E Diel, 1 Nëntor 2026

Masat e policisë, Tirana në dispozicion të festimeve të qytetarëve

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur dje se ka marrë masa për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike si dhe për normalizimin e trafikut në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës, ku ditën e sotme do të zhvillohen një sërë aktivitetesh festive me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas burimeve zyrtare nga kjo Drejtori, për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive në këtë ditë të shënuar, duke filluar nga ora 09:00 e ditës së diel do të bllokohen disa segmente rrugore. Në Rrugën e Elbasanit nga Ura deri në Sauk do të vendosen shërbime të policisë rrugore për të mos lejuar lëvizjen e automjeteve në drejtim të bulevardit kryesor. Nga rruga “Asim Zeneli”, rruga “Dervish Hima” deri te Liceu nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në drejtim të bulevardit kryesor. Nga Fakulteti Filologjik nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në drejtim të kodrave të Liqenit Artificial. Në Sauk nuk do të lejohen automjetet (autobusë e furgona) të futen në drejtim të Tiranës. Në kryqëzimin e rrugës “Hoxha Tahsin”, te Farmacia Nr. 10, te rruga "Siri Kodra" do të menaxhohet më së miri lëvizja e automjeteve me qëllim mosfutjen e automjeteve në drejtim të qendrës së Tiranës. Në stacionin e trenit, te kryqëzimi “Don Bosko” deri te sheshi “Rilindja” do të menaxhohet lëvizja e qarkullimit të mjeteve, duke mbajtur nën kontroll qarkullimin me synim moslejimin e mjeteve në qendër të Tiranës. Në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, te ura “Vasil Shanto”, te kryqëzimi “Komuna e Parisit”, te “Mapo 6”, Garda e Republikës dhe Diga e Liqenit Artificial nuk do të lejohet hyrja e automjeteve në drejtim të qendrës së qytetit.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›