E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Me kok’a pil!

02/03/2005  - Votimi me një raund realizon kalimin e heshtur gradual drejt sistemit dypartiak duke i kthyer partitë e mesme dhe të vogla në shoqata politike.

- Demokracia rrezikon të rrëshkasë drejt një sistemi politik të pakicës sunduese.

- Çfarë është aristokracia pa aristokraci?

- Përse nuk mund të krahasohemi me modelin anglosakson?

Shpesh ka njerëz që pyesin : Si do të jetë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare? Disa pyesin thjesht prej një kureshtjeje të papërmbajtur, disa të tjerë kujtojnë se me disa sondazhe sociologjike paraprake mund të zbulohet enigma therëse, ndërsa disa të tretë e kanë hallin të dinë që më parë se ç’do të ndodhë me ta dhe si duhet të sillen këto muaj deri në zgjedhje, për të ruajtur vendin e punës apo postin në administratë edhe pas zgjedhjeve. Pavarësisht motiveve të ndryshme, pyetja në fakt qendron.

Si do të dalë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare? Askush nuk është në gjendje të parashikojë qysh tani numrin e deputetëve që do të ketë çdo forcë politike. Kush jep të dhëna paraprake lidhur me këtë aspekt, nuk bën veçse propagandë elektorale si pjesë e strategjisë për të goditur psikologjikisht kundërshtarët.

E megjithatë disa parashikime mund të bëhen që tani. Ndonëse jo për numrin e vendeve të fituara në parlament nga çdo forcë politike, përsëri mund të parashikohen rezultate, ndofta edhe më të rëndësishme sesa kaq. Për ta arritur këtë gjë na ndihmojnë shkencat politike, përvoja botërore dhe analiza e sistemit tonë politiko-ligjor.

Lexuesi mund të jetë i paduruar për t’i folur më hapur sa më shpejt. Le të hyjmë pra drejt e në temë.

1.Zgjedhje me një raund apo me dy raunde?

Parashikimet që do të bëjmë në këtë shkrim nisen nga një fakt që është lënë prej kohësh në harresë dhe askush nuk merret me të. Është fjala për faktin se pas zgjedhjeve të vitit 2001, u vendos që zgjedhjet të mos ishin më me dy raunde, por vetëm me një raund. Ishte fjala që në çdo zonë elektorale të dilte fitues kandidati që do të merrte më shumë vota se të tjerët. Ndërsa më parë fitues delte ai kandidat që pas raundit të parë dhe sidomos të dytë merrte më shumë se 50% të pjesëmarrësve në votim. Politikanët ranë dakord me njëri-tjetrin që zgjedhjet të bëheshin vetëm me një raund dhe kjo u sanksionua edhe në ligjin për zgjedhjet. Në pjesën e pestë të këtij ligji, në kreun e parë të saj, artikulli 66, thuhet tekstualisht: «Quhet i zgjedhur deputet në Kuvend në zonën njëemërore kandidati që fiton numrin më të madh të votave të zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim në atë zonë». Neni që vjen më pas është krejt i veçantë për nga humori që duket se përmban, por për të do të flasim pak më vonë.

Në fakt, qysh në zgjedhjet lokale të vitit 2003, u zbatua ky parim i votimit me një raund.

Dikush mund të tregohet i paduruar dhe të pyesë: E pastaj, çfarë rëndësie ka kjo gjë. Me një raund apo me dy raunde, njësoj është, në fund të fundit zgjedhësit do të shprehin vullnetin e tyre politik dhe prej këtej do të dalin rezultatet e zgjedhjeve të radhëshme.

E kuptojmë lexuesin që nuk ka pasur rastin të njohë shkencat politike për t’u treguar disi mospërfillës për problemin që po ngrejmë përpara tij në këtë shkrim. Ndërkohë na duket fare e çuditshme dhe e papranueshme që politikanët, ligjvënësit, studiuesit e shkencave politike, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që luajnë një rol vendimtar për zgjedhjet në Shqipëri ta kalojnë pothuajse në heshtje dhe pa asnjë zhurmë pikërisht kalimin nga votimi me një raund në votimin me dy raunde.

Ndërkohë që kjo është një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme, do të thoshim krejt themelore, për interesat politike të zgjedhësve, për fatin e mjaft partive politike, si edhe për drejtimin që do të marrë rrjedha institucionale në Shqipëri në dekadat e ardhshme.

