E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, dhunohet selia e PBDNJ

Selia e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në qytetin e Fierit, është sulmuar nga disa persona të paidentifikuar të cilët kanë dëmtuar logon e PBDNj-së, kanë thyer xhamat si dhe kanë shkatërruar dhe disa simbole. Denoncimin për këtë ngjarje e ka bërë vetë kreu i partisë së PBDNJ, dega Fier, Arqile Piperi, i cili ka dënuar aktin në fjalë sapo e ka konstatuar atë. Piperi ka deklaruar se ky akt i shëmtuar është dhe duhet cilësuar si një dhunim i komunitetit fierak, ndërsa ka thënë se akti në fjalë cënon integritetin e vendit. Nuk dua ta artikulojë një luftë politike dhe do të dëshiroja të mos ishte e tillë. Sapo erdha në mëngjes vura re se në mjediset jashtë zyrës gjithçka ishte thyer e dhunuar. Nuk mendoj për dëmin e krijuar, por mendoj për faktin e mënyrës së si është ushtruar dhuna, e cila nuk ka kursyer asgjë që ka gjetur në ambientet e jashtme, deklaroi Piperi. Sipas tij, nuk është hera e parë që PBDNJ i ndodh kjo gjë sepse, situata të tilla kanë ndodhur edhe gjatë fushatës. Piperi e quajti këtë si një ngjarje të rëndë dhe deklaroi se këtë incident e lidh me persona që nuk u pëlqen politika e PBDNJ, por edhe me qarqe të veçanta në Shqipëri. Këtu nuk është dhunuar thjesht dhe vetëm institucioni politik ose logoja e partisë, por është dhunuar i gjithë komuniteti i Fierit. Kërkoj që policia të marrë masa për gjetjen e autorëve përgjegjës, ka përfunduar kreu i PBDNJ, në Fier, Piperi.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›