E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Rama të pranojë humbjen, sovrani nuk donte lider për interesa personale

Partia Demokratike deklaron se fitorja e saj në këto zgjedhje është më se e merituar, dhe kjo forcë politike do të qeverisë vendin edhe për katër vitet e ardhshme, për të çuar Shqipërinë përpara. Në një prononcim për gazetën SOT, kryetari i Partisë Demokratike, dega Tiranë, Aldo Bumçi, i cili fitoi mandatin e deputetit dhe do të jetë pjesëmarrës në parlamentin e ardhshëm, u shpreh se PD, e meritoi fitoren në këto zgjedhje të 28 qershorit. Bumçi deklaroi se këto zgjedhje ishin shumë të drejta dhe vullneti i popullit shqiptar vendosi edhe një herë se është PD ajo që do të qeverisë vendin edhe për katër vitet e ardhshme. Sipas tij PD tregoi dhe në mandatin e kaluar që është një forcë politike e cila ka punuar për stabilitetin e vendit në të gjithë sektorët. Vullneti i popullit shqiptar ishte që edhe për katër vitet e ardhshme të jetë Partia Demokratike ajo që do të qeverisë Shqipërinë. Sepse ne e kemi treguar me punën tonë gjatë katër viteve të shkuar se jemi një parti e cila ka punuar për të ndryshuar vendin, u shpreh Bumçi. Ai theksoi se qeveria e re që do të krijohet do të fillojë menjëherë nga puna për të realizuar premtimet që ju bëri shqiptarëve para zgjedhjeve, ku theksoi se këto katër vjet do të jenë dhe vitet e sfidës së madhe, ku PD do të kërkojë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ndërsa për koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Bumçi theksoi se kjo ishte dhe zgjidhja më e mirë për vendin, sepse qeveria që do të krijohet do të jetë një qeveri e shqiptarëve dhe për të gjithë shqiptarët. Sipas tij bashkimi i programeve të PD dhe LSI, do të sjellë edhe një përparim të shpejtë të vendit. Ai theksoi se bashkëpunimi me LSI, ishte dhe një zgjedhje perëndimore, pasi në të gjitha shtetet perëndimore kur ka ngërçe qeverie, të dyja forcat politike gjejnë një zgjidhje të përbashkët për të mos e çuar vendin drejt një krize, dhe këtë bëri dhe LSI duke ju përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Gjithashtu ai deklaroi se edhe programet e dy partive janë të ngjashme, dhe janë dy programe të cilat në themel të tyre kanë si bazë ngritjen e ekonomisë së vendit, uljen e papunësisë, si dhe plotësimin e reformave për të çuar vendin drejt Bashkimit Evropian. Kemi dy programe të cilat janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, dhe të dyja programet janë shumë demokratike të cilat janë për të vazhduar rrugën e nisur nga qeveria demokratike katër vjet më parë, theksoi Bumçi. Ndër të tjera ai vlerësoi dhe falënderoi të gjithë votuesit shqiptarë për kulturën e treguar ditën e zgjedhjeve, por edhe në vazhdim, dhe deklaroi se është Partia Socialiste ajo që po pengon zhvillimet në Shqipëri. Sipas Bumçit, PS dhe kryetari i saj Edi Rama, edhe pse kanë deklaruar se kanë një politikë të re, po vazhdojnë të tregojnë një politikë shumë të vjetër, dhe po pengojnë me të gjitha mënyrat që Shqipëria të mos integrohet në Bashkimin Evropian. Ai tha se PS, nuk po tregon asgjë të re në politikën e saj, jo vetëm që po pengon vendin në plotësimin e standardeve, por më kot po përpiqet që të shkatërrojë dhe sistemin zgjedhor, ku nuk po lejon KQZ që të japë verdiktin përfundimtar, dhe herë pas here del dhe deklaron që nuk do të njohë zgjedhjet. Unë mendoj se politika e Partisë Socialiste nuk ka ndryshuar, por përkundrazi është kthyer shumë vite pas. Ne jemi fituesit e këtyre zgjedhjeve sepse kështu vendosi vullneti i shqiptarëve në 28 qershor, ndërsa PS nuk do ta pranojë, dhe nuk lejon që të përmbushet vullneti dhe dëshira e popullit. PS po bën një lojë shumë të keqe dhe po na bën të dukemi sikur ne jemi një popull i egër dhe që nuk e duam demokracinë, deklaroi Bumçi. Sipas tij, Rama po kërkon të pengojë KQZ për të nxjerrë rezultatet përfundimtare, por jo se nuk e di që i ka humbur zgjedhjet kohë më parë. Sipas tij, Rama i ka humbur zgjedhjet që në momentin që nuk pranoi të kandidonte. Bumçi tha se kjo lojë e Ramës po bëhet që ai të mos japë dorëheqjen nga kreu i PS, sepse sipas tij, Rama është një person që ka vetëm një qëllim në jetë që të jetë lider kudo, por jo për të mirën e vendit por për interesat e tij personale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›