Pra, mendimi im është se shpesh diskutohen gjëra dytësore dhe pikërisht ajo që është themelore del jashtë kuadrit të debatit dhe të vëmendjes së analistëve të shtypit, të cilët jo gjithmonë kanë specializimin dhe formimin e nevojshëm për të qenë të ndjeshëm jo vetëm ndaj thashethemnajës politike të ditës, por mbi të gjitha për të qenë vigjilentë për atë çka ndodh me institucionet politike të vendit.

Ka një parim në propagandë, sipas të cilit për gjëra të rëndësishme dhe delikate më mirë është të mos flitet, por të kalohen ato si çështje të dorës së dytë. Mos po ndodh e njëjta gjë edhe me këtë kalim nga votimi me dy raunde në votimin me një raund?

Prej kohësh, shkencat politike kanë treguar se në marrëdhëniet midis natyrës së ligjit për zgjedhjet dhe institucioneve politike që dalin prej tij, apo raportit të forcave politike pas zgjedhjeve ka një lidhje shumë të ngushtë. Votohet me dy raunde apo vetëm me një raund – prej këtej mund të priten pasoja të ndjeshme në mënyrën se si do të organizohet jeta politike dhe institucionet e vendit.

Pa hyrë në hollësira mund të thuhet se ka tre modele themelore që njihen gjerësisht:

Modeli i parë ka të bëjë me zgjedhjen me listë emërore partiake, ose proporcionale. Kuptohet se këtu votimi bëhet me një raund. Partitë e ndryshme politike përfaqësohen në parlament pak a shumë përpjesëtimisht sipas votave të marra në elektorat. Përgjithësisht është pranuar se sistemi proporcional ka një të mirë dhe një të metë të madhe. E mira është se ai lejon që elektorati në pjesë të ndryshme të tij të shprehet drejtpërdrejt për partinë që e përfaqëson më mirë politikisht. Cilado pjesë e elektoratit është në gjendje kështu të ketë një mundësi më të madhe për të dërguar përfaqësuesit e vet në parlament. Edhe partitë me pak vende në parlament janë me peshë, sepse partitë më të përfaqësuara atje kanë nevojë për deputetët e partive të vogla për të krijuar mazhoranca qeverisëse. E keqja e këtij sistemi është sepse, duke e thërmuar parlamentin në shumë grupe të lëvizshëm, mund të krijojë paqendrueshmëri qeverisëse. Aq më shumë që ky sistem përforcon shumë rolin e partisë mbi kandidatin, duke krijuar një lloj partitokracie mbi personalitetin individual të deputetit.

Modeli i dytë është ai mazhoritar, i korrigjuar ose jo me ndjeshmëri proporcionale, por i zhvilluar me dy raunde. Një të tillë kemi patur ne përafërsisht deri kohët e fundit, derisa u kalua në një ligj elektoral, që parashikon një raund të vetëm votimi. Në këtë kuadër mund të thuhet se ky model i dytë, shumë i përhapur në botë, (sikurse edhe ai proporcional), ka edhe ai një të mirë të madhe, por edhe një farë të mete. Për të thuhet se në raundin e parë të votimit zgjedhësit votojnë për kandidatin që është më afër ndjeshmërive të tyre politike. Mirëpo ndodh zakonisht që asnjëri nga kandidatët e paraqitur të mos marrë mbi pesëdhjetë për qind të votave të pjesëmarrësve në votim. Për këtë votohet edhe njëherë në një raund të dytë, ku përzgjidhet njëri nga dy kandidatët me rezultate më të mira të raundit të parë. Në këtë raund të dytë, zgjedhësit që kanë votuar për kandidatë të partive të tjera politike dhe që janë eliminuar gjatë raundit të parë votojnë tashmë për një nga dy kandidatët e mbetur në garë dhe duke ia dhënë votën atij që ndodhet më pranë ndjeshmërive të tyre elektorale. Lidhur me sa më sipër thuhet, pra se ky model ka një të mirë të madhe, sepse gjatë raundit të parë të votimit të gjitha partitë politike, të mëdha, të vogla apo të mesme njohin forcën e tyre të vërtetë elektorale. Askush nuk mund të fryhet pastaj si gjel për të kërkuar poste dhe iu imponuar shoqërisë, sepse secili e di çmimin real që ka në tregun elektoral. Për këtë model thuhet se ka gjithashtu një të metë përderisa në raundin e dytë të votimeve shumë nga kandidatët e partive të vogla dhe të mesme janë të detyruar të largohen nga gara në të mirë të dy kandidatëve të partive më të mëdha dhe me më shumë elektorat, por që, gjithsesi, kjo jep një qendrueshmëri qeverisjeje më të madhe.

