E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Metodika t'i kthehet Komitetit

22/02/2005  Grupi parlamentar i PD-së kërkon thjeshtëzimin e formulave për llogaritjen e çmimit

Parlamenti do të nisë shqyrtimin e draftit brenda tri javëve

Partitë parlamentare kanë vendosur që të nisin shqyrtimin e metodikës së vendosjes së çmimit për tokat në Shqipëri, brenda tri javësh. Gjatë seancës së zhvilluar dje, deputetët kanë pranuar diskutimin me procedurë të përshpejtuar. Por duket se kjo çështje do të jetë dhe më e ndërlikuar, pasi disa deputetë kanë kërkuar që Komiteti të rishqyrtojë termat e përdorura, pasi janë tepër të ndërlikuara.

Kërkesa

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, tha dje se metodika e sjellë në parlament nga Komiteti i Pronave duhet rë ripunohet, me qëllim që të bëhet më e kuptueshme për ligjvënësit. Sipas Topit, metodika e hartuar ka shumë shifra matematikore dhe në shumë raste ështe e padeshifrueshme nga deputetët në komisione. Ndaj, Topi ka kërkuar nga Grupi parlamentar i PD, që t'i propozohet Kryesisë së parlamentit të kthejë për rishqyrtim draftin në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me qëllim thjeshtëzimin e tij. "Unë kam propozuar në Grupin parlamentar që metodika t'i kthehet për thjeshtëzim edhe një herë Komitetit të Pronave. Aty ka mjaft shifra matematikore. Kjo e vështirëson shumë punën e deputetëve në komisione. Prandaj lind nevoja që Komiteti ta thjeshtëzojë atë, ta bëjë më të kuptueshme dhe më pas metodika do të kalojë nëpër komisionet parlamentare për përmirësimet e nevojshme", tha Topi. Gjithsesi, sipas kreut të Grupit parlamentar të PD-së, deri më tani ideja e tij mbetet për t'u diskutuar, pasi nuk është marrë ndonjë iniciativë parlamentare për këtë qëllim.

Formulat

Metodika e pronave u hartua para pak kohësh nga Komiteti i Pronave, i cili më pas ia kaloi parlamentit për ta miratuar. Në draft është dhënë mënyra dhe kriteret për llogaritjen e çmimit të tokës në procesin e kthimit dhe kompensimit të tokave ish-pronarëve. Komiteti ka vendosur të paraqesë tri kategori për vendosjen e çmimit. Kështu, toka truall në zonat urbane do të ketë kritere të tjera nga toka bujqësore, apo trualli në bregdet. Për vlerësimin e trojeve, Komiteti ka propozuar dy formula. E para, që trualli të bazohet në çmimin e tregut, ku për këtë qëllim do të përdoren të dhënat e agjencive imobiliare, dhe formula e dytë bazohet në kriteret e ndërtueshmërisë së tokës. Në metodikë thuhet se njësia minimale për kompensim fizik në tokën shtetërore brenda vijave të verdha nuk duhet të jetë nën 1000 m2. Ndërsa për tokat bujqësore, kriteret janë vënë në bazë të prodhimtarisë, të largësisë nga qendrat e banuara dhe të vaditshmërisë së saj. Specialistët janë të mendimit se sa më e vaditshme të jetë toka, aq më shumë prodhim presupozohet të merret prej saj. Për kompensimin e tokave bujqësore janë marrë parasysh dhe kushtet klimaterike në vendet ku ato ndodhen.

Parlamenti

Dokumenti i hartuar nga Komiteti i Pronave pritet të diskutohet brenda tri javësh të ardhshme në parlamentin shqiptar. Metodika nuk ka nevojë për një shumicë të cilësuar dhe si e tillë votohet me shumicë të thjeshtë. Gjithsesi, ky draft duhet që të kalojë më parë në Komisionin e Bujqësisë, Financave dhe më pas në atë të Ligjeve, për t'iu bërë dhe ndryshimet e nevojshme. Por, duket se paraqitja me shifra matematikore që flet për ndarjen e tokës, ka krijuar një konfuzion mes ligjvënësve shqiptarë, të cilët i ka gjetur të papërgatitur. Paraqitja e ndërlikuar që i kanë bërë specialistët e Komitetit të Pronave mënyrës se si do kthehen dhe kompensohen pronat ka vonuar punën e shqyrtimit të metodikës në komisione. Nga drafti i paraqitur duhen zbërthyer më parë formulat matematikore, të bëhet shpjegimi i tyre me fjalë, dhe më pas të diskutohet për përmirësimet e mëtejshme të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›