E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia ia nis rehabilitimit nga “Kodra e Priftit”

Specialistë të Bashkisë prej ditësh janë në terren duke identifikuar problematikën me qëllim parashikimin në buxhet të fondeve për zgjidhjen e tyre.

Një nga problematikat më të mëdha të konstatuara  dhe që ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e kreut të Bashkisë është kanali i hapur i ujërave të zeza  në këtë zonë që është kthyer prej vitesh në shqetësim për banorët. Sot kanë inspektuar këtë zonë Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve Taulant Zeneli i shoqëruar nga specialistë të Bashkisë dhe kryetari i Njësisë Bashkiake numër 3, Ilir Kokona. 

Zeneli tha për mediat se pas një konsultimi me qytetarët dhe me njësinë bashkiake, do të ndërhyhet për ndërtimin e kolektorit dhe mbylljen e kanalit të hapur që përshkon përmes këtë zonë.

“Bashkia në kuadrin e përgatitjes së buxhetit për vitin 2012, në bashkëpunim me Njësinë Bashkiake dhe specialistët e saj kanë dalë në terren, duke takuar qytetarët dhe janë duke bërë të gjithë identifikimin e problematikave. Këtu në Njësinë nr.3, zona e Kodrës së Priftit,, problematika është mjaft e madhe. Është parashikuar që të bëhet kolektori i ujërave të zeza, pasi siç e shikoni këtu është një kanal i hapur,  zona është e rindërtuar dhe ujërat e zeza derdhen ne  këtë kanal. Përveç kolektorit do të futet në projekt komplet zona e Kodrës së Priftit, për t’u bërë e gjithë infrastruktura e nevojshme, duke përfshirë rrugën, ndriçimin dhe gjelbërimin”, tha Zeneli.

Për të adresuar sa më mirë zgjidhjen e shqetësimeve të qytetarëve të Tiranës, Bashkia po bashkëpunon ngushtësisht edhe me institucionet e tjera. Në këtë kuadër sipas, zotit Zeneli në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, do të nisë së shpejti ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për zonën e Kodrës së Priftit.

“Bashkia nuk është e vetme,ajo  ka një bashkëpunim shumë të mirë edhe me institucionet e tjera siç është edhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, ku së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për zonën e Kodrës së Priftit, që ka qenë një gangrenë për një kohë të gjatë. Problematika e zonës se  Kodrës se Priftit  do jetë një ndër projektet e para që do të fillojnë në vitin 2012 dhe po kështu po punohet në të gjithë zonat problematike të qytetit të Tiranës”, shtoi Zeneli. /Start/

                                                                                             2011-11-15 15:44
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›