E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mashtroi me mbjelljen e ullirit, “privatizoi” projektin e BE-së



Habjon Hasani

Tiranë - Kryeministri Sali Berisha duket se ka abuzuar politikisht dhe publikisht kur ka shpallur iniciativën kinse të tij për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ulliri. Prej tre muajsh, Berisha “ka harruar” t’u thotë shqiptarëve se me shumë gjasa Shqipëria do të financohet për këtë projekt nga Bashkimi Europian. Burime të mirinformuara pranë Ministrisë së Bujqësisë i thanë “Albania”-s se vetëm në fund të muajit dhjetor ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka strukturuar grupin e punës që do të hartojë projektin për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve të ullinjve ndërsa ky grup pune ka zhvilluar mbledhjet e para të tij vetëm tani në janar. Ky fakt tregon se ndryshe nga sa është praktika klasike, ka qenë “deklarata e kryeministrit” (e dhënë që në muajin tetor) ajo që ka orientuar ministrinë dhe jo ministria kompetente, e cila si rregull duhet të orientojë politikat bujqësore! Por kjo është vetëm njëra anë e këtij plani të amplifikuar periodikisht me bujë këta tre muaj, ndërsa burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se praktikisht brenda këtij institucioni informacioni ka qenë se, “studimi i grupit të posaçëm të punës lidhet me një financim të ofruar nga BE-ja për të mbjellë 20 milionë rrënjë ulliri në Shqipëri”.
Financimet
Pak kohë më parë, Bashkimi Europian ka lëvruar fonde për nxitjen dhe shtimin e prodhimit të ullirit ndërsa po financon mbjelljen e 100 milionë rrënjëve në Itali, të 50 milionë rrënjëve në Greqi e në kohë reale paralelisht me këto projekte dhe Shqipëria nëpërmjet kryeministrit shpalli krejt papritur për shqiptarët mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj. “Qeveria shqiptare ka marrë disa javë më parë sinjalin për interesin e Bashkimit Europian për të kryer investime serioze bujqësore në Mesdhe. Ulliri ishte prioritet i kërkuar. Nëse bëjmë një llogari në parametrat aktualë të tregut rezulton se një rrënjë ulliri ose fidan kushton 5 euro. Për sasinë e shpallur prej 20 milionë rrënjësh i bie që financimi të jetë diku te 100 milionë euro”, - i tha dje “Albania”-s një burim kompetent nga Ministria e Bujqësisë.
Dyshimet
Ndonëse ka një projekt konkret të Bashkimit Europian për Greqinë dhe Italinë, qeveria shqiptare ka shpallur papritmas projektin e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ulliri pa përmendur aspak faktin nëse ky projekt do financohej nga Bashkimi Europian. Sipas ekspertëve të bujqësisë mund të ndodhë që në Shqipëri këto 20 milionë rrënjë mund të mos jenë si një investim i drejtpërdrejtë i BE-së, por si zonë “koncesioni” nga fituesit e shpallur të projekteve siç janë Italia dhe Greqia. Megjithatë, në cilindo rast, Shqipëria duket se përveç demagogjisë qeveritare do të pësojë dhe një përfitim minimal, madje dhe me humbje nga ky projekt, ndërsa paret e fondit për Shqipërinë do t’i kalojnë sërish Italisë dhe Greqisë. Kjo do të ndodhë për vetë faktin se Shqipëria ka një prodhim minimal dhe të papërfillshëm të fidanëve të ullirit. Kësisoj, këto fonde do t’i përdorë për t’i importuar këta fidanë dhe fitimi dhe sasitë e parave do të qarkullojnë te fermerët e huaj në Itali dhe Greqi dhe jo në vend. Sipas të dhënave zyrtare rezulton se aktualisht janë mbi 30 subjekte që prodhojnë fidanë të ullinjve në vendin tonë me një numër mesatar prej 170 mijë në vit. Pra, një shifër krejt e shpërpjesëtuar në krahasim me 20 milionë fidanët që i duhen projektit. Nga 4.7 milionë rrënjë që ka i gjithë vendi, 3.7 milionë ullinj janë në prodhim në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ulliri në Shqipëri, 20 për qind humbet nga mungesa e shërbimeve

