E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Uarren, flamuri gjysmështizë për marinsin shqiptar

02/12/2004  Njerëzit në Uarren, që njihnin Gentian Markun, mbajnë mend se ai ishte mirënjohës për shumë gjëra, përfshi këtu edhe mundësitë që i ishin ofruar një djali të ri të shpërngulej nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara. Kjo është edhe arsyeja që banorët e qytetit u pikëlluan shumë për vdekjen e 22-vjeçarit Marku, ditën e Falenderimeve, të enjten e kaluar në Irak.

"Po, është një ironi e fatit", tha Robert Livernois, drejtori i shkollës së mesme Warren Woods Tower, ku Marku kishte marrë diplomën në vitin 2002 dhe njihej mirë nga nxënësit dhe mësuesit.

Departamenti Amerikan i Shtetit, të martën njoftoi se Marku ndodhej mes gjashtë marinsave të një baze ushtarake në Karolinën e Veriut, të cilët vdiqën javën e kaluar në Irak. Ai mbeti i vrarë si pasojë e një sulmi armik në provincën Al Anbar në Falluxha. Hollësira të tjera nuk u dhanë. Marku ishte caktuar në batalionin e parë, në regjimentin e tetë të marinës, divizioni i dytë i marinës, forcat e ekspeditës së II-të.

Ai kishte marrë medalje për sjellje të mirë, për shërbime humanitare, veprime luftarake dhe aktivitete të tjera, njoftoi Departamenti i shtetit. Familja e tij nuk pranoi të fliste të martën me mediat, por njerëzit e qytezës së Uarrenit, që e njihnin djalin, thanë se vdekja e tij ishte një humbje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për atdheun e tij, Shqipërinë.

Emigrimi

Marku erdhi me prindërit në Amerikë, kur ishte 14 vjeç dhe u vendosën në Uarren, siç thotë edhe një biografi e shkruar për të dhe e postuar në uebsaitin e Departamentit të Mbrojtjes.

Babai i tij kishte fituar llotarinë amerikane, e cila është një program emigrimi, që përzgjedh zakonisht aplikues të huaj për të emigruar në Amerikë. Më vonë, ata u bënë qytetarë amerikanë.

Pasi erdhën këtu, edhe babai dhe nëna e tij gjetën punë në restorantin "Big Boy" në Uarren.

Shpejt edhe ai u punësua aty, tha Terry Lipsky, menaxheri i restorantit. "Ai punonte shumë", thotë Lipsky. "Ishte ai lloj punëtori që ma merrte fshesën nga dora, sepse nuk donte të rrinte pa punë. Pasi i fituan prindërit disa para, mundën të blinin edhe një shtëpi".

Edhe pasi u largua nga puna e restorantit, Marko ishte fytyrë e njohur në restorant, nga ku shpesh u çonte për të ngrënë edhe policëve në rajon. Në fakt, ai shpresonte të bëhej një polic i Departamentit të policisë së Uarrenit, pasi të mbaronte shërbimin ushtarak.

miqtë

"Shumë policë të patrullve rrugore e njihnin atë mjaft mirë", thotë polici i Uarrenit, leitnant Jim Clark. Ndërsa vazhdonte shkollën Warren Woods Tower, Marku kalonte shumë orë në programin e anglishtes për të huaj me mësuesen Leah Vohs, e cila e ndihmoi atë të përmirësonte gjuhën, thonë drejtuesit e shkollës. Vohs, e përshkruan atë si një djalosh shumë paqësor dhe dashamirës. Atij i pëlqente shumë të vinte në shkollë me uniformë për të takuar ish-mësuesit e tij. "Ky djalë ushqente respekt absolut ndaj të gjithëve", thotë Livernois, drejtori i shkollës së mesme. "Mjaft i hapur, ai i ishte mirënjohës Amerikës për gjithë sa ajo bëri në Evropë. Ai ishte shumë mirënjohës që pati rastin të mësonte gjuhën e të gjente një punë,që u dha mundësinë të bënte diçka për veten e tij". Në profilin e tij zyrtar në internet, Marku shkruante se mezi priste sa të fliste me shokët e shkollës dhe në veçanti me Vohsin. "Kur flasim, ajo përherë më ngacmon duke më thënë 'Hë, si je?'. Mirë, faleminderit. Po ti?'" shkruante ai në profilin e tij.