2.Çfarë humbim dhe çfarë fitojmë nga kalimi i votimit me dy raunde në votimin me një raund?

Për modelin e tretë, pra atë që është mazhoritar (i korrigjuar apo jo me tregues proporcionalë), por me një raund votimesh (si ky që kemi tani) thuhet se ai të çon medoemos herët a vonë drejt një sistemi politik dypartiak. Sistemi proporcional është shumëpartiak, sistemi mazhoritar me dy raunde votimi është faktikisht dypartiak, por me nuanca të fuqishme të ndikimeve që vijnë nga partitë e vogla, ndërsa votimi me një raund si rregull i fshin nga faqja e dheut pak e nga pak partitë e vogla dhe të mesme, duke i kthyer ato në shoqata politike dhe përqëndruar lojën politike në duart e dy partive kryesore të vendit.

Qysh në raundin e parë, votuesi i partive të vogla dhe të mesme nuk priret më të votojë për kandidatin e partisë së tij politike, sepse në këtë rast vota e tij do të ishte praktikisht e pavlefshme, e hedhur pothuajse kot, e shkuar pothuajse dëm, sepse do të zgjidhej qysh në raundin e parë kandidati që ka më shumë vota se të tjerët, por shkon të votojë për njerin nga kandidatët e partive të mëdha, që ndodhet më afër interesave të tija politike. Në këtë mënyrë, modeli i tretë (mazhoritar me një raund) nuk lejon të matet me saktësi se sa është pesha dhe forca elektorale e çdo partie, e madhe apo e vogël qoftë. Sidoqoftë, dhe në çdo rast, nga kjo dalin të humbura partitë e vogla dhe të mesme.

Nga ana tjetër, kalimi nga votimi me një raund në atë me dy raunde bën që negociatat midis partive për aleanca elektorale të bëhen përpara zgjedhjeve dhe jo përgjatë dhe pas tyre. Pasi bëhen njëherë përpara zgjedhjeve, ato kanë shumë pak gjasa të rishikohen, sepse partitë e mëdha pas zgjedhjeve, si rregull, tashmë e kanë peshën e tyre të luanit në parlament dhe askush nuk është fort në gjendje të prishë qetësinë e tyre qeverisëse. Pra, aleancat elektorale kanë prirje të bëhen jo në bazë të çmimit elektoral real që ka çdo parti politike në tregun politik të vendit, por mbi bazën e marrëveshjeve voluntariste të liderave politikë të partive të ndryshme.

Ka ndodhur shpesh që kandidati që ka qenë në krye të listës së rezultateve në raundin e parë të zgjedhjeve është gjendur i humbur në raundin e dytë. Kjo ka ndodhur sepse raundi i dytë i jep një kohë të dytë votuesit në mënyrë që ai të marrë dijeni për mënyrën si kanë votuar të tjerët. Nëse kandidati, që ka dalë i dyti, është më i pranueshëm për votuesit, që janë shprehur për kandidatë tashmë të eliminuar gjatë raundit të parë, atëherë ka shumë gjasa që ky kandidat i dytë t’i dalë përpara edhe rivalit të tij që ka dalë në krye të rezultateve të votimit të raundit të parë. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në sistemin e votimit me një raund, çka bën që në këtë rast të krijohen më shumë shanse që të dalë i fituar ai kandidat, i cili nuk gëzon shumicën e elektoratit të zonës. Duhet pranuar pra se kalimi nga sistemi i votimit me dy raunde në atë me një raund krijon mundësira që edhe rezultatet e vetë votimit të ndryshojnë, ose së paku të jenë krejt të tjera nga ato që do të ishin, poqese do të ishte mbajtur parasysh kriteri bazë: i zgjedhjes së kandidatit që ka përkrahjen e shumicës së votuesve.

