E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia, harta dixhitale për gjithë Tiranën

09/02/2005  Bashkia e Tiranës dhe njësitë administrative të saj kanë nisur punën për të hartuar hartat dixhitale të të gjithë qytetit. Këto harta do të shërbejnë si për regjistrimin e popullsisë, për të vendosur adresa jo vetëm për çdo ndërtesë, por dhe për rrugët, për të identifikuar ndërtimet pa leje si dhe zonat informale. Të dhënat e plota do të dalin pas dy javësh.

“Normalisht ekziston Ligji nr.9296, datë 21.10.2004: “Për verifikimin, identifikimin dhe regjistrimin e shtetasve nga njësitë e qeverisjes vendore”, për të cilin Bashkia e Tiranës ka kohë që është impenjuar, duke krijuar një grup prej 25 specialistësh të Drejtorisë së Përgjithshme të Urbanistikës, për një verifikim dhe regjistrim të të gjitha ndërtesave, të cilat nuk janë akoma të numërtuara", tha Balinda Balluku, këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun. I gjithë procesi është bërë në bashkëpunim me Njësitë Bashkiake, duke filluar nga nëntori i vitit 2004. Fillimisht Bashkia është mbështetur në hartat e dorëzuara nga “Gis-Albania” dhe mbi ato harta është bërë edhe numërtimi. Më vonë, nga një hartë dixhitale e dorëzuar nga Instituti i Topografisë Ushtarake, janë bërë saktësimet e këtyre numërtimeve dhe tani brenda javës tjetër priten që të dorëzohet nga IFES, harta dixhitale e dhjetorit të vitit 2004, për sa i përket numërtimit të ndërtesave.

"Siç e kuptoni, po përgatitemi dhe jemi një hap përpara drejt një identifikimi total dhe të plotë (flasim vetëm për dhjetorin, pra për një muaj e gjysmë më parë) dhe shpresojmë se kjo do të jetë faza përfundimtare", tha Balluku. Të gjitha veprimet që janë bërë janë në procesverbale të krijuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Urbanistikës. "Gjithashtu të gjitha veprimet tona janë konfirmuar nga specialistët e Njësive Bashkiake, personat përgjegjës për këtë proces. Ne shpresojmë që këto harta të mbyllen brenda afateve. Ju e kuptoni që është ndoshta hapi i parë dhe më i vështirë për të krijuar një sistem elektoral sa më të mirë për vitin 2005”, tha Balluku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›