E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH: “Në dhjetor, niveli i arkëtimeve të faturave të energjisë u rrit me 20%”



Ndjekja e objektivit që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka për rritjen e nivelit të pagesave të energjisë së konsumuar nga të gjitha grupet e konsumatorëve ka rritur me 20 për qind më shumë arkëtimet në muajin dhjetor 2008, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Burime zyrtare të OSSH-së bënë të ditur se për arritjen e këtij objektivi, kompania ka rritur kontrollet ndaj debitorëve në të gjithë vendin. Kështu, vetëm gjatë muajit dhjetor, OSSH-ja ka kryer rreth 50 mijë ndërprerje të energjisë elektrike te debitorët. Sipas Operatorit, mesatarja mujore e ndërprerjeve të energjisë elektrike gjatë vitit 2008 ka qenë 60-65 mijë në abonentët familjarë e privatë, ndërkohë që ka vijuar puna për ndërprerjen e energjisë ndaj debitorëve. Gjithashtu një fond prej rreth 15 milionë lekësh OSSH-ja po e jep për rikonstruksionin e Nënstacionit Elektrik të Uzinës Traktori, punimet e të cilit kanë nisur që prej një muaji. "Nënstacioni i Uzinës Traktori do të ketë 4 transformatorë me një fuqi instaluese prej 120 Megavolt gjithsej, ndërkohë që punimet pritet të përfundojnë në fund të muajit janar 2009", - thanë burime zyrtare të OSSH-së. Ata shtuan më tej se ky nënstacion do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në pjesën lindore të kryeqytetit në disa zona si tek Uzina e Traktorëve, qyteti Studenti, rruga "Ali Demi", Rruga e Profarmës, rruga "Bardhyl", Qesarat, Kinostudio etj.
Gjatë vitit 2008, OSSH-ja ka realizuar një sërë projektesh dhe rikonstruksionesh për fuqizimin e nënstacioneve elektrike në të gjithë vendin.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›