Dihet gjithashtu se shpesh, sidomos në vende me kriza të forta ekonomike dhe zhgënjime të mëdha sociale, një pjesë e madhe e elektoratit voton duke hedhur në kutitë e votimit atë që quhet «votë inati». Secili në këtë rast nuk voton për dikë që ka shanse racionale për t’u zgjedhur, por e hedh votën e tij për kandidatë populistë, shpesh herë me personalitet të dyshimtë, ndonjëherë që mbrojnë ide raciste dhe fondamentaliste. Gjithkush që e bën këtë shpesh nuk dëshiron vërtet që kandidati, për të cilin ka hedhur votën e inatit të fitojë, por vetëm dëshiron t’iu tregojë kandidatëve të tjerë se ata nuk janë aq shumë në kontroll të situatës politike, sikurse kujtojnë. Eshtë një lloj vote paralajmëruese. Mirëpo, në rastin e votimit me një raund, ka rrezik që vota paralajmëruese e inatit të shndërrohet në një verdikt politik të shumicës, sepse ka rrezik të ndodhë që një pjesë e madhe e elektoratit të jetë e prirur drejt një «vote inati». Kështu ka ndodhur edhe në vende të tjerë, por atje, falë votimit me dy raunde, votuesit kanë ditur ta korrigjojnë shenjestrën dhe të mos luajnë me fatet e lirisë së tyre dhe të demokracisë. Kjo nuk na pengon pra të themi se ne, duke adoptuar parimin e votimit me një raund të vetëm, kemi krijuar rrezikun që në parlamentin shqiptar të shtohen shanset që në çaste krizash të hyjnë edhe lloj-lloj populistësh, demagogësh, trafikantë opinionesh dhe fluksesh mallrash ilegalë etj. Kuadri juridik i vendosur na lë krahëthyer përpara votës së inatit që se kemi të pakët dhe mund të na detyrojë ndonjëherë që ta konsiderojmë atë si një votë politikisht racionale. As ata që e kanë dhënë këtë votë, megjithëse do ta dëshironin, nuk do të kenë më mundësinë e një raundi të dytë për ta korrigjuar.

Paradoksi logjiko-politik bie menjëherë në sy: Ligja e quan deputet një kandidat edhe po të fitojë një votë të vetme, mjafton që për rivalin e tij të mos ketë votuar njeri, ndërsa partive politike iu kërkon pragun prej 2,5% të votuesve për to me qëllim që të përfaqësohen në parlament! Pra, partive iu kërkohet prag elektoral, individëve jo! Me çfarë argumenti ligjor dhe politik?

Për kalimin në një proces votimi me një raund të vetëm, na u shërbye si argument ideja se kështu ka më pak mundësi manipulimesh, vjedhjesh, mashtrimesh në procesin e votimit dhe se po kështu procesi i votimit do të mbaronte shpejt dhe me efikasitet. Sigurisht që ky argument nuk është as i mjaftueshëm dhe as i gjetur. Nuk është i mjaftueshëm, sepse nuk u tha se kështu ne ishim vënë në rrugën e kalimit drejt një demokracie dypartiake dhe eliminimit të partive të vogla politike. Nuk ishte i gjetur për arësye se eliminimi i manipulimeve, vjedhjeve dhe mashtrimeve me votat nuk realizohet aspak duke kaluar nga votimi me dy raunde në votimin me një raund të vetëm. Pa u ndalur më gjatë këtu, theksojmë vetëm se në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal që u zhvilluan me një raund të vetëm, jo vetëm që s’u mënjanuan parregullsitë e mëdha në proçesin e votimit, përkundrazi këto u bënë edhe më të mëdha, por edhe rezultati i zgjedhjeve doli pasi u bë tërkuzë nga instanca me kredibilitet të dobët në opinionin publik. Kuptohet që e keqja qëndronte gjetiu dhe jo te numuri i raundeve të votimit.

3.Shkarja nga demokracia drejt aristokracisë

Ndokush mund të thotë se duket se të tre modelet e votimit që kemi paraqitur kanë edhe të meta edhe avantazhe. Po, kjo është thënë edhe në shkencat politike, por gjithsesi nuk na bën të mos arsyetojmë pak më thellë për të gjykuar mbi modelit e sistemit të votimit mazhoritar me një raund që është zgjedhur këtë radhë.

