E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia hap zyrën e informacionit turistik



Bashkia e Tiranës ka hapur për herë të parë zyrën e informacionit turistik në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj. Kjo zyrë do të shërbejë për të promovuar vlerat me karakter historik, social dhe kulturor të kryeqytetit. Turistët do të gjejnë aty informacion mbi restorantet, hotelet, materiale mbi vendet dhe muzetë në qytet, ekspozitat, tregjet, panairet dhe gjithçka me interes turistik. Gjatë përurimit të kësaj zyre, kreu i Bashkisë, Edi Rama, falënderoi GTZ-në me mbështetjen e së cilës u realizua ky projekt, ndërsa shtoi se kjo është “dallëndyshja e parë e një pranvere që pas 28 qershorit do të sjellë plot lajme të tjera të mira”. Ndërkaq, ambasadori gjerman vlerësoi ngritjen e kësaj zyre dhe u shpreh se, “Gjermania ka 20 vjet që bashkëpunon me Shqipërinë dhe në këto vite janë dhënë 800 milionë euro në mbështetje të vendit tuaj, një pjesë e këtyre parave kanë shkuar për turizmin”.

Ministri i Punës pret delegacionin e nivelit të lartë të ILO-s

Mbrojta dhe siguria në punë mbetet ende një problem i pazgjidhur për shtetin shqiptar. Kjo gjë konfirmohet edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, e cila bëri të ditur se vendi ynë ka ende probleme me të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë e tyre. Ministri i Punës, Anastas Duro, priti delegacionin e nivelit të lartë të ILO-s, Organizata Ndërkombëtare e Punës, të kryesuar nga drejtori i Përgjithshëm për Europën Juglindore, Mark Levin. Në takim u diskutua rreth situatës së konstatuar, arritjeve e problematikës së hasur në punën e Inspektoratit si dhe u parashtruan rekomandime dhe sugjerime për përmirësimin e situatës, duke ofruar mbështetje dhe asistencë në arritjen e standardeve më të mira në fushën e inspektimit të punës. Ekspertët e ILO-s vlerësuan përpjekjet e bëra nga Shqipëria në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë në punë, duke përmendur si tregues të kësaj vëmendjeje ratifikimin e një numri të madh konventash të rëndësishme. Duke u ndalur tek organizimi dhe funksionimi i strukturave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, përfaqësuesit e ILO-s theksuan rëndësinë e përgatitjes së një plani të organizuar rekrutimi e trajnimi të inspektorëve dhe përgatitjen e një karriere për ta.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›