Policia dërgon për ndjekje penale 60 subjekte të palicencuara të lojërave të fatit
TIRANË - Të paktën 60 subjekte, që rezultuan pa licencë në ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit, janë dërguar për ndjekje penale në Prokurori. Zëdhënësi i Policisë së Përgjithshme të Shtetit, dje, në një prononcim për median, tha: “60 subjekte që rezultuan të palicencuara janë dërguar për ndjekje penale në Prokurori për kundërvajtje penale të ‘Organizimit të lotarive të palejuara’ dhe ‘vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara’". Specialistë të Drejtorisë së Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, organizuan në datat 13-14 nëntor në shkallë vendi një operacion të koduar “Gamblik” për identifikimin e aktiviteteve të palicencuara në këtë fushë. Gjatë operacionit u kontrolluan 210 subjekte, 60 prej të cilave rezultuan të palicencuara. Këtyre subjekteve iu bllokuan mjediset ku zhvillonin aktivitetin dhe iu sekuestruan 350 makineri kompjuterike. Operacioni do të vazhdojë në ditët në vijim.
Konfliktohet me xhaxhain dhe i djeg makinën, arrestohet
Tiranë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kryen dje ndalimin e shtetasit Zamir Xhelezi, 22 vjeç, lindur dhe banues në Spille të Kavajës, i dënuar për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak. Ndalimi i tij u krye sepse dy ditë më parë, në lokalin në pronësi të një shtetasi që ndodhet në fshatin Sharrdushk, dyshohet se ka prishur rendin dhe qetësinë publike, si dhe ka djegur automjetin tip “Iveko”, në pronësi të xhaxhait të tij. Policia kreu veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, e “prishje e qetësisë publike”, parashikuar nga Nenet 151 dhe 274 të KP.
KLD-ja, verifikim procedurës gjyqësore për 18-vjeçarin Aristidh Glluçaj
TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) po verifikon procedurën gjyqësore të ndjekur nga Gjykata e Sarandës ndaj 18-vjeçarit Aristidh Glluçaj, i arrestuar pak ditë më parë si i dyshuar për kalim të paligjshëm të kufirit. Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilat pohuan se inspektorët e KLD-së po verifikojnë seancën për masën e sigurisë dhënë ndaj këtij shtetasi nga Gjykata e Sarandës. 18-vjeçari humbi ndjenjat në Gjykatë si pasojë e dhunës fizike të ushtruar ndaj tij në policinë e Sarandës. Megjithëse në një gjendje të rëndë, Gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë “30 ditë burg”. Pas kësaj ngjarjeje reagoi Avokati i Popullit, i cili denoncoi dhunën e ushtruar në polici ndaj këtij shtetasi si dhe kërkoi nga Prokuroria hetim të çështjes. Dy ditë më parë, Gjykata e Rrethit Sarandë ka vendosur masën “Burg pa afat” për policin Ardit Hasanbega, i cili dhunoi në mënyrë çnjerëzore shtetasin Aristidh Gllucaj. Gjendja e të riut Gllucaj, nga Vlora, u përkeqësua pas dhunimit nga policia e Sarandës që e shoqëroi 18-vjeçarin bashkë me Oltion Varfajn në këtë komisariat. Mjekët e Spitalit të Sarandës, duke parë rëndimin e gjendjes së 18-vjeçarit, kanë kërkuar transportimin e tij drejt Tiranës për t’i dhënë të riut mjekim më të specializuar. 18-vjeçari Aristidh Gllucaj ka dalë mëngjesin e djeshëm nga reanimacioni për t’u transportuar me autoambulancë në drejtim të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës.
16 Nentor 2008