Edi Rama: “Ku ndryshon PS-ja ime nga ajo e Nanos”
Kreu i selisë rozë: “Tani jemi më afër socialistëve të vërtetë dhe popullit të thjeshtë”. Rama: “Ëndrra ime është të ndryshoj Shqipërinë, ashtu siç ndryshova Tiranën”
Dy vjet pas marrjes së mandatit si kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama sheh bilance pozitive dhe të suksesshme për periudhën e drejtim të partisë më të madhe të opozitës. Në një intervistë dhënë për televizionin “TV ORA”, Rama tregon se si arriti të forcojë dhe konsolidojë pozitat e tij drejtuese në PS, teksa deklaron edhe ambiciet e tij për të ndryshuar Shqipërinë.
Prej më shumë se dy vjetësh ndodheni në krye të PS-së. Çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre dy viteve, nga pikëpamja politike dhe njerëzore, brenda jush?
Është një eksperiencë sigurisht shumë e veçantë. Është një eksperiencë e cila nuk mundet dot që të parashikohet apo të paramendohet, të imagjinohet e plotë siç është kur ajo jetohet, më shumë sesa eksperiencat e tjera, pasi bëhet fjalë për një eksperiencë që lidhet me drejtimin e një organizate vullnetare, një bashkimi vullnetar njerëzish, e një hapësirë ku çdo njeri është i lirë të mendojë dhe të thotë atë që mendon, të veprojë atë që mendon, e ku nuk mund të thuash “je i pushuar”. Sfida ime ishte ndërtimi i një bashkëjetese qytetare e demokratike, por edhe shoqërore dhe vëllazërore. Në fillim nuk ishte aspak e lehtë në Partinë Socialiste, të cilën e gjeta të dëshpëruar, të gjunjëzuar dhe të çoroditur.
Mbi të gjitha gjeta një fenomen të shëmtuar, atë të shkëputjes së të zgjedhurve nga zgjedhësit, i shkëputjes së përfaqësuesve i atyre që zgjidhen nga ata që i zgjedhin. Kjo është një eksperiencë që e ka ndryshuar PS-në. Por shpresoj që të më ketë ndryshuar edhe mua pozitivisht, në aspektin e një akumulimi që ka të bëjë, shpresoj, me rritjen e parametrave të maturisë dhe të aftësive të të gjykuarit. Njëkohësisht kjo më jep mundësinë për të krijuar kushte për të harmonizuar njerëz të ndryshëm, pikëpamje të ndryshme, prirje të ndryshme, dëshira dhe ambicie të ndryshme, në një drejtim që është drejtim i përbashkët.
Ndryshimi i PS-së pas 3 korrikut 2005, sa ka ndodhur shkak të rrethanave të reja politike pas kalimit të saj në opozitë, e sa për shkak të ndryshimit të kryetarit të saj?
Do të ishte një përpjekje e kotë që të gjenim këtu një përqindje për njërën apo për tjetrën, por ka edhe rrethana të tjera përveç tyre, pa dyshim, sepse ndryshon realiteti mes nesh, kapaciteti, përqasja e vëzhguesve, e komentatorëve, e syve dhe e veshëve që merren drejtpërdrejt me këtë punë, ndryshon pa dyshim edhe pikëpamja dhe pika e referimit të secilit prej nesh në raport me botën. Besoj që të gjitha së bashku kanë bërë që PS-ja sot të jetë një forcë e ndryshme nga ajo që ishte në atë kohë së cilës ju i referoheni, që lidhet me humbjen e rëndë të 3 korrikut, me një ndjesi të thellë dështimi, me një përpjekje të kotë për ta faturuar atë jashtë vetes. Dhe sigurisht, edhe me një sërë mekanizmash, të cilët ishin mësuar të punonin në një drejtim të caktuar me vite me radhë dhe sigurisht që nuk krijonin kushtet e duhura për të bërë operacionin e duhur në kohë dhe në ritme optimale. Të gjitha këto së bashku kanë bërë që siç kemi ndryshuar të gjithë ne për efekt të kohës që kalon dhe për efekt të përpjekjeve që bëjmë për të ndryshuar, të ndryshojë dhe PS-ja.
Kur ju u zgjodhët në krye të PS-së batuta më e përhapur që qarkullonte në atë kohë, ishte: “As Edi Rama nuk e ndien PS-në dhe as PS-ja nuk e ndien Edi Ramën”. Si do t’u përgjigjeni tani këtyre zërave?
Unë u bëra kryetar i PS-së pas një periudhë të gjatë, në të cilën PS-ja ishte mësuar me një tjetër lider, me një tjetër stil të drejtimit dhe me një tjetër mënyrë të të jetuarit dhe sigurisht që kjo bashkëjetese e re kërkonte edhe kohën e vet dhe mendoj që sinergjia u arrit shumë më shpejt sesa edhe unë vetë parashihja dhe paraprisja.
Ju e thatë që partia është një mjet për arritjen e qëllimit. Kush është qëllimi, kush është ambicia juaj finale në politikë?
E thënë në mënyrë shumë të thjeshtë. Unë u bëra kryetari i Bashkisë së Tiranës. Qëllimi im ishte të ndryshoja Tiranën. Kur unë u bëra kryetar i PS-së, qëllimi im ishte të ndryshoja Shqipërinë. Që do të thotë të jepja kontributin tim për të ndryshuar Shqipërinë.
Shpresoj që t’ia arrini aq sa të paktën ia keni arritur për Bashkinë. Por nuk ka vetëm qëllime në politikë, ashtu si në jetë, ka edhe ëndrra. Kush është ajo?
Unë e kam të njehsuar, ëndrra ime është qëllimi im.
