Bashkia, kopsht të ri në Kombinat
Lagjes së Kombinatit dje i është shtuar një kopsht i ri. Bashkia e Tiranës ka kryer rehabilitimin e Kopshtit Nr. 27, i cili ndodhet në kryqëzimin midis rrugëve “Llambi Bonata” dhe “Haki Stërmilli”. Për këtë çështje Bashkia ka akorduar një fond prej 27 569 000 lekësh. Kryebashkiaku Edi Rama ka qenë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të këtij kopshti, ku është takuar me prindërit dhe fëmijët. ”Është kënaqësi e madhe që fëmijëve të këtij komuniteti ne u japim sot kopshtin që meritojnë dhe dhjetëra e dhjetëra kopshte e çerdhe që janë ndërtuar dhe po vazhdojnë të ndërtohen në Tiranë, janë një garanci se fëmijët e së sotmes do të jenë qytetarët europianë të së nesërmes dhe se shoqërizimi që u mundëson sot çerdhja, kopshti, shkolla do të jenë një gur themelor për bashkëjetesën e nesërme qytetare dhe demokratike në Tiranën europiane”, - u shpreh Rama.
Kopshti Nr. 27 do të akomodojë 152 fëmijët e kësaj zone, të cilët do të mund të përfitojnë një shërbim cilësor. Rikonstruksioni dhe shtimi i ambienteve ekzistuese ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e godinës, përfshirë këtu edhe sistemin qendror të ngrohjes, instalimin e radiatorëve në të gjitha ambientet e kopshtit, kuzhinën profesionale si dhe pajisjen e këtyre ambienteve sipas standardeve bashkëkohore. Gjithashtu, të vegjlit mund të shfrytëzojnë lojërat e ndryshme dhe mjetet e nevojshme didaktike për realizimin e procesit edukativ. Bashkia e Tiranës prej kohësh ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë një shërbim cilësor për mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve, ku përmirësimi i infrastrukturës parashkollore përbën një nga elementët më të rëndësishëm dhe një nga prioritetet e politikave të saj sociale.
2 Prill 2009