E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Për naftën, Meta më pyeti poshtë jorganit”

22/11/2011  Prifti: Videon origjinale e bëra pasi Meta u bë i bezdisshëm, më kërcënonte, kërkonte favore të kundërligjshme

“Meta u bë xheloz, kur Berisha më zgjodhi si negociator për koalicionin. Ja pse e donte Ekonominë”

TIRANE-“Ilir Meta ishte bërë shumë i bezdisshëm, madje pas 6 muaj kur unë isha bërë ministër marrëdhëniet tona arritën kulmin. Ai ka ardhur në shtëpinë time, kur unë kam qenë i sëmurë dhe më ka hequr jorganin, duke më pyetur për nismat e ankandit të shitjes së 30 mijë tonë naftë bruto të Albpetrolit”. Kështu ka pohuar para kolegjit të Gjykatës së Lartë ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, i cili dje ka dëshmuar lidhur me video-regjistrimin që i bëri Metës në zyrën e tij, aferat për shitjen e naftës së “Albpetrolit”, si dhe koncesionit të HEC të Shushicës. Për 5 orë me radhë deputeti Prifti tregoi qetësisht dhe me vendosmëri se përgjimin e kishte kryer me orën e tij, duke shtuar se në atë material filmik nuk ka kryer asnjë ndërhyrje qoftë në zë, por dhe në figurë. Prifti shtoi se menjëherë pas filmimit, materialin e kishte hedhur në lap-topin e tij, prej nga ja ka dhënë me 2 USB emisionit “Fiks-Fare”. Ndërsa për sa i përket shkakut dhe rrethanave që çuan në regjistrimin e ish-ortakut të tij, Prifti tha se presionet e vazhdueshme nga korrierët e Metës, për largim nga posti i ministrit, presionet nga vetë Meta dhe ndërhyrjet e kundërligjshme të tij, duke i kërkuar favore, bënë që ai ta përgjonte liderin e LSI-së.

Dëshmia

“Për punën e korrierëve dhe thashethemeve që hapte në parti, ja kisha thënë dhe në sy, por ai këto i kalonte me të qeshura. E dija që Meta është tip hakmarrës, në rast se nuk ia plotëson kërkesat. Madje mund t’ju them se për këto favore të kundërligjshme kam vënë në dijeni Kryeministrin Berisha, i cili ka marrë përsipër të diskutonte me Metën. Edhe pas këtij diskutimi, nuk ka ndryshuar asnjë gjë, por përkundrazi janë përkeqësuar punët, pasi Meta më kërkonte që unë të shkoja ministër Jashtëm dhe ai të vinte në postin e ministrit të Ekonomisë. Madje për këtë më thoshte, ...po si plotëson dot kërkesat e mia, atëherë eja ministër i Jashtëm, dhe unë i mbaroj vetë punët...”,-ka dëshmuar në gjyq Dritan Prifti. Gjatë dëshmisë avokatët e Metës, Gëzim Veleshnja dhe Petrit Serjani kanë ndërhyrë, duke pohuar që dëshmitari të mos përdorë epitete për klientin e tyre, dhe të mos flasë para gjykatës, sikur ndodhet në një studio televizive. Mirëpo këto ndërhyrje të dy avokatëve prokurori Bujar Sheshi, i quajti si të qëllimshme dhe që kërkonin të çorientonin dëshmitarin e akuzës. Gjatë dëshmisë, Prifti ka treguar se njihej me Ilir Metën që nga viti 1999. Sipas tij, deri në vitin 2009 marrëdhëniet e tyre kanë qenë normale. Mirëpo që pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, Meta ka filluar të bëhet i bezdisshëm duke kërkuar ndere dhe favore të kundërligjshme në tendera, ankande, koncesione etj.

