E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Elbasan, zona më e madhe urbane e rajonit

30-04-2011 / Gazeta 55

Nis ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan, investimi më i madh publik i qeverisë “Berisha”, i cili që nga Porti i Durrësit krijon hapësirën më të madhe urbane në rajon. Autostrada do të jetë segmenti më nevralgjik i Korridorit të 8-të, por edhe një certifikatë besueshmërie e administratave Xhaferri, Basha e Hushi, të cilat do qeverisin 3 qytetet pas 8 majit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Kërrabës, si pjesë e kësaj autostrade. Në shenjë simbolike, kryeministri Berisha shkeli butonin e detonimit për shpërthimin e parë në gërmimet për tunelin e Kërrabës. Kryeministri tha se pranvera e vitit 2011 shënon fillimin e shndërrimit në realitet të ëndrrës së miliona e miliona udhëtarëve për ndërtimin e tunelit të Kërrabës që shkurton së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin dhe de fakto e bën Elbasanin qytetin më të afërt me Tiranën. Duke u ndalur në lehtësitë dhe zhvillimin që sjell ndërtimi i kësaj autostrade, kryeministri tha se ajo mbi-përgjysmon distancën e qarqeve të tjera, veçanërisht Korçës, rretheve të tjera të Elbasanit, Dumresë dhe së shpejti dhe Beratit, me kryeqytetin e vendit, krijon rajonin më të madh të tregut në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon, ku Tirana, Elbasani dhe Durrësi shndërrohen në një treg të përbashkët dhe fuqizon tregun në tërësi. Gjithashtu, edhe tregu i punës do të njohë dimensione krejt të reja. Autostrada shumëfishon potencialin turistik të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit dhe bën të mundur eksplorimin dhe zhvillimin e të gjitha potencialeve të mëdha turistike të kësaj treve që janë ndër më të rëndësishmet, ndër më të bukurat. “Shpreh kënaqësinë e madhe se kjo pranverë e vitit 2011, në datën 29 prill shënon fillimin e shndërrimit në realitet të ëndrrës së miliona e miliona udhëtarëve, të cilët të nisur drejt Tiranës, gjënë e parë që kanë imagjinuar, para se të ngjiteshin në majën e Kërrabës, ka qene një tunel për të arritur në kohën më të shkurtër në kryeqytetin e vendit. Kjo ëndërr fisnike e njeriut nis sot në këtë ceremoni shndërrimin e saj në realitet, në një hark kohor 18 mujor. Autostrada Tiranë – Elbasan, me tunelin e Kërrabës, përbën pas rrugës së kombin, veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historinë e kombit shqiptar. Kjo autostradë prej 31.7 km, me një tunel 2.4 km të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime, shpejtësi lëvizjeje 120 km në orë, shkurton së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin, shkurton në 2/3 këtë distancë dhe de fakto e bën Elbasanin qytetin më të afërt me Tiranën. Autostrada mbi-përgjysmon distancën e qarqeve të tjera, veçanërisht Korçës, rretheve të tjera të Elbasanit, Dumresë dhe së shpejti dhe Beratit, me kryeqytetin e vendit. Autostrada , duke iu referuar gjësë më të çmuar që ka njeriu, kohën, i dhuron një kohë çdo qytetari, çdo udhëtari. Autostrada Tirane- Elbasan krijon rajonin më të madh të tregut në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon. Tirana, Elbasani dhe Durrësi shndërrohen në një treg të përbashkët. Tregu i punës do të njohë dimensione krejt të reja. Qytetarët e Elbasanit do të mund të punësohen në Tiranë dhe të shpenzojnë pothuajse të njëjtën kohë, sa shpenzojnë aktualisht, por jo në të ardhmen, qytetarët e Kombinatit që punojnë diku afër Spitalit Nënë Tereza. Natyrisht edhe Tirana, pas 8 majit, do të ketë zgjidhjet e veta.  Autostrada shumëfishon potencialin turistik të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, bën të mundur eksplorimin dhe zhvillimin e të gjitha potencialeve të mëdha turistike të kësaj treve që janë ndër më të rëndësishmet, ndër më të bukurat. Autostrada Tiranë - Elbasan fuqizon tregun në tërësi, pasi fermerët e mrekullueshëm të Kolonjës, Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Gramshit, Dumresë, do të kenë mundësinë të arrijnë në Tirane në një kohë të përafërt me atë kohë që kapin epiqendrat e rretheve të tyre. Rruga është jetë dhe ne po shtrojmë një “gjallesë gjigande” që do të lidhë Tiranën me Elbasanin. Ndaj unë me këtë rast dua të përgëzoj dhe të përshëndes të gjithë qytetarët e Elbasanit, Elbasanin me aq merita në historinë dhe zhvillimin e vendit, të përshëndes qytetarët e qarkut të Korçës, të Beratit, të përshëndes qytetarët e Tiranës, pasi me këtë autostradë Tirana shndërrohet në një ndër metropolet më të mëdha të Evropës Juglindore dhe më gjerë”- u shpreh Berisha.