Marina

Marku hyri në marinë në vitin 2002 dhe shumë shpejt u bë një ushtar i zoti, sipas zyrtarëve të Departamentit të mbrojtjes. I Babai i tij kishte shërbyer më parë si kapiten në ushtrinë shqiptare dhe që të dy ata ishin shumë të dhënë pas marinës.

Më vonë, ai e përdori gjuhën e rrjedhshme si një gjuhëtar për ushtrinë, një mjeshtëri që u bë shumë e dobishme kur njësia e tij kreu disa ushtrime stërvitore në Shqipëri. Në profilin zyrtar në internet, Marku thoshte se jo vetëm që shqiptarët kishin reaguar më së miri, por dhe se ky udhëtim shërbeu për t’u takuar me familjen e tij të madhe, një pjesë e së cilës jeton ende atje. "Pjesa më e mirë e të qenit marins është nderi, që ka lidhje me të", thoshte ai në profilin e vet. "Ka shumë njerëz që duan të quhen marinsa, por vetëm pak syresh kanë kurajon ta provojnë". Zyrtarët ushtarakë pritet të njoftojnë rreth funeralit të tij. Zëvendëskryebashkiaku i Uarrenit, Michael Greiner, tha se flamuri i bashkisë do të ulej në gjysmë shtizë për të nderuar shërbimin e Markut.

Ambasadorja amerikane Ris ngushëllon familjen e ushtarit

Në një bisedë telefonike me Kryeministrin Fatos Nano, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Marsi Ris shprehu ngushëllime për humbjen e jetës së djaloshit shqiptar, gjatë luftimeve në Irak. Diplomatja Ris, ka diskutuar me kreun e qevesië për bashkërendimin e veprimeve institucionale, në nderim të marinsit të vrarë, i cili dha jetën në emër të lirisë dhe demokracisë. Pwrfaqësuesja e diplomacisë amerikane në Tiranë, i ka shprehur ngushëllime edhe familjes së ushtarit të vrarë. Marinsi shqiptar Gentian Marku u vra me 25 nentor gjate një sulmi të forcave amerikane në qytetin Falluxha te Irakut. Marku është marinsi i dytë shqiptar i vrarë në Irak.

Emigrimi i familjes Markut në Amerikë

Zef Marku nga fshati Piraj, i Zadrimës, ishte ndër të paktët që arriti të realizonte ëndrën amerikane. Së bashku me gruan, Saten dhe fëmijët Gentian e Joana, ai arriti të udhëtonte drejt SHBA-ve në vitin 1998. Një llotari amerikane e fituar krejt rastësisht, ishte ylli që i ndriti Markajve. U vendosën në Miçigan, ku u sistemuan me shtëpi, punë dhe shkollë për dy fëmijët. Ata nuk erdhën asnjëherë së bashku në Shqipëri, pas largimit të vitit '98. I vetmi që shkeli tokën amë ishte Gentiani. Në vitin 2003, ai erdhi në Tiranë me misionin e ushtrisë amerikane, për stërvitjen dypalëshe. Pas një qëndrimi 15-ditor, ai u largua sërish në SHBA dhe më pas në Irak. Aktualisht, motra e të ndjerit është 17 vjeçe dhe ndjek shkollën e mesme. Ndrësa dy prindërit punojnë në sektorë të ndryshëm për të siguruar jetesën.

Babai: Genti shkoi me dëshirë në luftën e Irakut

Në një intervistë të dhënë për gazetën "Metropol" dy ditw më parë babai i Gentianit, Zef Markut foli për dëshirën e të birit, për vajtjen në luftën e Irakut. Ndër të tjera ai thotë se ....

...A ishit dakord që djali juaj të nisej në luftë?

Nuk di si të them. Duhet të theksoj se ishte dëshira e tij nisja në Irak. Vendosi të shkonte dhe nuk e bëri të gjatë. Ne nuk ia prishëm, pasi nuk donim t'i thyenim zemrën. Të them të drejtën nuk e mendonim vdekjen e tij.

Cila ishte e ardhmja e ëndërruar e Gentit, pas kthimit nga Iraku?

Ai kishte dëshirë të bëhej oficer i policisë kriminale. Ishte i vetmi profesion ku Genti kishte besim të gjente vetveten dhe të ndjehej mirë. Shpresonte se përvoja në luftë do ta ndihmonte shumë për të arritur synimet e tij....

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›