Të rinjtë e PDK-së iniciojnë ndihmë për moshën e tretë
Forumi Rinor i Partisë Demokristiane ka nisur një iniciativë kombëtare për mbështetjen e njerëzve të moshuar në Shqipëri. Në kuadër të nismës së Kombeve të Bashkuara për moshat e treta, Forumi Rinor i Partisë Demokristiane ndërmori ditën e djeshme iniciativën e parë në ndihmë të moshave të treta, nismë kombëtare, e cila pritet të zgjerojë grafikun e saj me nisma sociale, kulturore, arsimore në gjithë Shqipërinë. Përfaqësues të FRPDK-së ishin prezentë në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku patën mundësi të njiheshin nga afër me problemet e jetës së tyre dhe me dëshmi reale të kësaj shtrese të popullsisë. Nisma quhet “nuk jam vetëm” dhe do të jetë një nismë kombëtare e shtrirë në çdo qendër apo qark, dhe ka si qëllim vlerësimin e moshës së tretë, jo vetëm me respekt, por dhe me politika mbështetëse dhe përfshirëse të denja të shoqërisë. “Programi i kësaj partie ka të përfshirë vëmendjen, kujdesin dhe politikat specifike për këtë kategori”, - u shprehën të rinjtë demokristianë.
18 Shkurt 2008