E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës denoncon 8 ministri: Janë debitore

TIRANE- Bashkia e Tiranës ka publikuar sot një tjetër listë institucionesh që rezultojnë të jenë debitore ndaj saj. Janë 8 ministri të cilat nuk kanë shlyer detyrimet e tyre për taksat dhe tatimet. “Dëshirojmë sot të denoncojmë publikisht një numër institucionesh të cilat janë debitore ndaj Bashkisë së Tiranës duke mos paguar detyrimet e tyre për taksat dhe tatimet. Lista është e gjatë, po përmendim disa prej tyre, Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve bashkë me institucionet e saj të varësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës me institucionet e saj të varësisë, Ministria e Mbrojtjes me institucionet e saj të varësisë, Ministria e Punës dhe Cëshjteve Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Shëndetësisë dhe institucioneve të saj të varësisë” bën të ditur Bashkia e Tiranës. Në një komunikim me mediat Bashkia e Tiranës nënvizon se Tirana europiane mund të ndërtohet vetëm nëse të gjithë janë të përgjegjshëm dhe kjo nis nga funksionarët e shtetit. “Tiranën europiane mund ta ndërtojmë vetëm nëse të gjithë jemi të përgjegjshëm dhe kjo përgjegjësi duhet të fillojë në radhë të parë nga funksionaret e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve qeveritare të cilët fatkeqësisht shumicën e orarit zyrtar të punës e shfrytëzojnë duke shpifur e trilluar në kurriz të bashkisë së tiranes.” thuhet në deklaratën e bashkisë së kryeqytetit. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›