Mjaft-i: “Basha ti bindet drejtësisë, mos na e ktheni dhe në hero”
Reagon lëvizja “Mjaft” pas teatrit gjyqësor me dosjen “Rrëshen-Kalimash”. Kërkohet respektimi i Kushtetutës dhe ndërprerja e “luftës” mes gjykatave
Lëvizja “Mjaft” ka reaguar dje me shumë e shqetësuar për shkeljet ligjore që po ndodhin në gjykimin e ministrit Lulzim Basha për aferën e rrugës “Durrës-Kukës”. Kjo lëvizje vëren se në këtë gjykim ka shkelje të hapura të dispozitave kushtetuese dhe ligjore. Në momentin që Lulzim Basha ka dërguar çështjen e tij në Gjykatën e Shkallës së Parë, është shkelur Kushtetuta e Shqipërisë. “Mjaft-i është i mendimit se në këtë mënyrë po tronditen themelet ligjore dhe të shtetit të së drejtës, duke dhënë shembullin më të keq për qytetarët, të cilëve u kërkohet të zbatojnë ligjin dhe t’u nënshtrohen gjykatave për një trajtim të paanshëm të çështjeve. Mjaft-i është e bindur se në këtë mënyrë, qeveria ‘Berisha’ dhe instrumentet që ajo përdor brenda sistemit gjyqësor, po i japin një shuplakë të fortë drejtësisë dhe demokracisë shqiptare, duke anashkaluar ligjet përkatëse dhe strukturat kompetente. Artificialisht po krijohen ‘superheronj’, që dalin mbi ligjin. Këta individë, përveçse manipulojnë sistemin, po krijojnë standarde të reja të shkeljes së ligjit, me bekimin e vetë strukturave gjyqësore. Konflikti i interesit në këtë rast, është ndërmjet Bashës dhe Gjyqësorit”, - është shprehur kjo lëvizje dje. Më tej kjo lëvizje ka renditur një sërë shkeljesh gjatë odisesë së dosjes “Rrëshen-Kalimash”.
Shkeljet
“Janë shkelur 3 dispozita ligjore: Neni 141 i Kushtetutës, i cili sanksionon se Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore të anëtarëve të Këshillit të Ministrave etj. Neni 85 i Kodit të Procedurës Penale, i cili sanksionon se kur një gjykatës i Gjykatës së Shkallës së Parë konstaton se çështja në gjykim nuk i përket juridiksionit të tij, shpall moskompetencën. Neni 17, pika ‘ë’ i Kodit të Procedurës Penale, e cila sanksionon se gjykatësi është i detyruar të heqë dorë nga çështja në gjykim, kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme papajtueshmërie. Si rrjedhojë, për shkeljen e këtyre dispozitave ka dy përgjegjës me përgjegjësi direkte dhe një përgjegjës për shkaqe mosveprimi. Përgjegjëse me faj për mosveprim është Gjykata e Lartë, e cila nuk e ka marrë çështjen nën juridiksionin e saj (Neni 141, Kushtetuta). Përgjegjëse direkte për mosveprim është Gjykata e Shkallës së Parë për mungesën e shpalljes së moskompetencës (Neni 85, Kodi i Procedurës Penale). Përgjegjës me faj është gjithashtu ministri Basha, i cili, në bazë të Kushtetutës, këtë çështje duhet ta çonte në Gjykatën e Lartë”, - shprehet kjo lëvizje. Nga ana tjetër, Mjaft-i ka shtuar se ka një mungesë koordinimi ndërmjet Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatë së Lartë, të cilat nuk duhet të konkurrojnë mes tyre për gjykimin e çështjes, duke qenë se ligji shpreh qartë se kujt i takon kompetenca. Sipas Mjaft-it, nga moskoordinimi dhe shkeljet ligjore ka përfituar ministri i akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje barazie në tendera” për çështjen e rrugës “Durrës-Kukës”.
Relacioni
Prokuroria e Përgjithshme, krahas kërkesës për gjykim që ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë, ka dorëzuar edhe një relacion informativ lidhur me arsyet e zgjatjes së afatit të hetimeve. Janë gjithsej nëntë faqe material ku shpjegohen hollësisht të gjitha procedurat hetimore të ndjekura prej prokurorëve. Arsyet kryesore të paraqitura prej organit të akuzës lidhen kryesisht me mungesën e projektit përfundimtar dhe me mosparaqitjen për të dhënë shpjegime të disa prej ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve. Megjithatë, mungesa e projektit përfundimtar ka qenë arsyeja kryesore ndërsa sipas këtij relacioni të prokurorisë “termat e kontratës të lidhur me kontraktorin ‘Bechtel-Enka’ përcaktonin se projekti do të ishte përfunduar detyrimisht deri në mars të vitit 2007. Mospërfundimi i projektit jo vetëm që përbënte një shkelje ligjore, por në të njëjtën kohë përbënte edhe një pengesë për evidentimin e saktë shkencor të dëmit”, - shkruhet në këtë relacion.
9 Janar 2009