Në të gjithë vendin, sot numërohen 4.7 milionë rrënjë ullinj. Kërkesat e tregut europian dhe mundësia e vendit tonë kanë bërë që qeveria të bëjë premtimin për pesëfishimin e numrit të tyre. Aktualisht janë shtatë zona ku ulliri është mbjellë tradicionalisht. Por, sipas specialistëve, klima e favorshme për mbjelljen e tyre është dhe në zona të tjera, duke qenë se vetëm në një vit në vend prodhohen 170 mijë fidanë ulliri.
Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë deri sot kanë evidentuar 18 mijë hektarë tokë të lirë për mbjelljen e ullinjve. Kjo tokë është evidentuar në zonat aktuale ku janë plantacionet e ullinjve: Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, Vlorë. Sipas specialistëve, sipërfaqet e pa mbjella të fermerëve janë në numër shumë më të madh se sa zonat ku aktualisht kultivohet ulliri. Specialistë të ndryshëm kanë theksuar se kapaciteti i këtyre zonave kodrinore është deri në 12-15 milionë ullinj. Ndërsa në zonat fushore për ullishtat intensive dhe superintensive është parashikuar që numri të arrijë deri në 10-13 milionë. Vetëm për këtë vit ,në saje të iniciativave të fermerëve dhe kompanive private do t’i shtohen numrit të përgjithshëm të ullinjve dhe 1000 hektarë ullishte që do të përfitohen vetëm nga dhënia me koncesion. Cilësia e ullinjve shqiptarë vlerësohet edhe nga kompanitë e huaja, të cilat janë interesuar për prodhimin shqiptar. Këtë gjë e tregon dhe rritja e numrit të prodhimit të fidanëve. Rreth 20 për qind e prodhimit vendas të gati pesë milionë ullinjve humbet si pasojë e mungesës së shërbimeve që duhet t’i bëhen kësaj bime. Ndërkohë, investimet në këtë sektor kanë arritur rekorde gjatë dy viteve të fundit. Sipas të dhënave të specialistëve, gjatë vitit 2007 kanë përfituar nga skema e mbështetjes 608 fermerë për një sipërfaqe prej 355 hektarë ullishte.

Mesazhi i Berishës: “Fidanët do t’i marrim nga Italia dhe Greqia”

Rreth një muaj më parë, duke folur për projektin e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ullinj, Berisha ka “dekonspiruar” dhe planin e parakohshëm për t’i marrë fidanët nga Italia dhe Greqia. “Këtë projekt duhet ta zhvillojmë në bashkëpunim të ngushtë me institutet publike apo private dhe po kështu në bashkëpunim me institutet e vendeve fqinje, Italisë dhe Greqisë, të cilat qëndrojnë në krye të botës për kulturën e ullirit. Qendra e kërkimeve shkencore duhet ta marrë këtë si një nga drejtimet më kryesore të punës së saj”, - theksoi kryeministri Berisha në fjalën e tij gjatë një mbledhjeje qeverie rreth një muaj më parë. Kryeministri e vlerësoi këtë projekt si një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në fushën e bujqësisë dhe që do të ketë një shtrirje mjaft të gjerë. “Financimet janë gati, duhet vetëm të përfundojë projekti, një projekt që do të shtrihet nga Malësia e Madhe deri në Ksamil, projekt ndër më agresivët që ka njohur ndonjëherë bujqësia shqiptare”, - tha kryeministri. Më tej, ai ka shtuar: “Projekti numër 1 për Ministrinë e Bujqësisë, por edhe për të gjitha ministritë e tjera, do të jetë projekti i ullirit. Ndaj, i gjithë buxheti i vitit 2009, por edhe buxhetet që vijnë më tej, do të përshtaten në funksion të këtij projekti, i cili në 4 vjet duhet të realizojë mbjelljen në Shqipëri të jo më pak se 20 milionë rrënjëve ulliri”.

Shtrirja e tokave të lira (të pandara) në zonën e ullirit
Nga një vlerësim i përafërt në qarqet që përfshihen në zonat e kultivimit të ullirit rezultojnë rreth 18,500 hektarë sipërfaqe të lira që shtrihen në zonën e ullirit. Vetëm sipërfaqja në blloqe mbi 10 hektarë rezulton si në tabelën e mëposhtme:

Qarku Berat Durrës Elbasan Fier Gjirokaster Lezhe Shkodër Tirane Vlore Total
Sipërf ne total (Ha) 836 270 1534 1896 2146 88 297 1112 861 9040
Sip. Koder+ fushe (HA) 464 270 437 1896 382 88 297 478 861 5173

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›