E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalimi i terrorizmit, zbardhet procedura e re e deklarimit për bizneset shqiptare



Habjon Hasani

Tiranë - Në kulmin e deklarimeve tatimore për bizneset ka hyrë në fuqi udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave për modelet e reja të deklarimit të gjendjes së bizneseve. Ky është një udhëzim që është hartuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Qëllim i këtij udhëzimi është rregullimi në mënyrë të hollësishme i mënyrave dhe procedurave për raportimin nga organet tatimore dhe shkëmbimit të informacionit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, në cilësinë e autoritetit përgjegjës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të mbajë informacionin lidhur me tatimpaguesit. Paketa informative do të përfshijë: emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin e përkohshëm dhe të përhershëm, punësimin, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, autoritetin që e ka lëshuar, si dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar. Për personat fizikë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse do të regjistrohet: emri, mbiemri, data e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, NIPT-i, adresa dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit tatimor. Për personat juridikë privatë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse do të regjistrohet: emri, data e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, NIPT-i, adresa dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit tatimor. Për personat juridikë privatë që nuk zhvillojnë veprimtari fitimprurëse do të shënohet: emri, numri dhe data e vendimit të gjykatës për regjistrimin si person juridik, statuti dhe akti i themelimit, numri dhe data e lejes së ushtrimit të veprimtarisë nga organet tatimore, selia e përhershme dhe natyra e veprimtarisë.
Përfaqësuesit
Në lidhje me përfaqësuesit ligjorë të klientit, këta të fundit duhet të deklarojnë: emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin e përkohshëm dhe të përhershëm, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, autoritetin që e ka lëshuar dhe kopjen e aktit të përfaqësimit. Organet tatimore pranojnë nga klienti, për të marrë të dhëna për të, sipas përcaktimeve të këtij neni, vetëm dokumente origjinale ose fotokopje të noterizuara. Për qëllime të këtij udhëzimi, organet tatimore mbajnë në dosjen e klientit kopje të vulosura me vulën e tyre, të dokumenteve të paraqitura nga klienti në formën e mësipërme, brenda afatit të vlefshmërisë së tyre. Organet tatimore, kur e gjykojnë të nevojshme, duhet të kërkojnë paraqitjen nga klienti të dokumenteve të tjera identifikuese për verifikimin e të dhënave të paraqitura prej këtij të fundit. Sipas udhëzimit organet tatimore duhet të kryejnë monitorime të vazhdueshme të aktiviteteve të subjekteve dhe deklarimeve të tyre, për t’u siguruar se ato janë në përputhje me njohuritë e subjektit për klientin, objektin e veprimtarisë dhe kategorizimin e tij, sipas shkallës së rrezikut që paraqet. Gjithashtu organet tatimore duhet të rifreskojnë të dhënat për klientin në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, si dhe menjëherë, kur kanë arsye për të dyshuar se kushtet dhe gjendja faktike e klientit kanë ndryshuar.
Njësia
Njësia qendrore ka këto kompetenca dhe funksione: cakton një person në zyrën qendrore dhe në çdo drejtori rajonale tatimore, që të shërbejë si person kontakti për autoritetin përgjegjës. Njësia organizon procesin e monitorimit dhe siguron kryerjen e detyrave të përcaktuara nga ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit, analizon çdo transaksion që është identifikuar si i dyshimtë dhe përcakton nëse ai/ajo beson se është i dyshimtë sipas ligjit dhe këtij udhëzimi. Nëse informacioni është përcaktuar si i dyshimtë, kreu i njësisë do t'ia nisë informacionin autoritetit përgjegjës pas autorizimit të dhënë nga drejtori i Përgjithshëm apo personi i ngarkuar prej tij. Pas vendosjes së këtyre kritereve duhet që organet tatimore t’i raportojnë autoritetit përgjegjës menjëherë dhe në çdo rast, jo më vonë se 72 orë pas regjistrimit të veprimit, për çdo dyshim, sinjalizim, njoftim ose të dhënë, që ka të bëjë me pastrimin e parave dhe/ose financimin e terrorizmit. Nëse zbulohet një transaksion i dyshimtë, atëherë duhet dërguar një raport te autoriteti përgjegjës për aktivitetin e dyshimtë. Punonjësve të organeve tatimore u ndalohet të informojnë klientin ose çdo person tjetër, në lidhje me procedurat e verifikimit të rasteve të dyshimta, si dhe për çdo raportim tek autoriteti përgjegjës.