Xhelozia e Metës

“Besoj se kjo gjendje atij i vinte nga xhelozia, pasi Kryeministri Sali Berisha më kishte zgjedhur mua si përfaqësuesi i LSI në negociatat për krijimin e koalicionit”,-pohoi Prifti. I pyetur nga prokurori Sheshi, se në çfarë muaji është bërë regjistrimi, Prifti ka pohuar se përgjimin e ka bërë në muajin mars 2011 në zyrën e tij, ditën kur Ilir Meta do ikte jashtë shtetit. Sipas Priftit, Meta para se të largohej i ka shkuar në zyrë duke i kërkuar llogari, për ankandin e naftës bruto të “Albpetrolit”, HEC e Shushicës, etj. “Në të dyja këto raste, Meta insistonte që unë t’ia jepja tenderat shtetasve Agim Rapaj dhe Bekim Halilaj. Për një veprim të tillë Rapaj ofronte 700 mijë euro, vetëm për të marrë koncesionin e HEC të Shushicës, ndërsa me Halilaj kemi diskutuar shumë herë, madje kemi ngrënë drekë tek “Rogneri” së bashku me Metën ku dhe kemi diskutuar që Halilaj të fitonte ankandin e 30 mijë tonë naftë brute të “Albpetrolit”, duke ofruar 1 milion dollarë”,- tregoi Dritan Prifti. Më tej ai ka shtuar se kompania “Holding Grup” e biznesmenit Halilaj, për të cilin insistonte dhe Ilir Meta nuk ka fituar tenderin, për shkak se kryetari i komisionit të ofertave Pajtim Sulaj, ka konstatuar se firma nuk ishte në rregull me dokumentacionin e kërkuar. Prifti shtoi se në këtë periudhë Halilaj i ka dërguar një SMS konspirativ, të cilin Halilajt ja kishte dërguar Sulaj me tekst: ...I dashur vëllai im, unë dhe ai që ti e di u përpoqëm me të gjitha të mirat, por krahu tjetër ka punuar me shumë kujdes, për të diskredituar shefin, dhe për të ma rasur mua. Telefonin s’ta kam hapur dhe ti e di pse. Të fala...