S’ka sistem të përkryer votimi, por votimi me një raund duke ruajtur parimin e korrigjuar mazhoritar në kushtet konkrete të vendit tonë krijon situata politike fare të papëlqyeshme.

Ligji elektoral na thotë se fiton kandidati që në zonë merr shumicën e votave. Kjo do të thotë se në parim edhe sikur dy apo tre vetë të votojnë në një zonë, kandidati që merr më shumë vota del fitues dhe konsiderohet se përfaqëson elektoratin e asaj zone. Poshtë nenit që shpreh këtë rregull, vjen një tjetër, i cili tingëllon disi qesharak. Në të thuhet se atëherë kur në një zonë dy kandidatë marrin një numër të barabartë votash, fituesi përcaktohet me short. Ja ku dolëm pra te hedhja me short, me kok’a pil. Nuk është aspak një metaforë e përdorur, por një procedurë e parashikuar nga ligji dhe e rregulluar nga norma juridike në fuqi. Ajo që është ligjore ka vend të kthehet në reale – do të thoshim nëse do të ndryshonin pak formën e thënies së Hegelit.

Përfytyroj një zonë elektorale, ku kanë marrë pjesë dhjetë votues, ndër të cilët pesë kanë votuar për një parti politike dhe pesë të tjerët për partinë kundërshtare. Numër i barabartë votuesish, shorti bëhet i domosdoshëm. Përfytyroj gjithashtu një skenë ku kryetari i një qendre zgjedhor, një i deleguar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një përfaqësues i misioneve ndërkombëtare a një gjykatës, në një shesh të përbaltur, pasi ka marrë pranë vetes dy kandidatët plot ankth, nën vrojtimin e kamerave televizive, nën thirrjet e abstenuesve, hedh shortin kok’a pil, duke rrutulluar lart drejt qiellit dhe pastaj duke e pritur në mes të dy pëllëmbëve monedhën pesëdhjetë qindarkshe. Dhe pastaj fraza përfundimtare: «Kok! Zoti Filan keni dalë fitues! Ju autorizoj të shkoni të zini vendin tuaj në parlament, ku do të shprehni vullnetin e përgjithshëm politik të kombit dhe të votuesve tuaj!».

Veçanërisht në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe në zgjedhjet e mëparshme kombëtare, numri i abstenuesve është rritur në mënyrë shumë të ndjeshme. Nuk janë të rrallë rastet ku shumica në këshillat bashkiake nuk ka mbështetjen e më shumë se njëzetepesë për qind të votuesve realë. Po të matet me popullsinë, kjo shifër bëhet edhe më e vogël. Ndërkaq na duhet të themi se më parë kjo përbënte një fakt real politik, por jo edhe një kuadër institucional. Ndërsa tani, me kalimin në votimin me një raund, institucionalisht provokohet dhe mbështetet abstenimi masiv i votuesve, largimi i qytetarëve nga dhomat dhe kutitë e votimit. Partitë politike dhe kandidatët për deputetë shtyhen të mendojnë jo për elektoratin e gjerë, por për një minoritet që do ta hedhë votën për ta ditën e zgjedhjeve.

Dihet nga të gjithë dhe është e vërtetuar edhe nga pikëpamja sociologjike se më të interesuarit për të marrë pjesë në votim janë në radhë të parë militantët e thekur të dy partive kryesore. Pastaj janë ato pjesë të elektoratit që janë të kapura nga pasione politike subjektive. Po këtu futen edhe nëpunësit dhe familjet e tyre, apo ata që aspirojnë të zënë vende nëpunësie, duke mobilizuar në zgjedhje rrethin e tyre familjar dhe shoqëror. Pastaj janë sipërmarrës të ndryshëm në shkallë kombëtare dhe lokale që në qendrueshmërinë apo ndryshimin e marrëdhënieve politike shohin të ardhmen e tyre. Sado që janë të kuptueshëm, këta zgjedhës janë ende pak. Larg qëndron zgjedhësi masiv anonim, që nuk lidhet në raporte të drejtpërdrejta me pushtetin, por kërkon të bëjë zgjedhjen e vetë racionale, duke lexuar e u shprehur për alternativat programore të partive politike dhe të kandidatëve.

