Hipoteka, harta e qyteteve që kanë probleme me mbivendosjet
Laureta Rryçi
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme zbardh hartën e kërkesave për fshirjen e mbivendosjeve. Burime pranë këtij dikasteri pohuan se tashmë janë evidentuar shifrat e para zyrtare duke përcaktuar kështu edhe zonat më problematike në të gjithë vendin ku pretendohet të jetë abuzuar më tepër me pronat. Sipas të dhënave rezultojnë se në raportin e fundit të dalë nga Hipoteka rezulton se janë depozituar në të gjithë vendin rreth 300 kërkesa për fshirje të mbivendosjeve. Shifrat tregojnë se zona më e nxehtë është pikërisht kryeqyteti ku njerëzit kanë më tepër interesa për të marrë aktet e pronësisë. Më pas vijnë qytetet bregdetare ku mesa duket qytetarët kanë gjetur si të vetmen mënyrë që të rimarrin pronën e tyre ndërsa figuron e regjistruar me më shumë se tre pronarë.
Kërkesat
Pas këtij urdhri, qytetarët nuk nguruan të depozitonin kërkesat e tyre pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të fituar kështu një herë e mirë të drejtën e pronës që u takonte. Specialistët pranë këtyre zyrave shpjegojnë se shifrat e mëposhtme u përkasin muajve të parë të vitit që lamë pas. Ata shpjegojnë se kur të dalin shifrat përfundimtare për të gjitha qytetet mendohet se do të jenë disa herë më shumë duke treguar kështu një pasqyrë më reale të këtij fenomeni. Shifrat kanë vënë në vend të parë kryeqytetin si më me shumë probleme për pronat, më pas vjen qyteti i Lezhës, Vlorës, Shkodrës, Korçës dhe Durrësit.
Urdhri
Vetëm një vit më parë, kreu i Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme, Arben Qirjako, dha alarmin se me regjistrimin e pronave ishte abuzuar duke krijuar kështu dhjetëra mbivendosje. Sipas këtij urdhri, në të gjitha rastet kur pasuria e fituar me “Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi” figuron e regjistruar në regjistrat e zyrës së regjistrimit mbi bazën e Dublikatës do të pezullohet deri në verifikimin nga ana e regjistruesit për përputhshmërinë e aktit me të cilit është bërë regjistrimi. Kjo përputhshmëri përfshin Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi të së njëjtës familje bujqësore, nëse ndodhet në zyrën e regjistrimit si dhe të dhënat që tregojnë dokumentet e tjera mbi bazën e të cilave është lëshuar ky akt. Pas këtij urdhri, në çdo rast që do të paraqitet në ZVRPP për regjistrim me Dublikata, regjistruesi duhet të refuzojë këtë regjistrim. Një kopje e këtij urdhri është afishuar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të ZVRPP-ve, një kopje u është dërguar qarqeve, komunave, Bankave të Nivelit të Dytë që operojnë në treg si dhe rast pas rasti personave të interesuar.
Boc
Procedura për fshirjen e mbivendosjeve
Këshilli i Ministrave në fillim të këtij viti miratoi procedurën që do të ndiqej për fshirjen e mbivendosjeve. Falë këtij vendimi pritej që shumë prej qytetarëve do të humbin pronësinë mbi ato prona që kanë marrë regjistrimin duke abuzuar me ligjin. Pas këtyre vendimeve po jepen dhe frytet e para të këtij ligji. Ndërkohë mësojmë se numri i kërkesave për mbivendosje ka qenë shumë i lartë në të gjitha zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në rastet e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me Ligjin Nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe me Nenet 192-197 të Kodit Civil, (për regjistrime të kryera pas hyrjes në fuqi të Kodit Civil). Në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë dy a më shumë regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, duke krijuar mbivendosje. Në këtë rast fshihen regjistrimet e kryera, pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me Nenet 192-197 të Kodit Civil. Fshirja e regjistrimeve kryhet nga kryeregjistruesi, me kërkesë të regjistruesit të zyrës përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin Nr.8485, datë 12.4.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, në Nenin 10, të Ligjit Nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në përputhje me përcaktimet e këtij udhëzimi. Kryeregjistruesi bën fshirje të regjistrimeve të bëra pas regjistrimit të parë, kur për të njëjtën pasuri ka më shumë se një regjistrim, pavarësisht faktit se për çdo njërën prej tyre, pas regjistrimit në origjinë (për herë të parë të titullit të pronësisë) janë kryer një apo më shumë transanksione, pjesore apo për të gjithë pronën dhe pavarësisht nëse ndonjëri apo të gjitha këto regjistrime janë të kryera në regjistrat e ish-hipotekës apo regjistrat e krijuara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.
Statistikat për kërkesat sipas qyteteve për fshirjen e mbivendosjeve
ZVRPP–të Kërkesat Vendimet Në trajtim
Sarandë 2 1 1
Lezhë 27 6 21
Krujë 3 1 2
Mat - - -
Lushnjë 3 1 2
Kurbin - - -
Tepelenë 2 1 1
Kukës - - -
Berat 2 1 1
Vlorë 16 5 11
Korçë 22 3 22
Mallakastër 1 1 -
Elbasan 6 - 6
Dibër - - -
M.Madhe 1 1 -
Skrapar - - -
Durrës 27 7 22
Përmet 1 - 1
Has - - -
Gjirokastër 10 1 9
Tropojë - - -
Fier 10 8 2
Mirditë 1 - 1
Pukë - - -
Pogradec 10 3 7
Bulqizë - - -
Librazhd 1 1 -
Kuçovë 1 1 -
Gramsh 3 1 2
Ersekë - - -
Shkodër 29 4 25
Peqin 1 - 1
Tiranë 103 4 99
Kavajë 5 4 1
Devoll - - -
TOTALI 287 55 237
9 Janar 2009