E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solis: Debati PD-PS për votat, debat midis hajdutësh

Nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, ka deklaruar se debati ndërmjet Partisë socialiste dhe asaj demokratike për vjedhje votash dhe manipulim, është një debat i cili po bëhet ndërmjet dy hajdutëve. Solis deklaroi se debati PD-PS, për vjedhje dhe manipulim votash është një debat i cili po bëhet ndërmjet dy hajdutëve, se cili nga këta ka vjedhur më shumë dhe cili më pak. Sipas tij partitë që janë vjedhur dhe ju është manipuluar vota janë vetëm partitë e vogla të cilët nuk patën komisionerë në procesin e numërimit të votave, por votat e tyre ishin në dorë të Partisë socialiste dhe të Partisë demokratike, por që nuk u ruajtën por u vodhën prej tyre. Sipas Solis, PS nuk e zbatoi paktin me aleatët për ruajtjen e votës së tyre por përkundrazi ju vodhi vota aleatëve, për të përfituar sa më shumë mandate për vete. Solis deklaroi se vota e PBDNJ, dhe e partive të tjera të cilat nuk kanë patur asnjë komisioner, është vjedhur në tre momente. Momenti i parë sipas tij ka qenë para zgjedhjeve, ku dy partitë e mëdha kanë blerë votën, momenti i dytë ka qenë gjatë procesit të numërimit të votave, ku komisionerët e dy partive votat e partive të vogla i numëronin si votë të tyren dhe momenti i tretë është gjatë publikimit të rezultateve, ku komisionerët në KZAZ të cilët i përkisnin dy partive të mëdha shënonin në procesverbale vetëm votat e tyre, ndërsa votat për partitë e tjera nuk i bënin publike. Gjithashtu, Solis ka kërkuar disa herë rinumërim të votave në Tiranë, duke deklaruar se gjatë këtij procesi ka pasur manipulime të shumta në dëm të PBDNJ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›