E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha - Ramës: Alternativa jote është ajo e akuzuesit

Kryeministri Berisha ftoi qytetarët e Petrelës, që të votojnë alternativën më të mirë dhe njeriun që punon për ta

TIRANË Në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare të fshatit Daias, një investim prej 13 milionë lekësh në komunën Petrelë, Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, i është drejtuar edhe kryetarit të opozitës, Edi Rama. “Le t’i shtrojmë një pyetje shokut Edvin Rama, çfarë ofron ai? Cila është alternativa jote? Alternativa e tij është: “fajin e ka Saliu”. Atëherë, unë do t’i them se “faji i Saliut” do të bëhet sa mali i Dajtit, sepse unë do të ndërtoj rrugë, do të ndërtoj shkolla, do të subvencionoj ullishte, do të ndërtoj kanalizime. Këto, zotëria e tij i konsideron faje. Por le ta pyesim; Çfarë u zgjidh kjo qytetarëve? Kjo përkundrazi, vetëm sa dëshmon se ti vuan nga një mendësi e vjetër e akuzatorit. Këta të rinjtë e sotëm kanë fatin të mos e njohin atë sistem, por rikthen kohërat kur ti vetë bën gjykatësin, prokurorin, shpifësin, trilluesin dhe nuk sjell asgjë, asnjë alternativë, asnjë propozim asnjë sugjerim, në interes të qytetarëve”, - tha Berisha, duke ftuar qytetarët që të dinë të përzgjedhin alternativën e tyre. Për pasojë, Berisha nuk la pa përmendur edhe një prej angazhimeve, që ka ndërmarrë kjo qeveri si rritja e pensioneve. “Mbetet e paharrueshme për mua në memorje dhe besoj edhe ju e mbani mend që rritjen e fundit të rrogave dhe të pensioneve e shpalli si një akt kriminal të qeverisë. Po pse ishte kriminale rritja e pensioneve? Rritja e pensioneve është akti më njerëzor që mund të bëjë një qeveri. Këtu janë jo të paktë, ato gra dhe burra që janë shkrirë duke punuar në kooperativa bujqësore dhe në ferma dhe merrnin një shpërblim qesharak për ato lumenj djerse. Nuk mund të them se marrin shumë, por të paktën ne ia dyfishuam, në një akt vlerësimi dhe respekti për ta. Ku qëndron krimi këtu, se rritëm pensionet? Ne prapë do t'ua rrisim pensionet sepse ne kemi një ekonomi të qëndrueshme”, - tha ai. Berisha theksoi se në komunën e Petrelës, qeveria ka investuar rreth 22 herë më shumë sesa 8 vite të marra së bashku nga qeverisja e PS-së. “Këtu në Petrelë ne kemi ndërtuar rreth 36 km rrugë. Ne i përmbahemi parimit se çdo fshat i këtij vendi duhet të ketë infrastrukturën e qytetit, duhet të ketë rrugët, shkollat, kanalizimet, ujësjellësit e njëjtë me ato të lagjeve të qytetit. Ndaj edhe ne, me investimet tona në 5 vite, ia dolëm të asfaltojmë, të ndërtojmë 36 km rrugë. Unë ju garantoj se gjatë mandatit të ardhshëm, gjatë 4 viteve, me zotin Ylli Kupi do asfaltojmë çdo kilometër rrugë, në të gjithë fshatrat e kësaj komune. Kemi ndërtuar 6 ujësjellës e kanalizime. Gjatë 4 viteve që vijnë do të ndërtojmë ujësjellës e kanalizime në çdo lagje të fshatrave të kësaj komune”, - tha ai. Berisha ftoi edhe njëherë qytetarët që të votojnë atë që punon për qytetarin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›