Bashkia inspekton punimet në bllokun 79
Tiranë
Bashkia e Tiranës ka nisur dje rindërtimin e infrastrukturës në bllokun 79 në kryeqytet.
Gjatë inspektimit të punimeve, për rehabilitimin e këtij blloku banimi, kryebashkiaku Rama u shpreh: “Kapitulli i vështirë i rehabilitimit të blloqeve të banimit, ku ka kaq shumë probleme për të sistemuar, po vazhdon të shkruhet me një punë të jashtëzakonshme, në një numër të konsiderueshëm blloqesh, siç është edhe ky bllok banimi”.
Blloku nr. 79 ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit të Tiranës dhe sipërfaqja që parashikohet të trajtohet, është rreth 30 ha.
Projekti i rindërtimit parashikon ndërtimin e 5.684 metrave lineare rrugë të brendshme. Gjerësia e rrugëve do të jetë 4 deri në 9 metra, me trotuare nga të dyja anët, të shtruar me pllaka betoni, me gjerësi nga 1 deri në 3 metra. Projekti i kanalizimeve parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri kolektorësh dhe pusetash, për ujërat e zeza dhe të bardha. Rindërtimi i këtij blloku do të realizohet me të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, me një fond prej 324.211.137 lekësh.