Shqipëria dhe KE-ja firmosin projektin “IPA” prej 1 milion eurosh
Këshilli i Europës dhe Ministria e Financave kanë promovuar dje nisjen e projektit të ri “IPA”. Gjatë prezantimit të projektit të Komisionit Europian, që ka të bëjë me Instrumentin e Asistencës së Paraanëtarësimit, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se Shqipëria është një vend me stabilitet ekonomik e politik të konfirmuar. Në prani edhe të shefit të Delegacionit Europian në Tiranë, ambasadorit Helmuth Lohan, Bode u shpreh se "ekonomia shqiptare është e shëndetshme dhe e aftë të reagojë ndaj mjedisit të jashtëm dhe impakteve që mund të sjellë kriza botërore". Programi CARD-s, tashmë zëvendësohet nga një instrument të ri për Asistencën e Parazgjerimit, që i kanalizon fondet nëpërmjet një instrumenti të vetëm, hartuar me synimin për të ofruara mbështetje të fokusuar për vendet kandidate dhe ato kandidate potenciale për t'i ndihmuar drejt zhvillimit progresiv në përputhje me standardet dhe politikat europiane. Në këtë drejtim Bode sqaroi se ndryshon edhe sistemi i menaxhimit, nga i centralizuar në të decentralizuar, ku qeveria shqiptare merr përgjegjësitë për menaxhimin e asistencës së BE-së. "Prandaj, merr përparësi përgatitja e strukturave administrative për të thithur në mënyrë adekuate asistencën financiare të BE-së", - tha Bode. Ministri Bode e konsideroi këtë projekt një hap të rëndësishëm në partneritetin e qeverisë shqiptare me KE-në. Projekti i prezantuar dje prej 1 milion eurosh, i financuar nga KE-ja, synon të rrisë kapacitetet e administratës qendrore shqiptare për të menaxhuar fondet e BE-së, sidomos ato nën instrumentin e Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA). Projekti prej 1 milion eurosh do të vazhdojë deri në korrik të vitit 2010, ndërsa janë përcaktuar edhe 1.5 milionë euro të tjera për vazhdimësinë e ndihmës në këtë fushë. Menaxhimi i decentralizuar i fondeve “IPA” nxitet nga KE-ja për dy arsye: së pari si një tregues i pronësisë vendore të ndihmës, së dyti i lejon vendeve përfituese të përgatiten për të mbajtur me sukses një nga përgjegjësitë kryesore të anëtarësimit, menaxhimin e të ashtuquajturave fonde strukturore që vendet anëtare të BE-së marrin për të integruar rajonet e tyre më të varfëria dhe infrastrukturën.
28 Mars 2009