Topi, biznesmenët të nënshkruajnë kontaratë para kandidimit
22/02/2005 Nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, tha dje se kandidimi i biznesmenëve do të varet nga disa kritere, me qëllim që të mos bien ndesh interesat e individit me angazhimet politike që këta do të ndërmarrin. Sipas tij, në rast se një biznesmen kërkon të hyjë në politikë duhet të nënshkruajë një kontratë, ku të ndajë biznesin nga angazhimet e tij politike. “Një biznesmen, i cili ka një biznes të caktuar, mund të futet në politikë brenda marrëdhënieve, të cilat do të krijohen në mënyrë reciproke mes subjektit politik dhe biznesmenit. Ka një kuadër të përgatitur dhe do të jenë specialistët, ata që do ia bëjnë të qartë biznesmenëve që duan të futen në politikë. Kontrata parashikon një shmangie nga përfaqësimi në biznes dhe kërkon që të mos jetë me titull ekzekutiv personal. Biznesi mund të jetë dhe një shoqëri aksionere, ose t'i delegohet dikujt tjetër. Pra, ka shumë modalitete teknike, të cilat kërkojnë një trajtim të veçantë. Por, në esencë, janë të gjitha këto mënyra që mundësojnë një binzesmen të integrohet në politikë. Jemi duke përgatitur të gjithë kuadrin ligjor, i cili ka një bazament politik të caktuar”, tha Topi.