Lohan: “Kujdes me administratën publike, ndryshe rrezikoni fondet e BE-së!”
Lëvizjet e shpeshta dhe të pamotivuara të nëpunësve të administratës publike rrezikojnë seriozisht fondet e Bashkimit Europian për Shqipërinë në kuadrin e reformës për modernizimin e saj. Ky fakt u bë i ditur dje nga kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Sipas tij, Shqipëria duhet të tregojë stabilitet me administratën publike në mënyrë që të arrijë të përfitojë asistencën për para anëtarësimin në Bashkimin Europian prej 200 milionë eurosh. “Mos i çoni dëm fondet e akorduara, sepse ato duhen zbatuar para anëtarësimit në strukturat europiane”, - tha Lohan. Ai foli në kuadrin e projektit të BE-së për administratën publike, i cili ka një vlerë prej 1 milionë eurosh. Ky projekt merr në shqyrtim kapacitetet e administratës dhe menaxhimin e fondeve të BE-së.
Ndërkohë, ministri i Financave, Bode, ka deklaruar se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE. "Të gjithë konstatojmë se Shqipëria ka bërë hapa të sigurt e të dukshëm në proceset e saj integruese", - vijoi Bode, ndërsa theksoi dhe rëndësinë e miratimit të paketës ligjore të qeverisë për anëtarësimin në NATO. Lidhur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Bode tha se ajo tashmë është në fuqi dhe shumë shpejt Shqipëria do të paraqesë kërkesën e saj si vend kandidat në BE. Këto, sipas Bodes, janë rezultat i suksesit të reformave të ndërmarra nga qeveria dhe i kontributit të marrë nga të gjitha institucionet e vendit në plotësimin e aspiratave shekullore kombëtare.
28 Mars 2009