Cilat biznese rrezikohen nga hetimi për pastrim parash dhe terrorizëm

Taksapaguesi drejton një organizatë bamirësie, humanitare, edukative etj., që duket e
dyshimtë. Kjo në përputhje dhe me vigjilencën e zgjeruar ndaj këtyre subjekteve.

Taksapaguesi drejton biznesin e tij/saj (p.sh. zyrë shkëmbimi valutor) pa pasur një numër
identifikimi të taksapaguesit (NIPT).

Taksapaguesi heziton ose kundërshton që të japë informacion lidhur me aktivitetin e biznesit të tij ose jep dokumente të pazakonshme, ose të dyshimta për të identifikuar biznesin e tij/saj.

Qëllimi i transaksionit të taksapaguesit është i pakuptimtë në pikëpamje të biznesit ose nuk përputhet me biznesin/strategjinë e deklaruar të tij.

Pasuria neto e taksapaguesit nuk përputhet me fondet.

Informacioni i dhënë nga taksapaguesi lidhur me burimin e fondeve është i rremë, çorientues ose krejtësisht i gabuar.

Kur i kërkohet, taksapaguesi refuzon të identifikojë ose nuk arrin të tregojë burimet e ligjshme të fondeve dhe pasurive të tjera të tij/saj.

Taksapaguesi (ose personi i njohur publikisht si bashkëpunëtor i tij) ka një histori të diskutueshme ose ka qenë objekt i medias për vepra të mundshme penale, civile apo rregullatore.

Përdorimi i "personave juridikë" të shumtë, me qëllimin e vetëm marrjen dhe disbursimin e fondeve.

Zhvillimi i aktivitetit pa ndonjë qëllim të qartë biznesi në vende ose territore të identifikuara nga autoriteti përgjegjës si vende jobashkëpunuese.

Taksapaguesi është nga ose ka filiale në një vend ose territor të identifikuar si jobashkëpunues nga FATF.

Taksapaguesi shfaqet si agjent i një personi të padeklaruar dhe refuzon ose shmanget pa
pasur arsye të ligjshme biznesi që të japë informacion lidhur me personin ose njësinë që përfaqëson.

Taksapaguesi ka vështirësi për të përshkruar natyrën e biznesit të tij ose i mungojnë njohuritë e përgjithshme të industrisë së tij.

Taksapaguesi hap dhe mban disa regjistra kontabiliteti.

Taksapaguesi paraqet fatura të rreme në Drejtorinë e Tatim- Taksave.

Taksapaguesi, përmes personave të emëruar, përdor transaksione fasade (transaksione të cilat nuk kanë përmbajtje ekonomike).

Taksapaguesi kryen transaksione të shpeshta në cash, pavarësisht nga penalitetet etj...

Njësia e Inteligjencës, autoriteti i hetimit të financave të terrorizmit

Pothuaj të gjithë tipat e krimeve, qofshin trafiqe, mitmarrje, mashtrime në prokurime, vjedhje të mëdha ose evazion fiskal, përfshijnë disa lloj skemash të pastrimit të parave. Kriminelët kërkojnë të fshehin fitimet e tyre që burojnë nga aktivitete jo të ligjshme dhe punë jo të pastra duke manipuluar transaksionet financiare vendase dhe ndërkombëtare. Megjithatë, në vendin tonë që nga viti 2001 është ngritur një strukturë e posaçme, Njësia e Inteligjencës Financiare (NIF), që merret pikërisht me zbulimin e të gjitha shoqërive apo personave që merren me pastrimin e parave. Gjatë këtyre viteve ka funksionuar në varësi të disa procedurave të përcaktuara në ligj. Por ata që nuk kanë ndryshuar janë institucionet që monitorohen si dhe kërkohet informacion i detajuar për të zbuluar kështu se kush merret me pastrim parash. Më pas NIF e shpërndan informacionin te një numër i caktuar agjencish të zbatimit të ligjit. Disa prej tyre i dërgohen policisë për hetime të mëtejshme dhe të tjera i dërgohen Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për ndjekje kriminale. Gjatë vitit 2005 janë parashtruar dhjetë raste për hetim dhe katër raste për penalizim të njërit lloj apo tjetrit.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›