Dervishaj: “Qeveria po pengon decentralizimin e Ujësjellësve”
Sekretari i LSI-së për Çështjet e Brendshme, Sokol Dervishaj, ka akuzuar qeverinë se po pengon procesin e decentralizimit dhe marrjes së kompetencave nga ana e pushtetit vendor. Denoncimi i Dervishajt ka marrë shkak nisur nga ngecja e këtij procesi në rastin e administrimit të ndërmarrjeve të ujësjellësve nga ana e pushtetit lokal. “LSI-ja vëren me shqetësim se procesi i decentralizimit nuk po zhvillohet me qartësinë e nevojshme dhe në mjaft raste ai ballafaqohet me probleme të shumta, që e bëjnë të pamundur funksionimin e tij dhe e kthejnë këtë iniciativë në një demagogji të pastër. I tillë është rasti i Ujësjellësit, administrimi i të cilit nga pushteti vendor, në kushtet në të cilat është deleguar kjo kompetencë, është thuajse i pamundur, për shkak të formulës që përcakton zgjedhjen e bordeve dhe drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve”, - tha Dervishaj.
18 Shkurt 2008