SMS konspirative

...I dashur vëllai im, unë dhe ai që ti e di u përpoqëm me të gjitha të mirat, por krahu tjetër ka punuar me shumë kujdes, për të diskredituar shefin, dhe për të ma rasur mua. Telefonin s’ta kam hapur dhe ti e di pse. Të fala... Halilaj: Metës i kam kërkuar ndihmë në “Rogner”, Ankandin e fitoi kompania e gruas së Dritan Priftit Bekim Halilaj, administratori i kompanisë “Holldin Grup”, që interesohej për ankandin e 30 mijë ton naftë, ka dëshmuar dje në gjykatë duke pranuar se në vitin 2010 e kishte takuar Metën në “Rogner”. Pikërisht në këtë takim ai i ka kërkuar Ilir Metës ndihmë, pasi sipas tij ai kishte kuptuar se Prifti po tallej me të. “Unë kam qenë i pari njeri që i kam sugjeruar Dritan Priftit se si duhet të vepronin me rezervat e naftës bruto të “Albpetrolit”, pasi kompania po falimentonte”,-ka thënë në gjykatë Halilaj. Ky i fundit ka shtuar se vetë Prifti e kishte ftuar të merrte pjesë në këtë ankand dhe se më vonë ai kishte kuptuar se firma e tij ishte një kukull në këtë garë, pasi në ankand merrte pjesë kompania “Albpetrol”, “ARMO” dhe “TEA Constraction”, që është në pronësi të Alban Xhillarit dhe gruas së ish-ministrit Prifti. “Kur ka marrë pjesë kompania ime, ankandi është anuluar, kemi kërkuar informacion, por s’na kanë thënë asnjë gjë. Më vonë kam mësuar se ankandi është fituar nga “TEA Constracrion”, e cila kishte mundur të merrte me qira dhe një pjesë të rafinerisë së ARMO, për të përpunuar plot 30 mijë tonë naftë bruto”,- ka pohuar Bekim Halilaj. Biznesmeni që ushtron aktivitetin e tij prej 16 vitesh në fushën e hidrokarbureve, ka pohuar se “TEA Constracrion”, i pagoi ARMO-s rreth 5 milionë dollarë për rafinerinë. Bisedime me Taçin Si kam kërkuar në asnjë moment Metës dhe Priftit që të negocionin me Taçin, për të më dhënë rafinerinë me qira. Unë ia kam numrin Rezart Taçit dhe se e kam kontaktuar vetë, duke diskutuar për marrjen me qira të rafinerisë. Padi në gjykatë Për akuzën se unë kam dashur të jap 1 milion dollarë, për fitimin e ankandit të 30 mijë tonë naftë, shtoj se do bëj padi për përfitim të munguar, për dëmshpërblim, për prishje imazhi që Prifti i ka bërë kompanisë time. “Holding Grup” probleme në dokumente Nëndrejtori i “Albpetrol” Sulaj: Ankandi u anulua 3 herë, fitoi “TEA Construction” Nëndrejtori i kompanisë shtetërore “Albpetrol”, Pajtim Sulaj, dhe anëtari i Komisionit të Shqyrtimit të Ofertave në këtë kompani, Artur Mahmutaj, kanë dhënë sqarime lidhur me praktikën e ndjekur në ankandin e shitjes së 30 mijë tonë naftë. Gjatë dëshmisë së tij nën drejtori Sulaj ka pohuar se kompania “Hollding Grup”, është përjashtuar nga ky tender për shkak se s’ka qenë në përputhje ligjore me dokumentacionin. “Mbaj mënd se në atë kohë, ka ardhur një grua përfaqësuese e firmës, e cila në duar mbante një dosje. Por pas shqyrtimit ne se kemi aprovuar, por mund të them se atëherë dhe ankandi është anuluar. Me një faks të dërguar nga Ministria e Ekonomisë jemi njoftuar se duhet të anulimin të gjitha veprimet e ankandit, duke e shtyrë atë për në datën 10 mars 2010. Kjo datë u la për t’i lënë një periudhë kohe kompanisë “Holding Grup” që të kishte mundësinë të plotësonte dosjen me dokumentacionin e nevojshëm. Por edhe pse data e zhvillimit të ankandit erdhi, ai nuk u zhvillua duke u anuluar sërish”,-ka pohuar para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nën drejtori i “Albpetrol” Pajtim Sulaj. Më tej ky i fundit ka shtuar se kompania “Holding Grup” ka marrë pjesë në muajin korrik 2010, por se ka fituar, pasi ankandin e fitoi kompania “TEA Constraction”. I pyetur nga Prokurori Bujar Sheshi nëse Sulaj kishte njohje me biznesmenin Bekim Halilaj, dëshmitari është përgjigjur se s’ka pasur njohje më parë, por ata janë njohur në ambientet e Gjykatës së Lartë kur janë thirrur si dëshmitarë. Ndërkohë që për sa i përket pyetjes nëse i kishte dërguar ndonjë SMS biznesmenit Halilaj, Sulaj është përgjigjur se telefonin e tij se përdor asnjë person dhe se nuk kishte si t’i dërgonte kur s’kishte asnjë njohje me biznesmenin e “Holding Grup”. Ndërsa dëshmitari tjetër Artur Mahmutaj, ka pohuar para gjykatës procedurën e ankandit. Sipas tij, në disa raste është anuluar ankandi për shkak të interesit publik. Kjo sepse nafta duhet të shkonte në rafinerinë e naftës ARMO. Artur Mahmutaj, i cili është dhe anëtar i komisionit, shtoi se në rast se nafta bruto nuk shkonte tek rafineria ARMO, rrezikonte të mbeteshin pa punë rreth 1500 punonjës. Ai shtoi se në atë kohë kompania shtetërore “Albpetrol” ishte në gjendje të keqe financiare dhe se prej disa muaj punonjësit s’kishin marrë rrogat. Pas përfundimit të dëshmisë së dy punonjësve të “Albpetrol”, gjykata vendosi të shtyjë gjyqin për në datën 2 dhjetor ora 10:00 ku do dëgjohen dëshmitë e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›