E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja e energjisë, INSTAT: OSSH-ja humbi 273 milionë euro në vitin 2008

Humbjet e OSSH-së në 2008-n u rritën me 2.6 për qind. Sasia e humbjeve totale është 2 miliardë kilovatë-orë energji

Ervin KOÇI

Sistemi elektroenergjetik shqiptar, me gjithë situatën pozitive të muajve të fundit, me reshje dhe shtim të eksportit të energjisë, përsëri vazhdon të jetë në kolaps. Të dhënat më të fundit të raportit të INSTST-it në lidhje me prodhimin energjetik në vend janë tronditëse. Sipas tyre, sistemi elektroenergjetik në vend vazhdon të vuajë nga fenomeni i mospagimit të faturave, por edhe i rrjetit të amortizuar. Për vitin 2008 humbjet e energjisë elektrike, si teknike, ashtu dhe në shpërndarje, pësuan një rritje prej 2.6 përqindësh në krahasim me vitin 2007. Sasia e humbjeve totale është 2.139.000.000 GW/h, ose rreth 2 miliardë kilovatë energji elektrike, që me çmimin mesatar të faturimit vlerësohet në rreth 273 milionë euro. Këtë minus në bilanc e vuan Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i cili ndodhet në prag privatizimi. Humbjet në total përbëjnë 32.4 për qind të sasisë së energjisë së disponueshme për përdorim. Humbjet në shpërndarje janë rritur 2.9 për qind, duke vijuar të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet, me 90 për qind. Shifrat janë publikuar nga INSTAT-i, të cilat i referohen bilancit të energjisë elektrike për vitin 2008.

Prodhimi i energjisë

Sipas INSTAT-it, burimet e energjisë elektrike në vitin 2008 u rritën 12.4 për qind, krahasuar me vitin 2007. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 6.6 miliardë kilovatë. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit ndjeshëm me 30.6 për qind, krahasuar me vitin 2007. Sasia totale e prodhuar është 3,8 miliardë kilovatë dhe përbën 58 për qind të burimeve gjithsej të energjisë. Në vitin 2008, burimi i vetëm i prodhimit të energjisë elektrike ishte prodhimi në HEC-e (hidrocentrale). Rritja e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 34.3 për qind krahasuar me vitin 2007 ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e prodhimit total të energjisë. Rritje të ndjeshme pati dhe prodhimi i energjisë nga impiantet private e me koncesion, me 12.9 për qind krahasuar me vitin 2007, e cila përbën 1.6 për qind të prodhimit në vend. Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike pati një ulje prej 5.9 për qind krahasuar me vitin 2007. Sasia e importuar arriti vlerën e 2.7 miliardë kilovatë nga 2,9 miliardë në 2007. Ai përbën 41.7 për qind të sasisë së burimeve gjithsej në vitin 2008, nga 49.9 për qind në vitin 2007. Sasia e eksportuar (përfshirë këmbimet) në vitin 2008 është rritur me 175.3 për qind. Ajo zë 4.4 për qind të sasisë së disponuar për përdorimin gjithsej.

Konsumi i energjisë

Pjesa më e madhe e humbjeve shkaktohet nga familjet, me rreth 150 milionë euro, kurse biznesi dhe institucionet shtetërore kanë diferencën. INSTAT-i konstaton se përdorimi nga konsumatorët në vitin 2008 është rritur 14.1 për qind. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4.156 GW/h dhe përbën 62.9 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur 9.9 për qind. Ky sektor ka konsumuar 54.9 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final. Sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur 19.7 për qind krahasuar me vitin 2007.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›