Sipas zgjedhjeve me një raund të vetëm dihet se një kandidat del i fituar edhe sikur një votë të vetme të marrë në zonën e tij mjafton që rivalët e tij të kenë më marrë më pak se ai. Cilat janë pasojat e këtij kuadri institucional dhe juridik që ne do t’i shohim të dalin në pah në ecurinë e mëtejshme të kohës? Partitë nuk do të kenë asnjë interes që të tërheqin në zgjedhje shtresat e gjera të elektoratit, sepse do të ishte më e lehtë për t’u matur mes tyre, duke ballafaquar elita zgjedhësish në kutinë e votimit. Propaganda elektorale do të ketë një problematikë shumë të ngushtë, ligjërimi politik do të jetë shumë pasionant, plotë sulme e kundërsulme, goditje personale, kandidatët do të jenë shumë militantë, pra gjithçka do t’i përshtatet masës shumë të politizuar të zgjedhësve dhe jo elektoratit të gjerë që këtë radhë do ta shohë veten t’i thonë: Dëshironi të mos merrni pjesë në votime. Shumë mirë, qëndroni atje ku jeni. Bëjmë edhe pa ju. Askush nuk ka nevojë për të marrë së paku 50% të votës së pjesëmarrësve në votime për t’u zgjedhur deputet. Edhe një votues i vetëm do të mjaftonte për të zgjedhur deputetin e zonës. Sipas llogarive edhe vetëm me njëqind zgjedhës gjithsej, që do të kishin marrë pjesë në votime në të gjithë territorin e vendit, do të kishte qenë e mjaftueshme që të rinovoheshin vendet e parlamentit shqiptar.

Nuk është pra fare e çuditshme që në parlament të shohin përsëri figura të politizuara skajshëm, ata pra që pranohen nga grupet e militantëve që votojnë, dhe jo individë që kanë një përkrahje morale, politike dhe shoqërore më të gjerë, çka do të ndodhte sikur ligja të kërkonte që kandidati fitues të kishte më shumë se gjysmën e votave të shprehura përgjatë votimit. Në këtë rast, nuk duhet të habitemi aspak edhe kur do të shohim se institucionet shtetërore do të vazhdojnë të jenë përsëri shumë të politizuara, ndofta edhe më tepër se deri tani.

Ligja lejon dhe nxit që regjimi politik i sotëm në Shqipëri të rrëshqasë rrezikshëm nga një pushtet i shumicës, pra nga një demokraci, drejt një sundim të pakicës, pra drejt një aristokracie. Ka shumë rrezik, dhe e themi kështu për të qenë të sjellshëm, se parlamenti i ardhshëm, shumica qeveritare e tij, ciladoqoftë ajo, nuk do të përfaqësojë shumicën e elektoratit, por pakicën e tij. Do të kemi kështu një sundim të pakicës, që ndonëse e quajtëm aristokraci, nuk do të ketë asnjë gjasë që kjo pakicë e elektoratit sundues të jetë vërtet aristokratike nga vlerat morale, nga formimi intelektual, nga virtytet psikologjike, nga aftësitë politike.

Pyetja që shtrohet është: A mos vallë politika shqiptare po rrëshqet me shpejtësi marramendëse drejt një shtegu të rrezikshëm. Domethënë, pasi ishte diktaturë, bëri një kalim disavjeçar në demokraci dhe tani ka rrëshqitur drejt një aristokracie (pushteti të zgjedhur të pakicës) pa aristokraci? Ligja elektorale ta lejon plotësisht këtë pyetje, e cila përtej euforisë elektorale kërkon një përgjigje serioze. Duke ardhur nga diktatura, kaluar nëpërmjet demokracisë, kaosit politik, rrëshqitur drejt një sundimi të pakicës, ku do ta mbajmë vrapin? Kur do ta shohim se jemi duke mbyllur një cikël dhe çdo cikël që mbyllet ka rrezik të mbarojë atje ku filloi? Sidoqoftë, kjo gjë duhet evituar me çdo kusht.

Militantët, si shtresë shoqërore, kanë rrezik të vijnë në pushtet. Këtë parashikim ta lejon ligja elektorale për ta ndërtuar.

Mendoj se përtej faktit se cila forcë politike do të ketë të drejtë të qeverisë vendin, gjë e cila nuk mund të parashikohet qysh tani, ka rëndësi shumë më të madhe fakti se ne jemi duke përgatitur kushtet që në fuqi të vijë ose rivijë pakica.

