E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia heq flamujt e LSI për fushatën

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon Bashkinë e Tiranës, dhe konkretisht kryetarin e saj Edi Rama, se ka dhunuar simbolet dhe të rinjtë e LSI-së. Pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme, ku Policia e Bashkisë së Tiranës u përpoq të heqë flamujt dhe simbolet e LSI-së të vendosura në vendet publike, duke u konfrontuar me të rinjtë e kësaj force politike, ka reaguar kandidatja e Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për kryetare të minibashkisë nr. 5 Erisa Xhixho, duke bërë përgjegjës direkt kryebashkiakun Edi Rama. Erisa Xhixho ka shprehur indinjatën dhe përbuzjen e thellë ndaj kësaj sjellje të Bashkisë së Tiranës, duke e quajtur kryetarin e saj, Edi Rama, si një “Don Kishot i cili lufton kundër simboleve të LSI-së”. Sipas saj, LSI është duke respektuar Kodin Zgjedhor dhe institucionet e administrimit të zgjedhjeve, duke bërë me dije se ligji parashikon që me regjistrimin e kandidatëve për kryetar minibashkie, apo bashkie, në Komisionin e Zgjedhjeve, fushata është e hapur dhe për këtë sipas saj LSI është brenda rregullave ligjore, ku brenda 45 ditëve çdo njeri është i lirë të shprehë opinionin e tij dhe simbolet e partisë që ai beson dhe që nesër do ta votojë.

“Do të shprehja në emër të LSI-së gjithë indinjatën ndaj sjelljes dhe fobisë që ka z. Rama ndaj simboleve të LSI-së, duke u sjellë në këtë mënyrë si një Don Kishot, ku në qoftë se Don Kishoti merrej me mullinjtë e erës, z. Rama merret me simbolet e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, - vijoi Xhixho. Ndërkohë, lidhur me këto pretendime, ka reaguar edhe inspektorati i policisë së ndërtimit të Bashkisë së Tiranës, i cili ka bërë të ditur se fushata zgjedhore s’ka nisur ende dhe se vendosja e posterave, apo simboleve të tjera partiake nëpër vendet publike, është e paligjshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›