E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda e veshjeve firmato u shtrëngon prangat tre tregtarëve te “Medreseja”

Pas operacionit policor arrestohen Oligert Jakupi, Adriatik Kollona dhe Ilir Rrapaj. Konfeksionet dyshohet të kenë hyrë kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë

Tiranë - Kontrabanda e mallrave nga Greqia për në tregun e kryeqytetit ka çuar në pranga tre persona. Policia e Tiranës bëri të ditur për gazetën “Albania” se strukturat e hetimit të Krimit të Sektorit kundër Krimit Financiar në Policinë e Tiranës përgjatë ditës së djeshme kanë arritur të finalizojnë një operacion të suksesshëm, të koduar “Tregu i Medresesë”, duke sekuestruar mall kontrabandë, kryesisht konfeksione, si dhe duke vendosur nën pranga tre persona.
Arrestimi
Sipas policisë është marrë masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë ndaj Oligert Jakupit, 30 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me punë në sektorin privat; Adriatik Kollonës, 37 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me punë në sektorin privat; Ilir Rrapajt, 37 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier, me punë në sektorin privat. Aksioni është bërë falë një pune të mirëfilltë operacionale. Gjatë hetimeve rezultoi se malli kontrabandë, kryesisht konfeksione si bluza, pantallona, pallto etj, dyshohet të ketë hyrë kontrabandë nga tre personat e sipërcituar nga Pika e Kontrollit të Kalimit Kufitar Kapshticë. Përgjatë momentit të kalimit kufitar, ato u kapën në flagrancë duke transportuar mallin kontrabandë me një kamion me targë VL 6434 C, me drejtim lëvizjeje Kapshticë - Tiranë.
Kontrolli
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamion u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: bluza të llojeve të ndryshme 900 copë, pellushë të llojeve të ndryshme 450 copë, pantallona firmato 800 copë, kostume sportive 200 palë, pallto stofi 300 copë, xhupa dimërorë të llojeve të ndryshme 700 copë, kostume për meshkuj dhe femra të llojeve të ndryshme 300 copë. Nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik-Financiar u kryen menjëherë veprimet e para procedurale dhe materialet e përpiluara i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, nën akuzën për konsumim të veprave penale të “kontrabandës me mallra të tjera”, “tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, si dhe “ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, të gjitha në bashkëpunim. Policia tha se po heton për zbardhjen e të gjithë aktivitetit të të ndaluarve.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›