Ju thatë që qëllimi dhe ëndrra juaj është që në momentin që ju u bëtë kryetar i PS-së të ndryshoni Shqipërinë. Që të realizohet kjo ju duhet të arrini të fitoni zgjedhjet dhe të jeni kryetar i maxhorancës qeverisëse, ose kryeministër i vendit. A jeni i gatshëm? A ndiheni i plotësuar brenda vetes suaj për një moment të tillë?
Që do t’ju rrëfehesha në kushte kaq të papërshtatshme, sepse normalisht rrëfimi nuk bëhet me projektor dhe me kamera. Unë do të thosha që ndiej kudo ku shkoj që një shpresë e re ka lindur në Shqipëri, një shpresë rritet përditë në zemrat dhe mendjet e qindra mijëra shqiptarëve dhe shqiptareve. E ndiej këtë gjë. Po të vini në takimet që unë bëj në të gjithë Shqipërinë, mund ta kuptoni këtë që unë po ju them. Tani shpresë e re po lind për mundësinë që ky vend të bëhet, sepse vërtet në Shqipëri është rrënjosur prej kohësh një pesimizëm, që është lexueshëm për të ardhmen e këtij vendi. Siç ishte dikur nëpër kioskat e Tiranës lajtmotiv që ky qytet nuk bëhet më, është nëpër fshatrat e Shqipërisë lajtmotiv që ky vend nuk bëhet dot dhe sikundër filloi të lindte mbi rrënojat e kioskave të Tiranës shpresat se ky qytet mund të bëjë, ka filluar të lindë mbi rrënojat e politikës së vjetër shpresat se ky vend mund të bëhet. Dhe unë, këtu vjen pjesa e rrëfimit, kur e lexoj këtë shpresë në momente të caktuara, që shfaqet shumë fort në gjëra që thonë njerëz të cilët janë në kufijtë e mbijetesës, apo kur dëgjoj fjalime që janë të papërsëritshme, se janë shumë të thjeshta por janë edhe shumë të bukura, të njerëzve nga më të papriturit. Për këtë shpresë unë e pyes veten nëse jam unë në gjendje që të jem në lartësinë e kësaj shprese.
Pra ju po thoni se dini të bëni edhe kryeministrin e Shqipërisë?
Unë mendoj që përgjegjësia për të drejtuar PS-në është një përgjegjësi e cila lidhet me përgjegjësinë për të bërë çdo detyrë që është pjesë e këtij misioni dhe është pjesë e kësaj ëndrre. Kështu që kjo detyrë që ju përmendni nuk është jashtë.
Pra ju jeni gati të jeni kryeministër i Shqipërisë?
Tani që unë ta them këtë dhe që nesër në të gjitha gazetat titulli të jetë “Edi Rama: Unë jam gati të jem...”. Unë këtë nuk do ta bëj sepse ju e keni vënë re dhe nuk do të përtoj asnjëherë që ta ribëj qartë që unë nuk e ushqej telenovelën, e cila është pjesë e mënyrës të jetuarit të shumë njerëzve që duhet të shesin nesër dhe gazeta, dhe që do të rendnin pas kësaj përgjigjeje dhe që do të kthehej kjo në një histori për të bërë një diskutim që nuk është koha për ta bërë. Qëllimi im sot është i qartë, të ndërtojmë një program i cili të jetë një instrument që i hapi rrugën ndryshimit real, rrënjësor, solid, të punëve të vendit tonë.
Gjithsesi, përgjigjja ishte shumë e saktë dhe e qartë. Ndoshta është pak pyetje stereotipe, por kë konsideroni si një arritjen tuaj më të madhe në politikë deri tani?
Të thashë që nuk jam bërë politikan.
Po dështimin më të madh?
Dështimin më të madh... Nuk di kush është dështimi më i madh. Pa dyshim që në këtë rrugë, që tani mund të quhet relativisht e gjatë, kam bërë edhe unë gabimet e mia, të cilat vlejnë, në radhë të parë për të mos i përsëritur dhe sigurisht edhe për të nxjerrë mësime, për t’i bërë gjërat më mirë. Një gabim që e kam pas bërë dikur dhe që nuk e bëj më është që të mos mendohem në një njësi kohe të caktuar, pasi jam konsultuar me të gjithë. Këtë nuk e bëj më. Pra gjithmonë kam një mendim, të bëj një konsultim dhe përsëri kam një reflektim përpara se sa të marr një vendim.
Pra kjo quhet pjekuri, maturi politike.
A ka pasur ndonjë moment ku qoftë edhe me veten tuaj keni thënë mjaft?
Jo, asnjëherë. Ka pasur momente të vështira, por nuk ka pasur asnjëherë një moment që unë të jem penduar për të gjitha energjitë dhe kohën e shpenzuar pa gjumë. S’ka pasur asnjë moment kur unë të jem thyer apo të kem menduar se kjo ëndërr është e parealizueshme. Për këtë arsye që unë vazhdoj të bëj këtë që bëj, asnjëherë.
A ndodh edhe në politikë si në thënien e vjetër, që për të hyrë në valle paguam një dhe për të dalë paguajmë 100 dhe nuk del dot. ǒndodh në vorbull?
Unë s’kam bërë asnjëherë përpjekje për të dalë nga vallja, për ta kuptuar se çfarë ndien dhe sa e vështirë është.
A e keni menduar ndonjëherë kufirin kur do të tërhiqeni?
Jo, jo. Kam menduar vetëm atë që thashë, apo sapo thashë pak më parë, duke mos qenë unë një politikan që do të dëshironte që politika të jetë profesioni im deri në fund të jetës. Kam dëshirë të besoj dhe të shpresoj që do të ketë periudha të tjera në jetën time.
18 Shkurt 2008