E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia inspektim të tregjeve në Tiranë

10/08/2011  Kontrolli i ushqimeve

Punonjësit e sektorit të kontrollit veterinar zooteknik të Bashkisë së Tiranës paraditen e djeshme inspektuan tregun ushqimor tek ish- uzina “Dinamo” si dhe disa tregje të tjera në kryeqytet. Nga ky inspektim rezultoi se shumë tregtarë nuk siguronin kushte të mira për tregtimin e mallrave. Inspektorët e Bashkisë lëshuan disa aktkontrolle, morën mostra ushqimore për analizë dhe ndërgjegjësuan tregtarët dhe qytetarët lidhur me masat që duhen marrë. Kjo sipas drejtueses së grupit të Bashkisë së Tiranës Ermiona Hajdini bëhet “për të shmangur infeksionet apo helmimet me prejardhje ushqimore”. Sipas saj, kontrolli dhe mbikëqyrja u krye edhe në tregun e Pazarit të Ri dhe në atë të prodhimeve të mishit pranë sheshit “Avni Rustemi”. Inspektorët kërkuan nga tregtarët respektimin e kushteve higjienosanitare të ushqimeve, kryesisht atyre me bazë shtazore, si qumështi, mishi dhe peshku, dhe kërkuan plotësimin e standardeve të zinxhirit ftohës të produkteve. Gjithashtu inspektorët e Bashkisë shpërndanë edhe fletëpalosje për qytetarët me informacion për gjërat më të rëndësishme që duhet të kenë parasysh gjatë blerjes dhe konsumit të ushqimit në temperaturat e larta. Në këtë treg, me një sipërfaqe prej rreth 1 ha, ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 60 shitës dhe biznese që tregtojnë produkte bujqësore dhe me bazë blegtorale, mjaft të ndjeshme nga kontaminimi biologjik, fizik dhe kimik. Për këtë arsye tregtarët duhet të kenë kushtet e përshtatshme për shitjen e produkteve të tyre, duke i tregtuar ato në mjedise në temperaturë të freskët, larg pluhurit, rrezeve të diellit etj. Nisur nga kjo situatë, inspektorët e sektorit të kontrollit veterinar zooteknik në Bashkinë e Tiranës u kërkuan dje tregtuesve respektimin e kushteve higjienosanitare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›