E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës vepron si SHPK

Fatos Çoçoli 

Vendimet e KKRT të Tiranës të kohëve të fundit kanë lënë një shije të keqe në opinionin publik. Duket sikur bashkia më e madhe e vendit është gati për të hyrë në fushatë elektorale. Aq shumë përjetohen nga punonjësit e saj tensionet politike. Nuk ka asgjë të keqe nëse kjo nuk do të ndikonte në shërbimet që ata kryejnë ndaj komunitetit. Mirëpo e vërteta është se po ndikon dhe shumë. Dhe kjo nuk ka se si të vlerësohet nga shqiptarët. Sidomos nga sipërmarrësit. Ata me plot të drejtë mund të mendojnë se bashkia nuk po vë fort ujët në zjarr të garantojë garë të drejtë për mundësitë e investimit në kryeqytet. Ajo është ngërthyer e gjitha dhe sheh si e si të fitojë kryetari i saj në garën e ardhshme të ethshme zgjedhore. Do të ishte gjysma e së keqes po të bëhej fjalë për një garë të zgjedhurish vendorë. Por edhe pse janë në horizont pas nëntë muajsh zgjedhjet e përgjithshme (pra që pak kanë të bëjnë me bashkitë e komunat), bashkia e kryeqytetit sërish i ngjan më shumë një detashmenti politik dhe shtabi zgjedhor. Ja përse shumë sipërmarrës komentojnë se bashkia e kryeqytetit po vepron me lejet e ndërtimit si me një kapital firme biznesi, si një SHPK. E ka me rregullore të mblidhet çdo muaj. Mezi arrin të mbledhë KKRT-në një herë në katër muaj. Dokumentacioni me rregullore duhet t’u shkojë anëtarëve të saj të paktën një javë përpara. U shkon vetëm 24 orë përpara. Njerëz që e njohin ndërtimin dhe rregullat e lojës së tij shprehen se lejet për ndërtim dhe trojet nga Bashkia e Tiranës thjesht po “investohen”, po jepen për të fituar kapital politik. Mjafton të shikohet kush i ka marrë dhe të bëhet një listë. Po favorizohen njerëz të medias që përkrahin PS-në, marrin apartamente gazetarë thurës ditirambesh të partisë politike që kryetari i bashkisë i përket dhe e kryeson. Ndërkohë, po bllokohen në garë kompani biznesi serioze e që kanë bërë shumë për vendin, thjesht pse nuk shihen me sy të mirë “politikisht”. Shumë syresh prej tyre janë larguar nga Tirana dhe po ndërtojnë në Kosovë. Ekspertiza vendase në projektim po ndihet si në mërgim. Sepse natyrshëm, kur je i përqendruar tek kjo lojë që pak ose aspak ka të bëjë me interesat e përditshme të investimit në Tiranë, mendimi i arkitektëve të njohur e me eksperiencë shqiptare del më i huaj se i vetë arkitektëve të huaj. Ai thjesht nuk përfillet. Arkitektët, madje, as nuk pranohen më të marrin pjesë në mbledhjet e KKRT-së. Kjo papërgjegjësi me fatet e zhvillimit të ardhshëm urban të kryeqytetit nuk ka si të mos prodhojë akuzat për betonizimin e kurorës së gjelbër të Tiranës. Ngjan sikur tehu shërbyes i bashkisë kryesore të vendit tashmë është drejtuar kah blerjes me leje ndërtimi e apartamente të mediave të tëra e njerëzve të medias, të cilët mund të ndikojnë në opinionin publik dhe në gjasat për fitimin e zgjedhjeve të 2009-ës. Kjo është e pafalshme, pse ky institucion mendohet se duhet t’i shërbejë të 700 mijë qytetarëve të Tiranës dhe jo interesave politike. Një lojë sa e shëmtuar, aq zhgënjyese për shumë qytetarë që kishin shpresuar se mos kryetari i bashkisë së tyre ngelej në një pjesë të vetes menaxher publik dhe nuk jepej i tëri pas personazhit politik që përfaqëson. Ata kanë tërësisht të drejtë të ndjehen disi të tradhtuar. Kjo situatë lypset të ndryshojë kryekëput dhe varet nga vetë Rama, nëse ky ndryshim do të ndodhë. Në asnjë rast, asnjë drejtues nuk mund t’ia lejojë vetes të veprojë sikur ka monopolin e dijes në vendimmarrje. Injorimi i ekspertëve thjesht duke iu ngjitur një etiketë sikur janë të shitur te bizneset, nuk ndihmon. Bashkia e Tiranës duhet të thithë dhe respektojë mendimin e ekspertëve dhe arkitektëve të pavarur shqiptarë. Mendimi i studiove të huaja që konkurrojnë për tenderat e saj është më se i mirëpritur, por sikurse thotë një shprehje popullore: “I zoti e di se ku pikon shtëpia”. Ajo ende ka kohë të korrigjojë sjelljet e fundit, duke lejuar garë të drejtë dhe të paparagjykuar që në fillim të sipërmarrjeve që duan të ndërtojnë në Tiranë. Rregullat e një loje të drejtë duhet të jenë të shenjta për dikë që aspiron të drejtojë të gjithë shqiptarët, përndryshe ata shumë shpejt mund të ndihen të zhgënjyer prej tij.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›