Zgjedhjet do t’i fitojnë rrethet e militantëve.

S’dihet se cila forcë politike do të vijë në pushtet, por parashikohet pa shumë vështirësi se me këtë ligj elektoral ne do të kemi sundimin e pakicës. Tjetër gjë se çfarë mund të bëjë ndonjë zgjim i menjëhershëm i elektoratit. Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhi, sepse elektorati shqiptar është në një cikël përgjumjeje somnabulike të dëshmuar nga shkalla shumë e lartë e abstenimit dhe si vështirë duket që ai të kalojë në një gjendje eksitimi të menjëhershëm.

Poqese nuk ndryshohet ligji elektoral dhe kthehemi përsëri në votimin me dy raunde rezultatet e këtij parashikimi janë mëse të sigurta. Në pushtet do të vijnë ose militantë të vjetër ose individë të futur rishtazi në politikë, por me bekimin e plotë dhe në varësinë e plotë të partive politike, pra me tregues të lartë aftësie për t’u politizuar. Në këto kushte, ka vend për të parajmëruar se partia e ardhshme në pushtet, cilado qoftë ajo, do të gjendet pa mbështetjen elektorale të mjaftueshme, pa legjitimitet social, pa një bazë të mjaftueshme shoqërore që do ta lejonte të ndërmerrte reforma të fuqishme ristrukturuese. E ndodhur në këtë situatë, ajo do të ishte e detyruar që të mbështetej në grupe militantësh apo biznesesh të kufizuara, duke rënë pre e fenomeneve të trafikut të politikës dhe e politikave klienteliste. Përndryshe, do të jetë shumë e vështirë që një mandat qeverisës i fituar me votat e militantëve, me anë të militantëve, për militantët të kthehet në një mandat për elektoratin e gjerë, në një qeverisje për qytetarin masiv dhe me mbështetjen e tij të qëndrueshme. Më pas, për të kaluar nga vota e pakicës drejt një qeverisje të shumicës, do të ishte e nevojshme një vepër vërtet titanike.

4.Përvoja anglosaksone

Meqenëse shumë njerëz që nuk dijnë të krahasojnë merren shumë me krahasime, le të na lejohet të themi se një argument, që do të përdorej për të mbrojtur votimin me një raund të vetëm do të ishte se ai përdoret edhe në disa sisteme politike anglosaksone. Sigurisht, që në këndvështrimin tonë do të ishte argumenti më i dobët logjik dhe metodologjik i përdorur. Asgjë nuk e lidh realitetin shqiptar me përvojën e demokracive të famshme anglosaksone për të adoptuar pa asnjë diskutim dhe debat të gjerë publik kalimin nga votimi me dy raunde në votimin me një raund.

Së pari, ta zemë në Angli, votimi mazhoritar me një raund është edhe një trashëgimi e kompromisit midis borgjezisë dhe aristokracisë, që e shënjon nga kreu në fund këtë sistem politik dhe të ngjashmit e tij. Pakica sunduese atje ka qenë tradicionalisht aristokratike, kurse pakica politikisht sunduese te ne rrezikon të jenë militantët joaristokratë. Ndryshimi nuk është edhe aq i vogël.

Së dyti, legjitimiteti i shtetit në vendet anglosaksone, ta zemë në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kalon më së pari nëpërmjet respektimit të ligjit, të institucionit, të burokracisë, të sistemit gjyqësor, ndërsa te ne vazhdon të mbetet shumë prioritare mbështetja dhe legjitimimi, që kalon nëpërmjet mbështetjes së individëve deputetë, udhëheqësve partiakë, partive politike. Shkalla e pjesëmarrjes në votime në vendet anglosaksone nuk tregon shkallën e respektimit të ligjit në shoqëri, sepse kjo është dçika e rrënjosur prej shekujsh. Kurse te ne, një pushtet me bazë shoqërore të ngushtë e ka shumë të vështirë ta bëjë të respektueshëm ligjin, që ka konceptuar dhe dëshiron ta zbatojë. Nuk themi kot se kemi ligje të mira, por që nuk zbatohen. Kjo nuk ndodh rastësisht, por sepse vetë pushteti, që i nxjerr ato ligje i ka këllqet e dobëta nga pikëpamja e bazës shoqërore ku mbështetet.

