E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës i kërkon Kushtetueses, shpalljen antikushtetues të komisionit Rama 2

Kryetarit të Partisë Socialiste i cili është drejt perëndimit të jetës politike i duhet të përballet ndër të tjera edhe me procesin hetimor të ngritur ndaj tij, si drejtuesi i Bashkisë së Tiranës. Mesa duket shumat e majme të parave të fituara në këtë post, e kanë joshur aq shumë atë, saqë nuk e rrezikoi këtë post as për mandatin e deputetit. Ai u kritikua ashpër për këtë veprim, por pavarësisht kësaj nuk dha dorëheqjen si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke parandjerë në këtë mënyrë humbjen e thellë që do i shkaktonte të majtës. Pozicioni si kryetar i bashkisë së Tiranës, do të jetë i vetmi gur që Rama do të ketë në favor të tij për të sulmuar ashpër kundërshtarët e tij, nisur edhe nga fakti se një pjesë e mirë e socialistëve humbjen e thellë të të majtëve e etiketojnë me emrin Edi Rama. Procesi hetimor Rama 2 këtë radhë është zhvendosur tek Gjykata Kushtetuese, e cila ka zhvilluar ditën e djeshme seancën e parë mbi shqyrtimin e padisë së paraqitur nga Bashkia e Tiranës për pezullimin e vendimit të Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor Rama 2. Komisioni hetimor në raportin e tij në 23 prill 2009, konstatoi shkelje të procedurave te dhënies së lejeve të ndërtimit nga KRT-ja e Tiranës. Komisioni hetimor kërkon pezullimin e lejeve abuzive të Edi Ramës dhe është përqendruar në hetimet e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregullues. Kryefjala e akuzës janë lejet e dhëna për studion e Alban Eftimiut, i cili ka qenë shefi i urbanistikës së Tiranës. Në seancën e ditës së djeshme në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur pretendimet e të dyja palëve. Sipas përfaqësueseve të bashkisë komisioni parlamentar për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës është antikushtetues. Sipas përfaqësuesit ligjor të Bashkisë, komisioni parlamentar Për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës është antikushtetues dhe jo në kompetencën e organit të Kuvendit e si rrjedhojë, nuk mund të prodhojë pasoja ligjore. Ndër të tjera, përfaqësuesit e bashkisë së Tiranës pretenduan se ngritja e këtij komisioni hetimor cënon rëndë pavarësinë e institucioneve të pavarura si dhe prek autonominë lokale. Sipas tyre komisioni hetimor parlamentar mund të shohë zbatimin e ligjeve të veçanta, por nuk mund të ndërhyjë në dhënien e vendimeve të KRT-së, së bashkisë së Tiranës. Avokatët e bashkisë thanë se janë institucione të tjera kushtetuese si KLSH, ILDKP-ja, ato që mund të bëjnë hetimin administrativ dhe nëse konstatohen shkelje ose parregullsi në dhënien e lejeve të ndërtimit, ato mund të pezullohen vetëm me vendim gjykate. Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të Kuvendit, komisioni hetimor parlamentar nuk ka ndërhyrë në punët e bashkisë, por ka hetuar një çështje si lejet e cila është në interes të publikut. Përfaqësuesi i Kuvendit kërkoi moslegjitimimin e palës kundërshtare në gjykim me argumentin se kërkesës, drejtuar Gjykatës Kushtetuese i mungon objekti dhe legjitimimi i kërkuesit, pasi vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama nuk ka marrë leje përfaqësimi në dhënien e lejeve të ndërtimit, pasi është kryetar i KRT-së. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën e Bashkisë së Tiranës.
Vendimi
Sipas p/vendimit, të nënshkruar nga rreth 40 deputetë të maxhorancës dhe të paraqitur në Kuvend nga deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri, komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregullues. Komisioni hetimor do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita. Kryetari i tij do të jetë nga grupi politik nismëtar, ndërsa nënkryetari nga opozita. Veprimtaria e këtij komisioni do të përfshijë një periudhë trejavore nga krijimi i tij, një kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit. Në emër të Partisë Demokratike, deputeti Ferdinand Xhaferri dorëzoi pak ditë më parë kërkesën e firmosur nga 40 deputetë. Pjesë e tij janë Edi Paloka, Ferdinand Xhaferri, Aldo Bumçi, Gjok Vuksani, Lajla Përnaska. Tashmë në pozitat jo vetëm të kryetarit të Bashkisë por edhe të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama do të përballet për herë të dytë me akuzat e demokratëve për korrupsion dhe abuzim me lejet e ndërtimit. Më parë në vitin 2003 kryebashkiaku u vu në qendër të një tjetër komisioni hetimor që pati si objekt shpërdorimin e fondeve publike në bashkinë e kryeqytetit, i kryesuar nga Sokol Olldashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›