E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset shpërndarësi i heroinës, “shiti” drogë tek agjenti i policisë



VLORË – Një agjent policie, i paraqitur si përdorues droge, ka sjellë arrestimin në flagrancë të një 36-vjeçari, i cili shpërndante heroinë në qytetin e Vlorës. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se, në kuadër të operacionit të koduar “Tregu i vetmuar”, është vënë në pranga shtetasi Aleksandër Kaçaj, lindur dhe banues në qytetin bregdetar. Sipas tyre, në momentin e ndalimit 36-vjeçarit Kaçaj i janë gjetur 65 doza heroine, me një peshë prej 293 gr, e cila ishte e gatshme për t’u shitur në qytetin e Vlorës. Ai është arrestuar gjatë kontrollit që iu bë në një lokal, ku u zbuluan 14 doza heroine. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen “Rilindja”, u zbuluan edhe 51 doza të tjera. Agjentët antidrogë kishin nisur hetimet për këtë person disa javë më parë dhe ishte mbajtur gjithë kohën nën kontroll. Sipas burimeve, për identifikimin e personit shpërndarës janë infiltruar edhe agjentë policie. Tashmë, çështja në ngarkim të Aleksandër Kaçajt i ka kaluar për hetime prokurorisë së rrethit pasi akuzohet për veprën penale të “prodhimit, shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë”.

Asgjësohen 24 kg heroinë dhe Cannabis të sekuestruara nga policia

ELBASAN - Policia e Elbasanit asgjësoi dje në mesditë rreth 24 kg lëndë narkotike heroinë dhe Cannabis sattiva, që ishin kapur dhe sekuestruar në vitin 2005 dhe 2007. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, Valbona Begaj, u shpreh se lënda narkotike, 7,345 kg heroinë dhe 17, 850 kg Cannabis sattiva, u dogj në vendin e quajtur “Bregu i Lumit”, në Krastën e Vogël, pas një vendimi të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në procesin e djegies ishin të pranishëm përfaqësues të medias, oficerë të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Elbasanit, kryetari i Komisionit të Asgjësimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Njazi Seferi, si dhe përfaqësuesi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Arben Ndreka. Sipas zëdhënëses, qytetarët e kapur me këtë lëndë narkotike kanë marrë dënime që shkojnë nga 11 vjet deri në 3 vjet e katër muaj heqje lirie.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›