Së treti, në vendet anglosaksone ka marrëdhënie të tjera midis hallkave të ndryshme të shtetit. Le të kujtojme që në ShBA është Presidenti, që del drejtpërdrejt nga populli, me një mbështetje shumë të gjerë elektorale, që përfaqëson ekzekutivin, kurse te ne kjo realizohet nga një qeveri e dalë nga parlamenti dhe që rrezikon të mos ketë mbështetjen e më shumë se një të katërtës së trupit politik të shoqërisë dhe të individëve që përbëjnë sovranin popull.

Së katërti, jo më kot brenda partisë së Toni Blerit ka një lëvizje të fuqishme për të propozuar dhe adoptuar kalimin në votimin me dy raunde, për shkak të faktit se si një parti e majtë në ideale, ajo s’mund të pajtohet kollaj me faktin se një pjesë e gjerë e elektoratit të mos jetë e përfaqësuar prej ligjëvënësve.

5.Përse nuk ankohet ndokush për këtë mënyrë votimi?

Megjithëse votimi me një raund është i dëmshëm për votuesin e gjerë, ky i fundit nuk ndihet. Nuk ndihet sepse në radhë të parë nuk është i ndërgjegjshëm se çfarë të drejtash humb, duke e pranuar atë dhe duke mos arritur të marrë me mend se në këtë mënyrë e kanë përjashtuar de facto nga pjesëmarrja në politikë. I kanë thënë se as që çajnë kokën fare, se as pyesin fare për të, po të dojë të votojë tolerohet, por po të dojë të mos votojë aq edhe më mirë. Pastaj, një pjesë e madhe e elektoratit as që dëshiron të dëgjojë më për politikën, në këto kushte përse do të interesohej për ligjin elektoral. Ajo ka vendosur që nuk do të marrë pjesë në lojë, përse i duhet të njohë rregullat e lojës?

Partia në pushtet është e interesuar që votimi të jetë me një raund, sepse dihet që ai që është në pushtet, dashje pa dashje, ka një avantazh të caktuar për të marrë vota brenda një kuadri sa më të ngushtë zgjedhësish. Sa më pak individë që të votojnë, aq më shumë shanse ka partia në pushtet që të fitojë zgjedhjet. Këtë ligj të patundur sociologjik opozita duhet ta mësojë mirë dhe ta mbajë parasysh në mënyrë që nesër të mos habitet se i ka humbur zgjedhjet, ndonëse sondazhe të ndryshëm tregojnë se një pjesë e madhe e popullsisë është kritike ndaj qeverisë. Duket se opozita nuk është shumë e ndërgjegjshme për faktin se rezultatin e zgjedhjeve nuk do ta vendosë shumica, por pakica. Të kundërtat nuk e përjashtojnë, por edhe bashkëjetojnë me njëra- tjetrën. Pra, mund të humbasë zgjedhjet pikërisht në bazë të një ligji elektoral, që e ka aprovuar vetë.

Partitë e vogla që do të fshihen nga mekanizmi i votimit me një raund të vetëm nuk e ngrenë zërin, sepse liderët e tyre shpresojnë që të kenë zona të lira nga partitë e mëdha tutore për veten e tyre, duke kaluar kompromise përulëse me to. Në situatën aktuale, shumë nga këta liderë e dinë se një ballafaqim me elektoratin tani do të nxirrte se mbështetja elektorale për ta është krejt e papërfillshme. Drejtuesit e partive pra janë më shumë të prirur për të zënë personalisht një vend në parlament dhe shumë pak për të pasur një përfaqësim të gjerë nga ana e miqve të tyre politikë të partisë. Secili për vete, Zoti për të gjithë. Përndryshe do të kishin reaguar kundër mekanizmit të votimit me një raund që e kthen sistemin politik shqiptar në një sundim bipartizan të pakicës joaristokratike të militantëve të çdo ngjyre.

Ajo që humbet në fakt është vetë demokracia, që ka prirje institucionale dhe ligjore tashmë të shndërrohet në një militantokraci joaristokratike. Sa herë ndodh një kthim pas i këtij lloji, ai vjen se aktorët shoqërorë dhe politikë që duhet dhe mund ta pengojnë atë, ose nuk dinë, ose nuk duan të veprojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›