E Diel, 1 Nëntor 2026

"Busulla" e Bujar Alimanit në Romë

MedFilm Festival ka nisur dje në Romë. Në edicionin e tij të
14-të, festivali i filmit ka nisur dje për të përfunduar më
16 nëntor, natë kur edhe do të jepen vlerësimet përkatëse.
Mes 40 filmave pjesëmarrës, nga vende si Italia, Spanja,
Bullgaria, Gjermania e Turqia, Tunizia etj., merr pjesë edhe një film
nga Shqipëria. Filmi "Busulla", i
regjisorit shqiptar Bujar Alimani,
është në konkurrim në kategorinë
e filmave me metrazh të shkurtër
për çmimin "Methexis". Historia e
Mirës, vajzës veriore, që shet
qumësht për të mbajtur gjallë
familjen e ngujuar nga gjakmarrja,
vazhdon të tërheqë vëmendjen e
publikut të huaj. "Busulla" është
një prodhim shqiptaro-grek, i vitit
2007, me regji dhe skenar të vetë
Alimanit dhe trajton edhe njëherë
problemin e gjakmarrjes dhe të mbijetesës. Në këtë pjesë të dramës
shqiptare interpretojnë aktorët, Bruno Shllaku, Lefter Simoni, Armand
Dauti, Agron Dizdari, Luçiana Vata e Rozina Prendi. Flitet
për gjakderdhje për hakmarrjen që akoma vazhdon edhe pse kemi
kaluar në një sistem demokratik. Ngjarjet e filmit janë reale, vajza
17-të vjeçare Mira lufton me jetën me vështirësitë e saj. Mira mësoi
makinën, shiti qumësht në fshat, duke mbrojtur vetveten me armë
për të nxjerrë bukën e gojës. "Busulla" është film me metrazh të
shkurtër, që rrëfen ngjarje të mëdha. Komunikimi ndërkulturor
mes vendeve është edhe qëllimi kryesor i këtij festivali traditë në
Romë. I tillë është edhe rasti i Turqisë dhe Gjermanisë, dy vendet
pjesëmarrëse si të ftuarat e nderit në këtë festival të përvitshëm.
Takimi mes këtyre dy vendeve, simbolizon në të njëjtën kohë edhe
takimin mes Lindjes dhe Perëndimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›