E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështoi skema e Bashkisë - Policia e Tiranës gati të ofrojë ekspertizën

Drejtori i Policisë së Tiranës, letër kryebashkiakut Edi Rama për trafikun në kryeqytet


Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka shprehur shqetësim për kaosin e trafikut gjatë ditëve në fundit në kryeqytet. Përmes një letre drejtuar dje Bashkisë së Tiranës, Vocaj, thekson angazhimin e policisë së kryeqytetit, për të rikthyer normalitetin, por më parë, institucioni vendor, duhet të verë në dispozicion skemën e trafikut të kërkuar nga autoritetet. “Në vijim të komunikimeve të mëparshme, Ju sjellim në vëmendje se Policia e Kryeqytetit ka bërë përpjekje maksimale për zbatimin e skemës së re të trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, duke planifikuar shërbime shtesë në të gjitha pikat kyçe të këtij plani. Megjithë masat e marra nga shërbimet e policisë, konstatohet kaos i lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve, në të gjitha segmentet rrugore që kanë lidhje me sheshin “Skënderbej”, dhe konkretisht: Rruga e Kavajës nga 21-Dhjetori drejt sheshit “Skënderbej”, rruga e Durrësit nga Zogu i Zi drejt sheshit “Skënderbej”, rruga “Dëshmorët e 4-Shkurtit” nga Semafori i Muzeut Historik Kombëtar deri tek kryqëzimi me Bulevardin “Zhane D’Ark”, bulevardi “Zogu i I-rë” në të gjithë gjatësinë e tij, drejt sheshit “Skënderbej”, segmenti rrugor “Dedë Gjon Luli” në të gjithë gjatësinë e saj, rruga e Dibrës në të gjithë gjatësinë e saj drejt sheshit “Skënderbej”, rruga “Hoxha Tahsim” nga Unaza në Rrugën “Bardhyl” deri tek sheshi “Sulë Pasha”, segmenti rrugor nga kryqëzimi i Rrugës “5-Maji”, Siri Kodra, Karl Gega, Jordan Misja deri tek Don Bosko, etj”- deklaron në letrën etij, Vocaj. Ai shkruan më tej se bllokimi i sheshit “Skënderbej” ka cenuar rëndë situatën e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, gjë e cila është evidentuar gjatë gjithë këtyre ditëve, ku si pasojë e devijimeve të trafikut, shumë kryqëzime dhe rrugë kanë marrë një ngarkesë tej normave dhe të pa përballueshme nga shërbimet e policisë. “Vazhdimi i zbatimit të kësaj skeme do të përkeqësojë më tej situatën e trafikut rrugor në qytet, si dhe jetën normale të qytetarëve. Duke përsëritur shqetësimin në lidhje me situatën aktuale të trafikut në qytetin e Tiranës, ofrojmë të gjithë ekspertizën profesionale dhe bashkëpunimin tonë në kërkim të një zgjidhje të problemeve të shkaktuara nga zbatimi i skemës së trafikut te kërkuar nga autoritetet e Bashkisë së Tiranës. Duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj”, përfundon letrën e tij, drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›