E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës normalizon vendin e mbetjeve në Sharrë

24/08/2011  Zeneli: Nuk kishte kontroll të territorit dhe nuk funksiononin mjetet teknike

Bashkia e Tiranës ka normalizuar gjendjen në venddepozitimin e mbetjeve në Sharrë. Pas situatës problematike të kohëve të fundit, e cila ishte jashtë kontrollit dhe rrezikohej seriozisht një investim jetik për kryeqytetin. Bashkia e Tiranës mori masa urgjente, për sigurimin e të gjitha burimeve potenciale, njerëzore, teknike dhe financiare, për të siguruar një menaxhim korrekt dhe sipas standardeve mjedisore të mbetjeve urbane në Sharrë. Në Fushën e Sharrës mungonte kontrolli i territorit dhe kjo zonë ishte kthyer në një vend biznesi, për interesa të paligjshme. Gjithashtu, mjetet teknike për shkak të keqpërdorimit dhe neglizhencës ishin jashtë funksionit, çka ka bërë që prej disa muajsh, në Sharrë të mos kryhej shtyrja dhe ngjeshja e mbeturinave, duke krijuar një problem të madh për qytetin. “Gjendja ishte e rëndë. Bashkia mori masa për normalizimin e situatës. Ne riparuam dhe vumë në punë mjetet dhe futëm nën kontroll territorin. Tani kemi një funksionim normal të venddepozitimit të mbetjeve, këtu në Sharrë. Bashkia e Tiranës është e angazhuar në shfrytëzimin në mënyrë efiçente të aseteve të saj, në funksion të ruajtjes së pastërtisë së qytetit dhe respektimit të standardeve mjedisore”, - u shpreh Drejtori i përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve, në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli. Duke qenë se venddepozitimi i mbetjeve ishte lënë tërësisht jashtë kontrollit, rreziku i shpërthimit të zjarreve ishte evident, çka do të ishte me pasoja mjaft të rënda, jo vetëm për banorët që jetojnë në këtë zonë. Ndërhyrja e Bashkisë, në bashkëpunim dhe me MPPT solli normalizimin e gjendjes dhe shpëtimin e projektit, ku deri më tani janë implementuar 3.5 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›