KE: Po ndjekim me vëmendje reformën në Drejtësi
Tiranë - Përfaqësues të Komisionit Europian në Tiranë kanë ripërsëritur sërish se reforma në Drejtësi po ndiqet me vëmendje nga Bashkimi Europian. Këtë radhë deklarata është bërë nga shefi i sektorit operacional në Komisionin Europian, Luixhi Brusa, gjatë inaugurimit të qendrës së publikimeve zyrtare. “BE-ja do të vazhdojë të asistojë ecurinë e kësaj reforme të rëndësishme. Asistenca e BE-së në fushën e Drejtësisë në Shqipëri është e shumëllojshme që nga ndërtimi i mjediseve të burgjeve, dhomave të paraburgimit, gjykatave dhe institucioneve të tjera të Drejtësisë, deri te asistenca ligjore. Do të doja të inkurajoja autoritetet shqiptare të sigurojnë buxhetin e duhur për operimin dhe mirëmbajtjen e qendrës së publikimeve zyrtare që do të ndihmojë të afrojë shoqërinë me shtetin”, - u shpreh Brusa. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj, i cili tha se publikimet e para në qendrën e rindërtuar janë aktet e aderimit të Shqipërisë në NATO, të votuara unanimisht dy ditë më parë në Kuvend. Rindërtimi i qendrës së publikimeve zyrtare u mundësua nga projekti prej 400 mijë eurosh të Bashkimit Europian. Qendra është rindërtuar dhe pajisur sipas standardeve europiane, duke lehtësuar kështu mundësinë e publikut për të parë botimet ligjore, për punë hulumtuese si dhe duke përmirësuar transparencën ligjore në vend.
28 Mars 2009