E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia e Kosovës bashkon politikën shqiptare

Erald Kapri

Ëndrra njëshekullore shqiptare, ajo e pavarësisë së trojeve të shkëputura padrejtësisht nga trungu shqiptar, duket se po i jep një dimension të ri politikës shqiptare. Në 17 vite liri politike në Shqipëri, dimensionet e politikës shqiptare kanë qenë përçarëse dhe diversive, duke dhënë herë pas here edhe mesazhe përçarjeje apo dhune për efekt të pushtetit, por kambana e pavarësisë së Kosovës është dëgjuar nga politika shqiptare dhe në mënyrë instinktive politika në Shqipëri po preket nga disa ndjenja kombëtare që shumëkush besonte se ishin harruar. Pavarësia e Kosovës ka prekur Tiranën zyrtare, e cila është bashkuar shpirtërisht me Prishtinën. Politikanë shqiptarë, si qytetarë të thjeshtë kanë shkuar ditën e djeshme dhe priten të tjerë sot që të jenë në Kosovën e pavarur. Mesazhi i pavarësisë së Kosovës ka bashkur edhe Shqipërinë.
Bashkimi
Kryeministri Sali Berisha, nën tone emocionuese, ka folur ditën e djeshme për shkrimin e historisë që pritet të ndodhë sot. Kosova do të jetë e lirë. Kjo shprehje po kthehet në një mit të gjallë që ka bashkuar çdo shqiptar pavarësisht se ku ndodhet apo se çfarë përfaqëson. Kryeministri Berisha theksoi se kjo ngjarje koincidon me ngjarjen më të madhe të kombit shqiptar që nga viti 1912, e cila do të ketë një ndikim themelor në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. ”Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës merr fund një histori koloniale, hapet një kapitull i ri paqeje, stabiliteti e integrimi rajonal dhe europian, hapen mundësitë për një kapitull të ri mes dy kombeve, kombit shqiptar dhe atij serb, të cilët, pavarësisht nga historia tejet e hidhur, kanë një rrugë: atë që kanë ndjekur kombet e qytetëruara europiane për ndërtimin e një të ardhmeje të re në paqe, stabilitet e prosperitet dhe për këtë ne jemi thellësisht të angazhuar”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Dhurata
Politikani i majtë, deputeti i LSI-së Nikollaq Neranxi, ka nisur drejt Prishtinës një tortë gjigante në mes të së cilës është shkruar: Gëzuar pavarësinë!. “Kjo ëmbëlsirë është simbolika e shijes së re që sjell liria në Ballkan”, - u shpreh i emocionuar Neranxi. Në këtë ditë kanë folur edhe shumë politikanë të tjerë. Deputeti republikan Artur Hasanbelliu, në cilësinë e sekretarit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në PR, kërkoi që Shqipëria ta njohë e para pavarësinë e Kosovës. “Kombi shqiptar po bëhet gati të festojë nesër një nga ditët më të lumtura të historisë së tij. Në vigjilje të kësaj ngjarjeje historike, shqiptarët do të jenë sërish në krah të popullit kosovar, ashtu si në vitin 1999. Kosova tashmë ka mbështetjen e të gjitha vendeve demokratike të botës e në radhë të parë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të vendeve të Bashkimit Europian”, - tha Hasanbelliu.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›