Meksi: Qeveria Berisha-Meta ngelet për tu parë
Kryetari i Polit të Lirisë, Aleksandër Meksi deklaroi se bashkëqeverisja midis demokratëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim do të ngelet për tu parë, ndërsa është i bindur se shumë shpejt ky koalicion do të dështojë. Meksi deklaroi se bashkimi i Partisë Demokratike dhe LSI, për të qeverisur vendin, është një koalicion që nuk bind për të ardhmen, sipas tij kjo qeveri e krijuar nuk do të mund të vazhdojë gjatë. Sipas tij deklaratat e dy krerëve, Metës dhe Berishës, se programet e këtyre dy partive janë të njëjta, nuk është e vërtetë, sipas tij në të gjitha programet e partive politike mund të gjesh pika të përbashkëta, por kurrsesi nuk mund të flitet se ka të bëjë me një ngjashmëri të plotë programesh.
Meksi theksoi se sa do program të djathtë mund të ketë LSI, asnjëherë një parti e majtë nuk mund të bashkëqeverisë me një parti të djathtë për një kohë shumë të gjatë. Unë mund të them vetëm se kjo lojë politike e Berishës ngelet për tu parë, por është një politikë që nuk bind shumë duke patur parasysh egon e madhe të Berishës për të ruajtur pushtetin, u shpreh Meksi. Ndër të tjera ai theksoi se Berisha tregoi edhe një herë se nuk ka ndryshuar si njeri në politikë por as në mentalitet, Sipas tij lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, tregoi se do të qeverisë i vetëm, por kur nuk ja arrin qëllimit ai mund të bëjë pakt me këdo, por jo për të mirën e kombit dhe të vendit, por për të mirën e tij që ai të mos humbë pozicionin e tij, dhe të mos qëndrojë në opozitë, sepse persona si ai kërkojnë që të jenë mbretër. Ndërsa për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Meksi deklaroi se është një forcë e re dhe me ideale të djathta, por ra shumë shpejt në grackën e Berishës. LSI, ishte përgatitur që të vinte në pushtet, dhe ishte e vetmja forcë politike e cila i rezistoi shfarosjes që kërkonin të bënin Berisha dhe Rama, por nuk duhet të harrojmë që Berisha shumë shpejt do të vendosë diktatin e vet, dhe kjo do të sjellë dhe çarjen e këtij bashkëpunimi PD-LSI, theksoi Meksi. Ndërkohë ai deklaroi se Poli i Lirisë, dhe të gjitha partitë e tjera që bëjnë pjesë në këtë koalicion do të kërkojnë me çdo kusht rikthimin e të drejtave të tyre, sipas Meksit këto parti do ti drejtohen edhe gjykatës në rast se do të jetë e nevojshme, derisa drejtësia të vihet në vend. Votën e lirë të shqiptarëve nuk mund ta pengojë dhe ta vjedhë askush. Nuk mund të lejojmë Berishën apo të tjerë që ta përdorin votën e shqiptarëve sipas interesave të tyre, tha Meksi. Në përfundim të fjalës së tij Meksi deklaroi se partitë e koalicionit Poli i Lirisë, nuk do të dorëzohen me përgjigjen e parë që do të japë KQZ, por do të vazhdojnë të kërkojnë gjithmonë të drejtat e tyre dhe të votuesve të tyre, të cilët sipas tij ishin me qindra mijëra.