E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës, brenda një viti, do të identifikojë të gjitha banesat në kryeqytet



Emanuela Sako

Regjistrat e Gjendjes Civile do të jenë të plota duke i shtuar edhe të dhënat për apartamentet apo banesat ku jetojnë banorët. Çdo qytetar do të figurojë me adresë të saktë të shtëpisë në të gjitha njësitë bashkiake. Kështu, të gjithë qytetarët do të kenë një “dosje” të plotë me të dhënat e tyre, duke ndihmuar për mënyrat e kontaktit për çfarëdolloj situate që mund të krijohet. Njëkohësisht, kjo gjë do të shërbejë së tepërmi për zgjidhjen më të shpejtë të një numër situatash që mund të hasin institucionet apo vetë banorët. Aktualisht, specialistët e Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me njësitë bashkiake, kanë përfunduar fazën e parë të identifikimit të të gjitha rrugëve të kryeqytetit dhe aktualisht do të vazhdohet me identifikimin e çdo banese dhe të çdo pallati që ndodhet në një lagje të kryeqytetit. Burime nga Bashkia bëjnë të ditur se me përfundimin e Adresarit, një reformë do të bëhet edhe në regjistrat e Gjendjes Civile, të cilat do të përshtaten me adresat e reja.
Çështjet
Me identifikimin e të gjitha banesave dhe plotësimin e detajuar me të dhënat për çdo person, të cilat do të jenë të dokumentuara në gjendjet civile në njësitë bashkiake përkatëse, do të zgjidhen një sërë problemesh me të cilat qytetarët hasen çdo ditë. Vetëm pak muaj më parë është bërë dixhitalizimi i këtij shërbimi, ku tashmë është më e lehtë të bëhet verifikimi i të gjithë personave. Në rast të situatave problematike, apo qoftë në rastet e shpërndarjes së letrave postare, do të jetë më e lehtë për të gjetur vendndodhjen e banimit të qytetarëve. Në të tilla raste mund të përmendim rastet e urgjencave për probleme shëndetësore, ku mjekët e kanë më të lehtë për të shkuar në shtëpinë e qytetarëve. Po kështu, drejtoritë e shkollave do ta kenë më të lehtë për të gjetur familjen e një nxënësi, për çfarëdolloj situate. Punonjësit e postave mund të shpërndajnë letrat në çdo banesë, apo njësit bashkiake mund të kontaktojmë më lehtë me banorët e tyre për rastet e atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike, për personat me aftësi të kufizuar, për fëmijët e kopshteve dhe çerdheve. Të tilla situata mund të përmbledhin edhe një sërë çështjesh të tjera të përditshme që ndodhin me qytetarët.
Sistemi
Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se janë duke vijuar punën për realizimin e projektit të Adresarit të qytetit që do të krijojnë një standard të ngjashëm me qytetet europiane. Aktualisht ka përfunduar puna për emërtimin e të gjitha rrugëve dhe shesheve në qytetin e Tiranës, duke përmbyllur fazën e parë të projektit të Adresarit. Së shpejti këto emërtime do të jenë të hedhura edhe në sistemin GIS, në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, ku çdo qytetar do të ketë mundësi të futet pa pagesë. Ndërkohë, ka filluar puna për fazën e dytë të projektit, atë të numërtimit të godinave, që do të jetë edhe hapi i fundit drejt krijimit të Adresarit të Tiranës ku çdo godinë do të ketë për referencë një emër rruge në të cilën ndodhet, si dhe një numër të godinës dhe shkallës. Projekti zhvillohet në bashkëpunim me njësitë bashkiake dhe janë mbi 1000 emra rrugësh që figurojnë në Adresar, nga të cilat 840 janë emra të rinj. Me përfundimin e Adresarit, do të bëhet vijohet plotësimi i regjistrave të gjendjes civile, të cilat do të përshtaten me adresat e reja.

6 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›