E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur shkollimi kthehet në mollë të ndaluar

Nikollaq Neranxi 

Tek ne ka shumë problematika për të cilat fjala “emergjencë” nuk është aspak e ekzagjeruar. Emergjencën e prek kudo që të jesh dhe çfarëdo lloj pozicionimi social të kesh. Ndërkohë ka një problem shumë të madh për të cilën fjala “emergjencë” duket sikur nuk mjafton dhe kjo është pamundësia e shkollimit e disa të rinjve në zonat e thella të Shqipërisë. Si deputet i një zone rurale, këtë problem e kam hasur që në takimet e para me zgjedhësit e mi. Prindërit edhe atje ashtu si në qytet, ëndërrojnë që fëmija i tyre të ndjekë një universitet dhe të bëhet më i mirë dhe më i ditur se ata, ndërkohë që shohin se fati i këtyre të rinjve mund të jetë njëlloj dhe i pandryshuar, edhe pse fëmija duket se e pëlqen shkollën dhe ka rezultate të mira. Gjendja dhe realiteti kritik i familjeve, sidomos në zonat e thella të vendit, ka të bëjë me pamundësinë për financimin e shkollimit dhe arsimimit të fëmijëve të tyre. Të gjithë jemi në dijeni se ç’po ndodh sot në universitetet publike, se sa e madhe është kërkesa për të ndjekur studimet dhe se sa qindra e pse jo mijëra maturantë me rezultate të larta, privohen nga kjo e drejtë. Dhe në këto raste, të ndjekësh një universitet privat, është një mollë e ndaluar për shkak të pagesave të papërballueshme. Padyshim që kjo situatë ka precipituar deri këtu, pasi strategjitë e përdorura nga kjo qeveri, por edhe nga ato paraardhëse nuk e kanë pasur si prioritet dhe shqetësim zgjidhjen e këtij problemi kaq serioz dhe imediat. Secili prej jush mund të arrijë të imagjinojë se sa dëm iu shkaktohet këtyre të rinjve, por edhe gjithë shoqërisë duke mos iu mundësuar shkollimin, elementin bazë që ata të bëhen nesër specialistë të zotë që të ndihmojnë zonat e tyre në përmirësimin e cilësisë së jetës. A ka dëm më të madh sesa të vazhdosh të bësh indiferentin, ndërkohë që po akumulohen breza të tërë të pashkolluar në ato zona që për hir të së vërtetës nuk janë edhe aq të pakta po të kemi parasysh se ne jemi një vend kryesisht rural? Ky realitet shqetësues është denoncuar vazhdimisht nga politika (natyrisht ajo opozitare) por edhe nga struktura të ndryshme të shoqërisë civile. Edhe unë personalisht kam qenë gjithmonë konsistent në këtë denoncim, në të gjitha takimet e mia institucionale, pasi kam kuptuar se ajo ç’ka unë bëja si individ për të ndihmuar tek-tuk ndonjë të ri në zonën time elektorale, ishte si një pikë ujë në oqean. Gjithsesi unë kam çuar më tej pikëpamjet e mia, duke propozuar konkretisht hartimin e projekteve dhe strategjive për gjithëpërfshirje.
Ajo që kërkon një përmirësim imediat lidhet me financimet e qeverisë për të drejtën arsimuese në zonat e thella në të gjithë vendin tonë. Ka vite që në këto zona nuk gjen një student që të mbështetet me të drejtë studimi apo me bursë financiare nga shteti. Këto janë zona të thella, të cilat përballen me vështirësi të pazakonta, me rënie të nivelit të të ardhurave nga viti në vit, me shtimin e kostos së jetesës, me uljen e donacioneve dhe me pakësimin e vendeve të punës. Këto komuna janë të pamundura të përballojnë koston e shkollimit për shumë të rinj, edhe kur ata janë të shkëlqyer. Mungon prezenca e fondacioneve apo donatorëve të ndryshëm dhe e gjithë kjo mungesë ka bërë që të intensifikohen ankesat e familjarëve të këtyre zonave për harresën e kujdesit shtetëror për shkollimin dhe arsimimin. Ndërkohë që ka një krizë dhe mungesa të theksuara të burimeve njerëzore, si për administratën lokale, ashtu edhe për sistemin arsimor lokal. Mendoj se në këto kushte ka ardhur koha që shteti, qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të programojë një paketë të posaçme mbështetjeje me bursa dhe financime për arsimin dhe shkollimin e lartë të të rinjve të zonave të thella të të gjithë vendit. Ka ardhur koha për kujdes të veçantë nga shteti, për paketa të ndryshme bursash për studentët si për shkollimin e tyre brenda rrjetit të universiteteve publike në vend, ashtu edhe për mbështetjen e më të mirëve për të ndjekur studimet në universitetet e Perëndimit. Është e turpshme që kuotat e sotme të bursave shtetërore janë më të ulëta se ato që akordonte regjimi komunist apo ai i Mbretit Zog. Mendoj se projektimi dhe financimi i një pakete të tillë bursash mund të vlejnë më shumë se disa salla interneti, të cilat për arsye të mungesës së specialistëve nganjëherë mbeten të pashfrytëzuara në disa shkolla të vendit. Të ndihmosh një të ri që të shkollohet, pavarësisht se ku jeton ai, në fushë ose në mal, është detyra kryesore e një qeverie ndaj qytetarëve të saj, kushti kryesor për një progres të shoqërisë, në mënyrë që dita kur ne të përballemi me krenari me standardet evropiane, të mos jetë shumë e largët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›