Gjithashtu, kryeministri nënvizoi se autostrada Tiranë- Elbasan është projekti i dytë infrastrukturor më i rëndësishëm ndërkombëtar dhe  është segmenti më nevralgjik i Korridorit të 8-të. “Sot ne po inaugurojmë autostradën dhe Tunelin e Kërrabës me një gjatësi rreth 31 km. Por ky është gjithashtu projekti i dytë infrastrukturor më i rëndësishëm ndërkombëtar. Ky është segmenti më nevralgjik i korridorit të 8-të, korridor ky që do lidhë Egnatian me rrugët e mëndafshit dhe do përfundojë në largësitë e mëdha të Azisë. Por ky është segmenti më i kushtueshëm, më i rëndësishëm, më nevralgjik për Boshtin e Jugut”- vlerësoi kryeministri. Kreu i qeverisë përshëndeti angazhimin dhe përkushtimin e Kompanisë greke AKTOR që do të realizojë ndërtimin e këtij projekti, duke theksuar se suksesi, eksperienca e shkëlqyer e kompanisë dhe  vendosmëria e qeverisë shqiptare për t’i dhënë përparësi absolute kësaj vepre, janë garancitë e plota të përfundimit të saj me sukses në 18 muajt që vijnë. Sipas kryeministrit, një pranverë tjetër shumë e afërt, pranvera e vitit 2013, do të bashkojë Tiranën me Elbasanin dhe se  me këtë akt madhor do të presin shiritin dy qytetarët e parë të Bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit; Lulzim Basha dhe Durim Hushi. “Një pranverë tjetër shumë e afërt, pranvera e vitit 2013, do të bashkojë Tiranën me Elbasanin dhe se me këtë akt madhor do të presin shiritin dy qytetarët e parë të Bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit; Zoti Lulzim Basha, të cilin unë dua ta falënderoj në mënyrë të posaçme, sepse ishte ai që në vitin 2009,  me fushatën e tij elektorale ndjeu, përjetoi forcën, fuqinë e ëndrrës së qytetarëve të Elbasanit. Ai u angazhua për këtë edhe me Princin e Emirateve të Bashkuara Arabe, me ministrin e jashtëm. Ai shpejtoi dhe garantoi financimin e kësaj vepre”- u shpreh ndër të tjera kryeministri Berisha.

Punimet për këtë autostradë do të realizohen nga Kompania e njohur greke AKTOR dhe parashikohet të përfundojnë brenda 18 muajve. Kjo autostradë ka një gjatësi prej 31.7 km, me një tunel 2.4 km të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi, deputetë të Elbasanit, Presidenti i Kompanisë greke Aktor, z. Dimitris Koutras, drejtues e punëtorë të kësaj kompanie, etj.

Parametrat kryesore të rrugës:

Gjatësia e Autostradës: 31.17 km

Afati i punimeve – 18 muaj nga dita e fillimit

Distanca Tiranë-Elbasan: 18 minuta

Segmenti: Tiranë – Lundër – Mullet – Elbasan

Tunel- 2

Gjatësia e tunelit: 2.3 km dhe 2.1 km

Gjatësia totale e tunelit për të dy tubat - 4.3 km

Shpejtësia e lëvizjes së automjeteve - 100-120 km/h

Autostrada - 4 korsi

Korsi emergjence - 1

Gjerësia e një vije kalimi - 3.75 m

Gjatësia e rrugës në mbushje - 18.5 km

Gjatësia e rrugës në gërmim - 17.4 km

Gjatësia totale e viadukteve - 4.65 km

Numri i mbikalimeve - 7

Numri i nënkalimeve - 4

Numri i viadukteve - 21

Numri i kryqëzimeve në disnivel - 3

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›