Meta: “Në Kamëz merr kuptim 8 maji si festë e votës”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë prezantimit të kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu kujton se Edi Rama po kërkon vota për luftë politike dhe se vetëm Aleanca për Qytetarin do ta shndërrojë 8 majin në një festë të votës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar dje pasdite një takim elektoral në Kamëz ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, z. Xhelal Mziu. Në prani të mijëra mbështetësve të koalicionit qeverisës “Aleanca për Qytetarin”, Meta bëri thirrje që më 8 maj qytetarët të votojnë vazhdimin e projekteve, në mënyrë që Kamza t’i shëmbëllejnë një qyteti të denjë Evropian. “Dua t’i uroj suksese kandidatit për “Aleancën për Qytetarin” z. Xhelal Mziu për zgjedhjet e 8 majit dhe për të çuar para shumë projekte të rëndësishme dhe madhore që ka nisur për komunitetin tuaj”- tha Meta. Ai theksoi se në këto 4 vite në Bashkinë e Kamzës janë inauguruar shtatë kopshte dhe shkolla të reja dhe shumë të tjera janë në proces ndërtimi. “Me këtë rast theksoj se sa e rëndësishme është që në këto katër vite, shtatë shkolla dhe kopshte të reja u inauguruan në Bashkinë e Kamzës dhe sa e rëndësishme është që edhe ato shkolla dhe kopshte që janë në proces dhe që do të realizohen brenda këtij mandati të ardhshëm që fillon me votën tuaj në 8 maj , do të garantojmë që ndoshta rrallë si ndonjë bashki tjetër të vendit që ka pasur kaq shumë zhvillime demokratike këtu në bashkinë e Kamzës të realizohet standardi evropian të numrit të nxënësve për klasë, kjo do të thotë një proces mësimdhënie dhe formimi për fëmijët tuaj të standardeve evropiane”- deklaroi kreu i LSI-së në prezantimin e kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie në Kamëz.
Ilir Meta vuri në dukje më tej se suksesi dhe zhvillimi urban i Kamzës është meritë e partneritetit shumë të mirë të bashkisë së këtij qyteti jo vetëm me qeverinë shqiptare, por edhe me donatorë të huaj. “Unë dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka arritja e partneritetit shumë të mirë të Bashkisë së Kamzës jo vetëm me qeverinë shqiptare por edhe me donatorët e huaj, me partnerët e huaj dhe falë këtij bashkëpunimi është bërë progres shumë i rëndësishëm jo vetëm për të zgjidhur problemet e energjisë elektrike që ka qenë një dramë e vërtetë për këtë komunitet në të kaluarën por njëkohësisht është bërë progres edhe për sa i takon çështjes së ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve dhe falë projektit madhor me qeverinë gjermane dhe KfË, prej gati 50 milionë eurosh kjo çështje do të zgjidhet një herë e mirë në mënyrë afatgjatë dhe kjo është një arritje shumë e madhe për të gjithë komunitetin tuaj”- deklaroi Meta. Duke u ndalur te punësimi, krye-objektivi i qeverisë shqiptare dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se është një premtim tërësisht real dhe i zbatueshëm. Sipas tij, problemi i papunësisë është një shqetësim i madh për qytetarët, por qeveria dhe kryetarët e bashkive kanë programe konkrete për punësimin, përmes nxitjes së biznesit, uljes së taksave dhe ndërtimit të qendrave tregtare dhe industriale- të cilat do të përbushin kërkesat e komunitetit. “Ne e dimë se problemi i papunësisë është një shqetësim dhe për banorët e Kamzës, por ju të gjithë e dini, sepse ka plot të tjerë që nuk e dinë, sepse pikërisht këtu në Kamzë po realizohet qendra më e madhe kombëtare e formimit profesional për të formuar në 22 profesione mjaft të rinj dhe të reja, një qendër me kapacitet 2500 persona. Që do të thotë një mundësi e jashtëzakonshme për t’i ndihmuar të gjithë komunitetit, sidomos të rinjve dhe të rejave që duan të hyjnë në tregun e punës për t’u integruar atje sa më shpejt me aftësi dhe me dinjitet. Ndaj unë jam i bindur se programi i kryetarit aktual dhe të ardhshëm të Bashkisë së Kamzës, z. Mziu përputhet edhe me ato prioritete të cilat ka edhe LSI, të cilat vënë në plan të parë interesat e komunitetit interesat e qytetarëve”- tha ai. Përsa i takon incidenteve elektorale, Meta tha se provokatorët duhen izoluar në mënyrë që askush të mos bjerë pre’ e incidenteve të sajuara. Sipas tij, sjelljet e papërshtatshme vijnë nga përaqësuesit e “rrugës së vetme” të cilët kërkojnë vota për incidente. “Ndërsa kandidatët e rrugës së vetme kërkojnë mandatet e kryetarëve të bashkive dhe komunave thjesht për t’i përdorur ato për konflikte politike me qeverinë, gjë që nuk është në interes të qytetarëve as në Kamëz dhe në asnjë bashki dhe komunë në vendin tonë. Zgjedhjet e 8 majit do të japim një mesazh shumë të rëndësishëm të emancipimit demokratik të gjithë shoqërisë sonë. Unë jam i sigurt se ky mesazh do të vijë edhe nga komuniteti juaj i mrekullueshëm prandaj ju ftoj të gjithëve të votoni kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” z. Mziu, votoni LSI-në, pasi përfaqësimi edhe më i madh i LSI-së në këshillin e bashkisë do të jetë një mundësi që ne të japim një kontribut në rritje për mirëqenien e këtij komunitetit të mrekullueshëm”- u shpreh ndër të tjera kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë mitingut elektoral në Kamëz, ku u prezantua kandidati për kryetar bashkie, Xhelal Mziu.