E Hënë, 2 Nëntor 2026

Opozita propozon komision hetimor për privatizimet

22/02/2005  Berisha akuzon për korrupsion ministrin e Ekonomisë

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar dje në Kryesinë e parlamentit kërkesën me 37 firma deputetësh për ngritjen e një komisioni hetimor për privatizimet e bëra në Shqipëri. Nismën e re të opozitës e bëri të ditur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se qeveria në prag të largimit të saj nga pushteti i është vërsulur pronave publike për t'i privatizuar me çmime të ulëta. Berisha ka akuzuar për korrupsion ministrin e Ekonomisë, Anastas Angjelin, i cili me anë të një shkrese i ka kërkuar të gjitha institucioneve shtetërore informacion për objektet që ende nuk janë privatizuar. "Unë do t'u lexoj ju shkresën që, më një shkurt, Mamuthi i korrupsionit, apo Naçi i korrupsionit, Angjeli u drejton të gjitha ministrive. Ministria e Ekonomisë me të drejtën e përfaqësuesit të pronës shtetërore, sipas ligjit 88 84, datë 22.4.1992, është e angazhuar për vënien në eficencë të plotë të pronës shtetërore. Për këtë kërkoj të dërgohet lista e të gjitha objekteve shtetërore, që janë në varësinë tuaj administrative, duke sqaruar statusin aktual, aktivitetin që kryen, si dhe gjendjen fizike. Gjithashtu, jepni mendimin tuaj për objektet shtetërore, në të cilat kryhet pjesërisht, apo nuk kryhet aktivitet ekonomik, duke i dhënë përparësi privatizimit, ose dhënies me qira. Bashkalidhur kemi matricën e të dhënave, e cila të dërgohet pranë Ministrisë së Ekonomisë, brenda datës 25 shkurt", tha Berisha, duke iu referuar letrës së Ministrisë. Sipas tij, për këtë qëllim, do të kërkohet dhe një seancë me debat me ministrin e Ekonomisë. "Që sot do të mblidhen të gjitha firmat për debat me procedurë urgjente në parlament. Komisioni do të punojë veçmas, debati do të jetë veçmas", tha Berisha. Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore përpara zhvillimit të zgjedhjeve ka ngjallur reagimet e opozitës shqiptare. Vetëm pak ditë më parë ishin republikanët, që propozuan bllokimin e privatizimeve deri në zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Deputetët e opozitës janë të mendimit se privatizimi i objekteve shtetërore përpara zgjedhjeve, jo vetëm që po bëhet në mënyrë arbitrare, por po ul dhe vlerën e reale të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›