E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha është mbi gjykatat, rrethon si nazistët gazetën “Tema”

Policia theu urdhrin gjyqësor për mosndërhyrje deri në pritje të vendimit të formës së prerë. Dje, gazetarët dhe drejtuesit e gazetës nuk janë lejuar të hynin dhe të dilnin nga redaksia

Tiranë - Forcat e policisë kanë rrethuar dje pasdite godinën e gazetës “Tema”, duke mos lejuar hyrjen e gazetarëve. Qeveria pretendon se kjo godinë është e një rëndësie të veçantë dhe do të shërbejë si vendi ku do të bëhen kartat e identitetit. Vendimi i qeverisë për largimin e redaksisë së gazetës së botuesit Mero Baze është hedhur poshtë nga Gjykata e Faktit. Por qeveria e ka shkelur vendimin duke dërguar dje forcat e policisë për të rrethuar godinën dhe për të penguar punën e gazetarëve. Baze ka thënë se veprime të tilla nuk janë gjë tjetër veçse tentativa të qeverisë për të mbyllur një gazetë që denoncon hapur aferat korruptive të qeverisë. “Policia është vetëm një vegël e qeverisë, e cila ka urdhëruar të na bllokohet puna”, - ka thënë Baze. Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe Ambasada Amerikane, e cila ka thënë se ky veprim është i jashtëligjshëm përderisa ekziston një proces i rregullt ligjor në lidhje më këtë çështje.
Vetëm pak ditë më parë botuesi i gazetës “Tema” ka hedhur akuza të rënda kundër qeverisë së Berishës, pasi makina e tij mori flakë në mënyrë të dyshimtë. Baze këmbëngul se ky ishte një akt personal kundër tij nga ana e qeverisë, si kundërpërgjigje për akuzat e hedhura kundër Berishës nga ana e tij.
Vendimi
Kryeministri Sali Berisha vendosi tri javë më parë rrethimin me policë të ambienteve ku është e vendosur gazeta “Tema”, për ta detyruar stafin që të largohet prej tyre, edhe pse ambientet janë marrë falë një kontrate të rregullt koncesionare 20-vjeçare, fituar në mënyrë të rregullt dhe zbatuar në mënyrë strikte, duke realizuar investime në mjedise dhe makineri. Por gjithçka në mënyrë flagrante u shkatërrua me vendimin e Këshillit të Ministrave, që e shpalli objekt të rëndësisë së veçantë Tipografinë Ushtarake, ku ndodhen dhe ambientet e shoqërisë “Mediasoft”, që boton gazetën “Tema”. Por, më datë 16 dhjetor, ministri i Ekonomisë dhe Privatizimeve ka vendosur të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën me kompaninë “Mediasoft”, për t’i paraprirë këtij vendimi qeveritar. Vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme, pa i bërë asnjë njoftim kompanisë. Vendimi me sfond politik synon goditjen e gazetës “Tema” për qëndrimet e saj. Kjo për shkak se në këto ambiente janë të vendosura katër kompani të ndryshme, “Sagem”, Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, Tipografia Ushtarake dhe shoqëria “Mediasoft”. Ajo që është për t’u theksuar është se shoqëria dhe ambientet e gazetës “Tema” nuk kanë aspak lidhje fizike me vendin ku do bëhen dokumentet e identifikimit.
Përgjigje
Gazeta “Tema” ka angazhuar një studio ligjore që të hedhë poshtë pretendimin për prishje të njëanshme të kontratës për interes publik, pasi rrezikohet siguria e njërës prej kompanive që punojnë aty. Kjo goditje ishte e mirëplanifikuar për të dëmtuar gazetën “Tema”, pasi dy makineritë e shtypit, të montuara aty, duan së paku 6 muaj të lëvizin nga ky vend dhe kërkojnë super-shpenzime të tjera për montim dhe çmontim. Më 10 dhjetor 2008, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë të prishë në mënyrë të njëanshme këtë kontratë, pasi, sipas saj, kompania franceze ka nevojë për një mjedis më të sigurt. Nga tri kompanitë e tjera, përveç kompanisë franceze, qeveria ka përzgjedhur vetëm gazetën “Tema” për të larguar. Gazeta “Tema” gjendet ndërkohë jashtë korpusit të ndërtimit ku është kompania franceze, ndërsa dy kompanitë e tjera janë brenda saj. Më 16 dhjetor, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka urdhëruar prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme, ndërsa më 17 dhjetor qeveria shqiptare ka marrë vendim për ta shpallur territorin objekt me rëndësi të veçantë që do të ruhet me policë të Ministrisë së Brendshme.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›