E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës përcakton taksat që do të paguajë biznesi i vogël



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës përcakton taksat që duhet të paguajë biznesi i vogël gjatë këtij viti që sapo ka nisur. Specialistët bëjnë publike procedurat që duhet të ndjekë çdo taksapagues për të bërë shlyerjen e detyrimeve vjetore. Subjektet e biznesit të vogël njoftohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore për detyrimin tatimor, dorazi apo nëpërmjet postës. Pas marrjes së njoftimit të interesuarit mund të paraqiten në një nga bankat e qytetit të Tiranës, duke deklaruar të dhënat e NIPT-it, shumën e paguar për çdo taksë dhe tarifë vendore, të përcaktuara nga Bashkia e Tiranës. Kjo është mënyra se si duhet bërë pagesa e biznesit të vogël, e cila jepet e detajuar nëpërmjet formularit që duhet të plotësojë çdo subjekt për biznesin e vet dhe xhiron vjetore, apo vendndodhjen e saktë të biznesit. Bashkia ka përcaktuar se afati i fundit i shlyerjes së këtyre pagesave do të jetë 20 prilli për pagesën e këstit të parë, 30 qershori për pagesën e këstit të dytë dhe 20 tetori për këstin e tretë.
Mospagimi
Në disa raste, bizneset nuk i paguajnë taksat që i detyrohen bashkisë. Kështu, sipas ligjit për procedurat tatimore, janë vendosur disa etapa për njoftimin e të gjithë debitorëve, ku u lihet një afat i shkurtër deri në marrjen e masave. Etapat janë këto: njoftimi i detyrimit (30 ditë afat për pagesë); urdhër bllokimi në bankë për llogaritë bankare që mund të kenë (30 ditë afat); bllokim me Policinë Bashkiake (30 ditë) dhe veprimi i fundit që mund të ndërmarrë Bashkia është sekuestrimi i pasurisë, si hap i fundit, ose kallëzim penal në prokurori. Shlyerja e detyrimeve për bizneset është parashikuar në disa afate kohore brenda një viti, ku shlyerja mund të bëhet deri në tri data të caktuara në bazë të rregullores.
Taksat
Paketa fiskale e miratuar një vit më parë jep të detajuar të gjitha kontributet që duhet të paguajnë taksapaguesit brenda këtij viti. Përsa i përket pastrimit të qytetit, taksa e pastrimit do të pësojë një rritje nga viti i kaluar. Kështu, taksa e pastrimit për këtë vit është 4000 lekë dhe do të bëhet 5 000 lekë në vitin 2010. Taksa e gjelbër ndryshon në mënyrë progresive deri në vitin 2010, duke u bërë 400 lekë për 2009-n dhe 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset ato janë pak më të larta. Për vitin në të cilin ndodhemi, kjo tarifë shkon në vlerën e 4 mijë lekëve. Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, do të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është me e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato duhet të paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi, është 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin që të favorizojë bizneset, si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit, si shkollat, kopshtet apo çerdhet dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›