deri në mëngjes të dehur me ëndrrën e Shqipërisë Etnike. Atë virtuale. Të bashkuar në “Qemal Stafa” në kryeqytetin e shqiptarëve, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, në “Bay Arena” të Gjermanisë apo “Amsterdam Arena” të Holandës.
Janë tifozët kuqezinj ata që kanë shkrirë kufijtë natyralë të Shqipërisë me trojet shqiptare - Kosovën, Malin e Zi e Maqedoninë, - për të sjellë në tempullin e futbollit shqiptar një banderolë mitike, që ka bërë xhiron e botës “United State of Albania”.
“Një komb, një kombëtare” ka frymëzuar si portierin legjendar Foto Strakosha, rekordmenin me 73 ndeshje me kuqezinjtë, ashtu dhe kosovarin Arian Beqaj, i cili vendosi një rekord me 416 minuta pa pësuar gol në ballafaqimet ndërkombëtare.
“Forca kuqezinj” ka nxitur për të përfaqësuar me dinjitet si kapitenin e Kombëtares, Altin Lala, ashtu dhe zëvendëskapitenin Lorik Cana.
Fishekzjarret kanë zbukuruar “Qemal Stafën” me flamurin më të madh të shpalosur ndonjëherë në ndonjë stadium të botës. Një punë madhështore e krijuar nga “Tifozët kuqezi”. Himni kombëtar i shqiptarëve është kënduar me të njëjtin pathos si nga sulmuesi Alban Bushi, rekordmeni shqiptar me 14 gola, por dhe nga mbrojtësi kosovar, i pathyeshmi Armend Dallku.
Goli i kosovarit Debatik Curri kundër Holandës u brohorit nga mijëra tifozë shqiptarë në “Amsterdam Arena”, ashtu si goli i Klodian Duros kundër Bullgarisë në “Qemal Stafa”.
Janë të përjetshëm kuqezinj. Në Tiranë e Prishtinë, në Tetovë e Ulqin, qofshin “Ballistët”, “Bardheblu”, “Dardanë”, “Plisat”, “Skifterat”, “Shvercerat”, “Xhebrailat”, “Fikshat” , “Kuqezinjtë e Jakovës” apo “Princat”.
Kuqezinjtë lindin dhe vdesin kuqezinj. Në “Qemal Stafa” apo në “Velodrom të Marsejës”, ku flamurit të përbashkët shqiptar iu bashkëngjitën dy shaje me mbishkrimin Shqipëria dhe Kosova, për të qenë si dy kordonë të kuq të shqiponjës së Skënderbeut.
Gjithmonë tifozët kuqezinj do të bashkohen në “Qemal Stafa” për të mundur ashtu si në vitin 2005 në “Loro Boriçi” Rusinë...
Dash Frashëri

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›